Muaji kundër kancerit të gjirit shënohet me shumë ngjarje sensibilizuese. Të dhënat e institucioneve shëndetësore flasin për rritje të numrit të grave të prekura nga kjo sëmundjeje, ndërkohë që specialistët bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta, sepse identifikimi i hershëm do të thotë edhe shërim i plotë.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Muaji kundër kancerit të gjirit është shënuar me një shëtitje në sheshin “Maqedonia” në Shkup nën moton “Përpara rozë – bëni hapa kundër kancerit të gjirit”. Ky ishte një manifestim për të shprehur kujdesin dhe rikujtimin për të gjitha gratë të cilat kanë kancer në gji, të atyre që janë shëruar, por edhe të atyre që e kanë humbur betejën.
Specialistët ndërkohë kanë bërë thirrje për të gjitha gratë që të bëjnë kontrolle të rregullta, të cilat mund ta ulin rrezikshmërinë nga kanceri në gji. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që të shmangen faktorët e identifikueshëm që stimulojnë përhapjen.
Argjent Imeri specialist i kancerit të gjirit, radiolog, bënë thirrje tek të gjitha gratë, për vetëkontroll si dhe ekzaminimet e rregullta mamografike, të cilat mund ta ulin rrezikun e kancerit në gji.
Sipas Imerit, mosha, gjinia, faktorët gjenetik, obeziteti, menopauza, pirja e duhanit dhe alkoolit si dhe jo aktiviteti fizik janë disa nga faktorët të cilët ndikojnë në përhapjen e kancerit të gjirit. Ai thotë se paraqitja më e shpeshtë e kësaj sëmundjen shfaqet mbi moshën 40 vjeçare.
“Sëmundja më së shpeshti shfaqet pas moshës 40 vjeçare. Pse ka pasur rekomandime të ndryshme është nga ajo se mamografia përdoret me rezet x për të diagnostikuar ndryshimet eventuale në gji dhe si të tilla ato mund të jenë të dëmshme dhe ka ekzistuar frika se ne mund me këtë nëse fillojmë në fazë më të hershme dhe rregullisht e rrezatojmë një grua mund të rrezatojë kancer. Rastet që i detektojmë me kohë me kancer në gji, dobitë janë shumë më të mëdha se mundësia se sa ne eventualisht të shkaktojmë kancer në gji siç është mamografia”, thekson Imeri.
Sipas tij, detektimi i hershëm dhe skriningu mund të çojnë deri në shërimin e plotë të kësaj sëmundje malinje nga e cila vuajnë shumica e grave, ndërkohë që kjo sëmundje nuk është shkaktar i vdekshmërisë.
“Me detektim të hershëm të sëmundjes arrijmë ta shërojmë, ta mjekojmë plotësisht sëmundjen. Për ta arritur këtë duhet një ndërgjegjësim i popullatës sidomos gjinisë femërore për kontrollet e rregullta që ato duhet t’i bëjnë”, thekson Imeri.
Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike çdo e teta grua në vend është apo ka qenë e prekur nga kanceri në gji. Sipas analizave në çdo 100 mijë gra, në tre vitet e fundit, prekja prej kësaj sëmundje ka arritur në 30 për qind të rasteve të ekzaminimeve, që rëndit kancerin e gjirit si një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse në vend.