E diel, 13 Tetor, 2024

BRUKSELI JEP DATË PËR CAKTIMIN E DATËS PËR FILLIMIN E NEGOCIATAVE ME MAQEDONINË E VERIUT DHE SHQIPËRISË

Aspiratat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të presin. Me insistimin e palëkundur të Francës, caktimi i datës do të shtyhet deri për në muajin prill të vitit 2020. Deri atëherë Franca duhet të propozojë metodologjinë e re të zgjerimit, për të cilën bllokoi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kurse dy vendet aspirante duhet të plotësojnë parakushtet që ka nënvizuar presidenti francez Emanuel Macron, njofton KDP duke u thirrur në raportimin e mediave evropiane.

Siç shkruan Politico.eu, udhëheqësit e BE u përplasën në mesnatën e kaluar në një debat të tensionuar mbi dy vendet e vogla të Ballkanit, por në fund nuk ishin në gjendje të arrinin marrëveshje edhe për një deklaratë të paqartë duke ofruar inkurajim dhe duke shtyrë një vendim zyrtar.

MACRONI MBIZOTËROI LIDERËT TJERË

Presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi me forcë ecjen përpara në bisedimet e anëtarësimit dhe përfundimisht mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor.

Kryeministri Hollandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm që do të lejonte që bisedimet të fillonin me Maqedoninë e Veriut ndërsa detyronin Shqipërinë të priste, por në fund udhëheqësit gjithashtu nuk mund të bien dakord për ndarjen e dy vendeve nga ky proces.

Udhëheqësit e BE kishin ofruar perspektivën e anëtarësimit si një nxitje për Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur një mosmarrëveshje të gjatë me Greqinë, të cilën e bëri vitin e kaluar – pjesërisht duke ndryshuar emrin e vendit. Por në fund ato shpresa u prishën – të paktën tani për tani – duke lënë zyrtarët në Shkup, kryeqytet, të zemëruar dhe të zhgënjyer thellësisht.

Pasi ministrat e BE u përpoqën dhe nuk arritën të arrijnë një marrëveshje mbi çështjen e zgjerimit në një takim të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në fillim të kësaj jave, Tusk e vendosi çështjen në rendin e ditës për samitin e liderëve, duke shpresuar se do të bënte presion ndaj Macron.

Franca ka cituar arsyet procedurale për bllokimin e të dy vendeve, duke argumentuar se i gjithë sistemi i pranimit në BE ka nevojë për një rregullim. Por Parisi gjithashtu e ka të qartë pikëpamjen e tij se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë të gatshme të fillojnë procesin e anëtarësimit në BE. Përkrahësit e vendosjes së vendeve të Ballkanit në rrugën e anëtarësimit argumentuan se të dy kanë përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE dhe se besueshmëria e bllokut do të dëmtohet shumë, pasi ajo nuk arrin të përmbushë premtimet e saj.

RREGULLAT NUK NDRYSHOHEN NË MES TË LOJËS 

Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic deklaroi në Bruksel se rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të lojës, duke komentuar kërkesat për të ndryshuar metodologjinë e negociatave për anëtarësim në BE përpara se të miratohet fillimi i tyre me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Metodologjia e re e rishikuar e zgjerimit, sugjeruar kryesisht nga Franca, do të bëjë që të mbahet një qëndrim ndryshe ndaj negociatave që po zhvillohen nga Serbia dhe Mali i Zi dhe, ndoshta, edhe për ato që po zhvillohen nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kjo duhet diskutuar, por ndryshimi i rregullave në rrugë e sipër, nuk është gjë e mirë”, tha Plenkoviç para samitit të BE-së, njofton ATA.

”Takimi i krerëve të shteteve ose qeverive do të diskutojë një propozim për të caktuar një datë për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një dukuri e pazakontë, pasi zgjerimi zakonisht trajtohet në nivele më të ulëta, në nivel ambasadorësh ose, ndoshta, ministrash”, shtoi ai.

“Komisioni Europian rekomandoi shumë qartë hapjen e negociatave dhe se është koha e duhur. Ne besojmë se kjo është çështje besueshmërie e të gjithë procesit”, tha Plenkoviç duke përsëritur se Kroacia mbështet hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet.

A PO E HUMB BE-ja BESUESHMËRINË?

Bisedimet filluan rreth orës 19:00 të datës 17 tetor. Ato u zhvilluan pas dyerve të mbyllura, njofton REL.

Kjo është hera e parë që kjo çështje po diskutohet në nivelin më të lartë politik në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kishte vendosur ta përfshijë këtë në rendin e ditës të samitit pasi ministrat e Jashtëm të BE-së, nuk arritën të bien dakord për një dritë të gjelbërt për Shkupin dhe Tiranën, në fillim të kësaj jave.

“Kjo është një çështje me rëndësi strategjike për besueshmërinë e BE-së , jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe jashtë BE-së”, paralajmëroi një zyrtar i lartë evropian.

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se nuk ka asnjë sinjal se mund të merret një vendim për të hapur negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

“Më vjen shumë keq për këtë, pasi besoj se këto vende kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t’u afruar me BE-në dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme t’u jepet atyre një sinjal të qartë”, tha ajo.

Një vendim pozitiv kërkonte unanimitet në BE, dhe kjo ishte e pamundur për shkak të qëndrimit të fuqishëm të Francës, e cila kundërshton çdo vendim të zgjerimit, përpara se të rishikohet metodologja e gjithë procesit.

Diskutimi mbi zgjerimin e BE erdhi në fund të ditës së parë të një samiti të liderëve të Këshillit Evropian, në të cilin BE arriti një marrëveshje provuese për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga blloku. /KDP

Të fundit