E enjte, 12 Dhjetor, 2024

PAS KËRCËNIMIT NGA TRUMP, ERDOGAN PRANON ARMËPUSHIMIN

Presidenti Donald Trump tha të enjten se ishte kërcënimi i tij me sanksione ndaj Turqisë që e bëri vendin të binte dakord për një armëpushim pesëditor në luftimet me kurdët në Sirinë veriore, njofton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.

Ai i bëri komentet para gazetarëve në Fort Worth të Teksasit.

Lajmin për armëpushimin e njoftoi nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan.

Sipas marrëveshjes së arritur, dy aleatët e NATO-s, Turqia do t’i ndalë operacionet për pesë ditë, ndërsa tërhiqet nga rajoni përgjatë kufirit.

Pas bisedimeve që zgjatën katër orë, Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja kishte marrë atë që donte, por refuzoi ta quante armëpushim.

“Ne do të bëjmë një pauzë të operacionit Pranvera e Paqes, në mënyrë që PKK/YPG të largohet nga zona e sigurt. Ky nuk është armëpushim, sepse armëpushimet bëhen vetëm mes dy palëve legjjtime. Kur elementët terroristë të largohen krejtësisht nga zona e sigurt, atëherë mund ta ndalim operacionin”, tha ai në konferencë për shtyp.

Pence udhëtoi drej Ankarasë i shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarëve të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde.

Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson “të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike”. Përpara takimit në Ankara, Trump shprehej i bindur se Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit.

Të mërkurën, presidenti Trump ka bërë publike një letër, në të cilën ka kërcënuar Erdoganin, duke i kërkuar që të veprojë vetëm “në mënyrë njerëzore dhe të drejtë” në Siri.

Letra që Trump i ka dërguar Erdoganit është publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Letra që Trump i ka dërguar Erdoganit është publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Në letrën që ndonëse është publikuar më 16 tetor, i është nisur Erdoganit më 9 tetor, kur edhe ka nisur operacioni në Siri, Trump i ka thënë homologut të tij turk: “Mos u bë burrë i ashpër. Mos u bë torollak”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka dënuar vendimin e Trumpit për tërheqje të trupave, duke miratuar rezolutë për këtë çështje.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuese, Nancy Pelosi, senatori Chuck Schumer dhe lideri i Demokratëve në Senat, Steny Hoyer, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuese, Nancy Pelosi, senatori Chuck Schumer dhe lideri i Demokratëve në Senat, Steny Hoyer, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësja e këtij trupi, Nancy Pelosi ka thënë se kjo gjë e ka zemëruar Trumpin.

Ky disponim është vërejtur edhe në një takim me dyer të mbyllura që është zhvilluar më vonë mes Trumpit dhe ligjvënësve demokratë e atyre republikanë, të cilët kanë synuar të rishikojnë planet e presidentit për Sirinë.

Mirëpo agjencia e lajmeve, Reuters ka cituar disa ligjvënës demokratë të kenë thënë se takimi është kthyer në gjuhë ofenduese ndaj tyre.

Trump është raportuar t’i ketë thënë Pelosit “politikane e rendit të tretë”, dhe shumë shpejt ajo me disa demokratë janë larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Prej tërheqjes së trupave amerikane, kurdët janë bashkuar me forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe vendin e tij aleat, Rusinë, e cila ka dërguar forca patrulluese në veri të Sirisë.

Agjencia e lajmeve The Associated Press ka thënë se trupat siriane kanë hyrë në zonën Kobani, aty ku ushtria amerikane dhe luftëtarët kurdë janë bashkuar për herë të parë, me synim të mposhtjes së grupit ekstremist, Shteti Islamik, katër vjet më parë.

Të fundit