Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që në terminologjinë politike njihen edhe si Lugina e Preshevës, presin që Qeveria e re e Kosovës të merret më seriozisht me çështjen e shqiptarëve të Luginës.
Ndër tjera, ata presin nga qeveria e ardhshme dhe siç thonë, kryeministri në ardhje, Albin Kurti, të reflektojnë pozitivisht karshi kërkesave për përfshirjen e tyre në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha për Radion Evropa e Lirë, se menjëherë pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës do të kërkojnë takim me kryeministrin e ri për t’ia parashtruar kërkesat, por edhe për ta njoftuar me problemet me të cilat po përballet popullata shqiptare në Luginë. Sipas tij, Albin Kurti, i cili pritet të jetë mandatari për formimin e qeverisë, është zotuar për ndryshim të gjendjes në Luginë.
“Presim që qeveria e ardhshme të jetë shumë më aktive në drejtim të ndihmës konkrete drejt Luginës së Preshevës sepse aktualisht ne përballemi me një situatë, ndër më të rëndat në historinë tonë më të re”.
“Largimi në masë i njerëzve për shkak të problemeve të shumta politike dhe ekonomike po e dobëson bërthamën kombëtare. Është momenti i fundit që Prishtina e Tirana zyrtare ta kuptojnë këtë dhe të kenë projekte konkrete të ndihmës së drejtpërdrejtë për Luginën e Preshevës”, tha Kamberi.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës thonë se po e presin me interesim edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të këtij dialogu, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë qenë pjesë e delegacionit të Serbisë. Kështu që edhe përfaqësuesit shqiptarë të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thonë se do të kërkojnë nga pala kosovare që t’i përfshijë ata në delegacionin e Kosovës.
“Pavarësisht se cilin opsion do ta zgjedhë Kosova në raport me Serbinë në bisedimet e ardhshme, nuk mund të tolerohet që në Ballkan të ketë situatë që të ketë pakica të privilegjuara, siç janë serbët e Kosovës, në ndërkohë që neve (shqiptarëve të Luginës së Preshevës) na mohohen edhe ato të drejta më elementare që vetë Kushtetuta e Serbisë i parasheh”, tha Kamberi.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e re e Kosovës në mënyrë sistematike dhe programore duhet t’u qaset çështjeve jetike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Ne presim që të ketë një vëmendje të shtuar, të ketë një program të veçantë dhe strategjik se si duhet qasur Luginës së Preshevës, marrë parasysh që Lugina është pjesë e kontestit historik, jetik të Kosovës. Ne konsiderojmë që të gjitha kërkesat që kemi pasur dhe që i kemi edhe sot, vetëm duhet pasur vullnet e strategji për t’iu qasur zgjidhjeve”, tha Mustafa.
Nga ana tjetër, Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që në bazë të rezultatit preliminar të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të formojë Qeverinë e re të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Vetëvendosje në radhë të parë, karshi Serbisë, ka qëndrimin për vendosjen e parimit të reciprocitetit.
Aliu tha se kërkesa për reciprocitet është e shprehur në një deklaratë të përbashkët nga këshilltarët komunalë të komunave në Luginën e Preshevës, qysh në vitin 2006.
“Mbi bazën e reciprociteti të plotë karshi Serbisë, ky do të jetë parimi themelor kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Nga ana tjetër, përmes institucioneve të Kosovës do të bëjmë çmos që të jemi në koordinim edhe me institucionet në Republikën e Shqipërisë që t’u jemi në ndihmë qytetarëve të Luginës”, tha Aliu.
Ai tha po ashtu se institucionet e Kosovës duhet t’u krijojnë disa lehtësi qytetarëve nga Lugina e Preshevës, marrë parasysh se edhe në Kosovë ata janë ballafaquar me pengesa të ndryshme.
Çështja e tri komunave në jug të Serbisë, ishte përmendur shpesh edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka deklaruar shumë herë publikisht se do të angazhohet që në kuadër të, siç kishte deklaruar ai, korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këto tri komuna të kalojnë në territorin e Kosovës.
Megjithatë, ideja e ndryshimit të kufirit të cilën Thaçi e ka potencuar shpesh, në spektrin politik në Kosovë, por edhe më gjerë, nuk kishte gjetur mbështetje.