Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli të mërkurën sukses në Siri. Por, me tërheqjen e papritur nga ajo që e quajti “rërë e gjakut”, Trump ua dorëzoi rajonin rivalëve – gjë që mund ta fusë Lindjen e Mesme në një sezon të ri të pasigurisë, vlerëson në një analizë të veten agjencia e lajmeve Associated Press.
Trump ka marrë vendim për tërheqjen e trupave amerikane nga veriu i Sirisë.
Në një adresim para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se administratat amerikane përpara tij shpenzuan shumë para dhe gjak në luftimet sektare dhe fisnore, në të cilat SHBA-ja nuk ka vend për t’u përzier.
“Kemi shpenzuar 8 trilionë dollarë në luftëra në Lindjen e Mesme, duke mos dashur kurrë t’i fitojmë ato luftëra”, tha Trump.
Shpallja e suksesit erdhi një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, arritën marrëveshje për ndarjen e kontrollit të një zone përgjatë kufirit Turqi-Siri.
“E vetmja pyetje është nëse presidenti Trump po vepron drejtpërdrejt me urdhër të udhëheqësve rusë dhe turq, apo ai qëllimisht është i verbër ndaj dështimeve të veta”, tha senatori demokrat, Bob Menendez, nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Trump iu përgjigj skeptikëve, duke thënë se puna e ushtrisë amerikane nuk është të jetë police në botë.
“Të tjerët kanë dalë për të ndihmuar dhe ne i mirëpresim ata”, tha Trump.
“Duke e duartrokitur në mënyrë implicite Rusinë për partneritet me Turqinë, për të patrulluar në një pjesë të kufirit sirian, Trump duket se mbështet ambicien e Moskës për të pasur ndikim më të madh në Siri”, shkruan AP.
“Duke vepruar kështu, presidenti i përmbys përpjekjet e mëparshme të Uashingtonit për të kufizuar ndikimin e Rusisë në të vetmin vend të Lindjes së Mesme, ku ka prani të përhershme ushtarake”, vlerëson AP.
Gazeta Foreign Affairs shkruan se vendimi i Trumpit për tërheqjen e Trupave nga Siria dëmton edhe reputacionin e ushtarëve amerikanë, që kanë luftuar në Siri.
Disa prej tyre janë shprehur të turpëruar, pasi kanë braktisur aleatët e tyre kurdë, me të cilët kanë luftuar kundër grupit militant Shteti Islamik.
Sipas gazetës, tri institucione të rëndësishme për politikën e jashtme amerikane – komuniteti i inteligjencës, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni – tani i kanë dëmtuar marrëdhëniet me presidentin.
Është thënë se këto institucione nuk janë pajtuar me tërheqjen e ushtarëve nga Siria.
“Sulmet e Trumpit mbi proceset vendimmarrëse i kanë mundësuar atij të personalizojë dhe privatizojë politikën e jashtme amerikane, shpesh në mënyra që i sjellin dobi Kremlinit, më shumë sesa Shtëpisë së Bardhë”, shkruan Foreign Affairs.
Trump shpalli të mërkurën një “rezultat të shkëlqyer” në Siri dhe ai ka të drejtë “nëse iu referohet interesave” të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atij rus, Vladimir Putin, shkruan në anën tjetër gazeta Wall Street Journal.
Sipas BBC-së, në konferencën për media, Trump ka bërë përpjekje ta shndërrojë “katastrofën diplomatike” në vlerësim politik për veten.