E premte, 26 Korrik, 2024

KOP: VENDIMI I BE-SË ISHTE DËSHPËRUES, POR JO EDHE DRAMATIK

Ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop, ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me reformat sepse fillimi i negociatave nuk është larg. Sipas tij, shumëçka do të varet nga propozimet franceze, ndërkohë që ka bërë të ditur se për momentin nuk ka diçka konkrete. Idenë e krijimit të një zone ekonomike për Ballkanin Perëndimor, ai e sheh si një parapërgatitje të BE-së dhe jo si një alternativë. 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Holanda vlerëson se Maqedonia e Veriut është e gatshme të fillojë negociatat. “Francezët po flasin për rishikimin e metodave dhe procedurave, por ne nuk kemi parë ndonjë sugjerim konkret për momentin. Kur francezët të vijnë me propozime, ne do t’i shohim ato dhe do të shohim se çfarë mendojmë për to”, ka theksuar ambasadori holandez, Dirk Jan Kop në intervistën e së dielës për REL, transmeton KDP.

Kop, thotë se vendi duhet të vazhdojë me reforma sepse fillimi i negociatave nuk është datë e largët. Holanda nuk është shteti i vetëm i cili vendos, varet edhe nga shtetet tjera anëtare. Ai thotë se se samiti i Brukselit nuk duhet të dramatizohet.

“Ajo çka ndodhi në samitin e fundit të BE-së ishte zhgënjyese, por jo edhe dramatike. Ajo çka duhet të ndodhë është të vazhdojmë. Pozicioni im dhe i Holandës nuk ka ndryshuar, ne ishim për fillimin e bisedimeve dhe ende jemi. Synimi jonë, qëllimet, projektet dhe proceset do të ngelin të njëjta, dhe ajo është që vendi të afrohet më afër me BE-në dhe në një moment të caktuar të anëtarësohet në BE”, ka theksuar ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop.

Për alternativën që flitet, BE-ja të krijojë një zonë ekonomike për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ambasadori Kop thotë se nuk qëndron si ide konkrete, por ky proces në BE tanimë zhvillohet dhe ka të bëj me përgatitje të BE-së si procesi i Berlinit CEFTA, i cili i inkuadron edhe shtetet jo anëtare të aleancës në tregti. Kop nuk e sheh këtë si alternativë por si parapërgatitje të BE-së.

“Ideja për Zonën Ekonomike të Europës, rrodhi si iniciativë e Europës në Bruksel për stabilitet dhe nuk është program zyrtar nëpër kryeqytetet europiane. Bëhet fjalë për procesin CEFTA që është marrëveshje për tregti të lirë, në të cilën anëtarë janë edhe shtetet e Ballkanit . Por ky proces zhvillohet jo si alternativë por si një parapërgatitje për BE”, ka theksuar Kop.

Ambasadori holandez, Kop thotë se jo-ja nga Brukseli nuk kishte të bënte me mosmiratimin e ligjit për prokurori. Ai pret që Franca të dalë me program konkret sepse mendon se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, për të cilin thotë se është një proces i gjatë që e pret vendin por që Holanda në samitin e radhës do të dalë me qëndrim pozitiv.

Të fundit