E shtunë, 27 Korrik, 2024

PJO PËR BE

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Edhe pas takimit të mbrëmshëm mes Presidentit francez, Makron dhe kancelares gjermane Merkel, qëndrimi i izoluar francez për bllokimin e hapjes së negociatave mes Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk pati ndryshim. Insistimi francez për ndryshim të metodologjisë së negocimit rrezikon të kthehet në një bumerang destruktiv për politikat progresive në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht kundrejt Maqedonisë së Veriut e cila është në prag të anëtarësimit në NATO, një proces i cili shqetëson posaçërisht Rusinë, e cila disa herë radhazi ka shprehur hapur kundërshtimin e saj. 

Siç duket, lideri i Francës është kapur peng nga politika e brendshme dhe rivalitetin e tij kundrejt Gjermanisë për dominimin e agjendës dhe politikës evropiane e përdor për të rritur rejtingun e ulët që e gëzon në Francë dhe si një kundërpeshë për të amortizuar të djathtën ekstreme të Marine Le Pen. Nervozizmi i Makronit mund të shihet edhe nga prizmi i refuzimit të propozimit për Komisionere të Sylvie Goulard, e cila pësoi një disfatë në komisionet e brendshme për tregti dhe industri në Parlamentin Evropian me 82 vota kundër dhe 26 vota në favor të saj. Këtë dështim presidenca franceze e quajti ‘’viktimë e lojërave politike’’, megjithëse  Sylvie Goulard ishte propozim kontrovers për shkak të akuzave për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës së saj si anëtare e Parlamentit Evropian.

Nga kjo perspektivë, ngrihen dyshime se qëndrimi i izoluar i Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është parimor por thjeshtë një pazar politik përbrenda Bashkimit Evropian. Duke ditur peshën e Gjermanisë në vendimmarrjen brenda Unionit dhe vendimin e Bundestagut gjerman në favor të negociatave, këmbëngulja e Makronit është një taktikë për të kërkuar koncesion për interesat e tij të ngushta dhe jo si një këmbëngulje e sinqertë për të reformuar Bashkimin Evropian. Por, cila është kostoja e PO-së dhe JO-së që do duhet ta paguajmë ne si qytetarë të këtyre shteteve dhe si do të ndikojnë ato në politikën rajonale? 

PO për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – Pavarësisht metodologjisë për negocim, hapja e negociatave do të thotë konfirmim i reformave të nisura dhe atyre që duhet të bëhen në të ardhmen. Megjithëse reformat e ndërmarra kanë dështimet e tyre, është fakt i pamohueshëm që të dy qeveritë kanë investuar kapitalin e tyre politik për avancimin e agjendës integruese, respektivisht në kthimin e saj si prioritet qeveritar. Hapja e negociatave do të rriste edhe më tepër presionin mbi qeveritë për të thelluar, përshpejtuar dhe implementuar këto reforma. Impakti kryesor do të ishte në konfirmimin e perspektivës për këta dy vende; e në përkthim kjo do të thotë shpresë e cila do të nxiste zhvillimin ekonomik dhe të zbuste migrimin sistematik të qytetarëve, një kundërargument për argumentin të cilin e theksoi fuqishëm presidenti Makron në favor të qëndrimit të tij. Në aspektin politik, ky skenar do të forconte forcat progresive të cilat angazhohen për evropianizimin e shoqërive dhe do të vështirësonte pozicionet e forcave regresive dhe eurosketpticiste.

PO për Maqedoninë e Veriut, JO për Shqipërinë – Megjithëse ky skenar është një nga më të mundshmit, edhe pse mund të vijë përmes ‘’zgjidhjeve kreative’’ të cilat shpesh janë konsensus për të kënaqur të gjitha palët, sërish vjen me rreziqe të mëdha. Lënia jashtë e Shqipërisë është kuptuar shumë më mirë nga vendet e rajonit si Greqia dhe Bullgaria, të cilat janë më të vetëdijshme për dinamikat rajonale, andaj dhe këmbëngulja e tyre për pako të përbashkët është po aq e fortë sa vendosmëria e Francës për moshapjen e negociatave dhe kërkesa e pakushtëzuar e Holandës për ndarjen e tyre. Shqipëria përveç që është një nga shtetet më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor, ajo është edhe lidhje sentimentale, kulturore dhe historike për shumë qytetar të shteteve me të cilat kufizohet. Ideja dhe kërkesa për bashkim kombëtar të shqiptarëve u zëvendësua përmes idesë së bashkimit të madh në BE si qytetar evropian dhe dështimi për të realizuar atë mund të nxis ringjalljen e ideve të vjetra. Kjo, natyrisht që do të ndikoj në stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor vis-a-vis të Bashkimit Evropian. 

JO për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – të vetmin rezultat që ky skenar garanton është paparashikueshmëria. Ky do të ishte një konfirmim i rrezikshëm i tezave konspirative të euroskeptikëve dhe të gjitha forcave tjera regresive dhe revizioniste të cilat historikisht kanë minuar demokratizimin dhe evropianizimin e Ballkanit Perëndimor. Dështimi për të konfirmuar perspektivën evropiane do të vriste edhe atë pak shpresë që ka mbetur tek qytetarët e këtyre vendeve ndërsa do të minonte, zhgënjente dhe dekurajonte të gjithë aktorët relevant që përpiqen për të ndërtuar një shoqëri demokratike mbi vlerat evropiane, duke hapur shteg të sigurt për të gjitha opsionet tjera konkuruese të demokracisë dhe Bashkimit Evropian. 

Është fakt që fajtorët kryesor duhet të kërkohen brenda politikës tonë për paaftësinë, mungesën e seriozitetit dhe dështimit për të ndërtuar demokraci funksionale. Askush nuk guxon ti amnistoj politikanët tanë, institucionet e dobëta dhe politikat e mbrapshta në favor të politikanëve dhe kurriz të qytetarëve. Por ama, moshapja e negociatave do të heq nga duart tona një instrument jetik për të rritur presionin dhe për të kërkuar më shumë nga qeveritarët tanë, duke u mbyllur në një spirale të rrezikshme të ‘’lojës së fajtorit’’. Të tjerat, janë një enigmë që do duhet ta zbuloj e ardhmja dhe ndoshta edhe një herë të përsëritet historia e një France që nuk ishte në anën tonë. 

 

Të fundit