E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

Shtypi gjerman për reformim të procesit të zgjerimit të BE-së

Pas jo-së ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në opinionin gjerman po kërkohen alternativa më të besueshme për zgjerimin e BE së.

Komentatorët e mediave kryesore opinionformuese janë të mendimit se Bashkimi Evropian me këtë shtyrje te re po e humb përfundimisht besueshmërinë e tij në Ballkan.

Keno Versek, në Spiegel Online (21.10.19),në analizën me titull ” Keine EU-Beitrittsgespräche für Albanien und Nordmazedonien: Demütigung aus Brüssel (Jo bisedime anëtarësimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: Shkurajim  nga Brukseli), konstaton  se me këtë “shkelje fjale”, BE-ja i hoqi vetes mundësinë që të ndërhyjë në mënyrë paqësuese dhe nxitëse në Ballkanin Perëndimor. Ai paralajmëron se tani mund të kthehen në normale shkeljet e disa premtimeve të tjera, të cilat deri tani kanë qenë tabu:

– Rifillimi i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës nën ombrellën e BE-së, mesa duket është hequr përfundimisht nga tryeza. Ai mund të bëhej nën ndikimin e dy të ngarkuarave të posaçëm të Shteteve të Bashkuara, Palmer dhe Grenell. Më e mundshme është që lufta diplomatike mes dy vendeve të intensifikohet.

– Skenari i “Shqipërisë së Madhe” – bashkimi afatgjatë i Shqipërisë dhe Kosovës – mund të zinte vend si një perspektivë reale afatgjatë politike.

– Në Bosnjë-Hercegovinë, përfaqësuesit politikë të kroatëve dhe sidomos të serbëve përreth Milorad Dodikut do ta vënë edhe më tej në dyshim shtetin bosnjak sikurse tani, dhe do të punojnë për të realizuar skenarë separatistë.

– Vendimi është një goditje e fortë për aktorët e shoqërisë civile të rajonit dhe një sinjal që i inkurajon sundimtarët e tipit të presidentit të Malit të Zi, MIlo Gjukanoviç, që të vijojnë edhe më intensivisht me korrupsionin dhe nepotizmin.

Kinse reforma për kinse anëtarësim

Në një editorial të publikuar në numrin e së mërkurës  (23.10.2019) të Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Balkan ade!” (Lamtumirë, Ballkan!), korrespondenti i kësaj gazete në Ballkan, Michael Martens, e thotë hapur se premtimi për anëtarësim po bëhet gjithë e më i pabesueshëm dhe kërkon një debat të hapur për perspektivën evropiane të premtuar në vitin 2003, në samitin e Selanikut, sepse sipas sondazheve as shumica e popullsisë së BE-së nuk dëshiron zgjerimin. Dhe mungesa e seriozitetit duket se është nga të dyja palët:

“Me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, ku së fundmi vërtet që u pa një zell i madh për reforma, për të tjerët vlen të thuhet. Qeveritë e vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen bëjnë sikur bëjnë reforma, dhe vendet e BE-së bëjnë sikur janë me të vërtetë të interesuar për një anëtarësim. Të dy nuk e kanë seriozisht.”

Më tej shtron analisti pyetjen se si do të vazhdojë më tej në këtë ardhmen.

“Ky manipulim i ndërsjellë mund të vazhdojë edhe ca kohë: Kinse reforma këtu e kinse qasje atje. Por do të ishte një humbje kohe për të dyja palët, shkruan Martens dhe kërkon: “Ka ardhur koha për një debat të ri për procesin e zgjerimit, a do të duhet të ripërtërihet, apo të zëvendësohet nga një politikë e re.” 

Mogherini dhe Hahn duke prezantuar konceptin e zgjerimit ne Bruksel , maj 2019 (picture-alliance/AP Photo/V. Mayo)
Federica Mogherini dhe Johannes Hahn duke prezantuar konceptin e zgjerimit ne Bruksel , maj 2019

 

Modele të reja

Andreas Ernst, korrespondent për Ballkanin i gazetës Neue Zürcher Zeitung (NZZ) në një artikull botuar të titulluar “Draußen vor der Tür” (Jashtë te pragu) botuar për gazetën gjermane “Das Parlament” (21.10.2019) , thotë se duhet diskutuar për modele të reja: “Ato duhet të nisin te ekonomia për të rritur kësisoj gradualisht standardin e jetesës derisa ai të afrohet me atë të BE-së duke parandaluar kështu largimin e të  kualifikuarve nga vendi.”  Ernst citon ekspertin e Evropës Juglindore të Fondacionit “Wissenschaft und Politik”, Dushan Reljiç, i cili propozon “që qysh sot vendet e Ballkanit Perëndimor që tani të përfitojnë nga fondet e strukturës dhe kohezionit të BE-së, që do të mundësonte edhe forcimin e infrastrukturës.”

 

Të fundit