Rruga e duhur për rindërtimin e Maqedonisë është me politikanë të ndershëm, të cilët do ta tejkalojnë veten e tyre, do të besojnë në të mirën e të gjithëve, do të punojnë për qytetarët e tyre, do të bëjnë reforma, do t’i harrojnë makinat e shtrenjta, restorantet luksoze, llogaritë e rrejshme të pagesave rrugore.
Autore: Katerina Topalova
Tronditja pas lajmit të keq nga Macron ka kaluar. Vazhdojmë të mbetemi të zemëruar, por edhe kjo do të kalojë pas uljes së parë të biletave nga Wizz air, kur fluturimi për në Paris do kushtojë 599 denarë dhe ne do të bëjmë selfie para Kullës Eiffel.
Java që shkoi ishte tronditëse dhe dinamike. Falje, takime, vendime. A kanë ide liderët tanë se si do ta udhëheqin vendin?
Zgjedhjet janë caktuar për 12 prill. Duke pasur parasysh që premtimet gjatë fushatave kanë qenë të njëjta ndër vite – do t’ju çojmë në BE, tani duket se ka ardhur koha të futet edhe ndonjë fjali e re në fjalimet e liderëve të partive.
Nëse të gjithë thonë se janë për BE, kush do të jetë në gjendje të shitet si një biletë për t’u anëtarësuar në BE?
LSDM për tre vjet planifikoi ta prezantonte veten si një parti që përqendrohej vetëm në një çështje – zgjidhja e mosmarrëveshjes me fqinjët e saj (që ishte një kafshatë e madhe) do ta çonte vendin në NATO dhe do të hapte dyert e Bashkimit Europian. Franca po ua prish llogaritë, por asnjë prej anëtarëve të qeverisë nuk ka dhënë dorëheqje. Kjo do të thotë që ky ekip beson se ka ende aftësi për të punuar në premtimin e tij. Pyetja është si? Në bindjet e para partizane në rrjetet sociale, vërehet vetëm përdorimi i fjalës Maqedoni, në vend të Maqedonia e Veriut. Retorika e demonizimit të opozitës mund të kalojë vetëm nëse ata do kishin shfaqur një politikë tjetër – pa nepotizëm, pa korrupsion, me shtetin e së drejtës. Tani? Mjegulla e dendur ka zbritur në rrugën e duhur!
VMRO-DPMNE, ndërkohë, pret që të gjitha mëkatet e tyre brenda tre vitesh të zhduken si me magji. Fakti që LSDM bëri shumë gabime nuk e bën opozitën më të mirë. Plagët janë ende të pashëruara nga qeverisja 11 vjeçare e kësaj partie, e cili gjithashtu nuk arriti të bindë Brukselin se ne tashmë ishim rritur për të qenë pjesë e shoqërisë së tyre. Mickoski do të rindërtojë Maqedoninë mbi kurrizin e Zaevit. Duke pështyrë gabimet e qeverisë, Maqedonia vetvetiu nuk do të rikuperohet. VMRO-DPMNE-ja e reformuar kurrë nuk dha një plan konkret se si planifikon të fusë vendin në BE dhe cilat janë garancitë e tyre. Çfarë është ajo që ata kanë tani dhe nuk e kishin tre vjet më parë? Pse Brukseli do t’i lejojë Mickoskit atë që ia ndaloi Zaevit?
Mitingjet e sehirxhinjve duhet t’i takojnë së kaluarës. Mbetet e nevojshme puna e ndershme dhe e mençur . Votuesit janë nënvlerësuar përgjatë gjithë viteve të kaluara. Revolta shprehet në forma të ndryshme, nga mos votimi, deri te protesta në rrugë dhe largimi nga shteti.
Rruga e duhur për rindërtimin e Maqedonisë është me politikanë të ndershëm, të cilët do ta tejkalojnë veten e tyre, do të besojnë në të mirën e të gjithëve, do të punojnë për qytetarët e tyre, do të bëjnë reforma, do t’i harrojnë makinat e shtrenjta, restorantet luksoze, llogaritë e rrejshme të pagesave rrugore. Punësimet familjare në administratën shtetërore, që do të ndëshkojnë të këqijtë pa marrë parasysh se cilës parti apo fe i përkasin. Tingëllon si diçka Skandinave, por jam i bindur që kjo është mënyra e vetme e duhur për të rindërtuar Maqedoninë!
A mundemi-PO! A duam? …..