E premte, 26 Korrik, 2024

Të gjithë duhet të tërhiqen, por më shumë Opozita!

Nga Ben Andoni

Në një problem mes palëve gjithnjë kyçi i zgjidhjes vjen kur gjendet fillimisht rrafshi i përbashkët nga ku do të fillohet shqyrtimi. Ky koncept filozofik i njohur është nga më të vështirët të përtypet nga zyrtarët shqiptarë. Dhe, provë për këtë është Reforma Zgjedhore. Ajo po shikohet si prioritet i Opozitës, pas vërejtjeve të OSBE/ODHIR për zgjedhjet e fundit, e duket se është mundësia që lideri i saj po përdor të futet realisht në sistem. Lulzim Basha e artikulon kudo dhe këto janë shenjat më të afërta të normalitetit që ai ka përfaqësuar në muajt e fundit.

Në fakt, nuk është aq e thjeshtë në praktikë: Opozita insiston për zgjedhje të parakohshme që duhet t’i menaxhojë një Qeveri Teknike, kurse Maxhoranca tregon afatin kushtetues dhe normalitetin. Problemi ndahet në tresh, kur flitet për sistemin. Opozita e mënjanon sepse thotë se ai nuk është në raportet e OSBE/ODHIR; Maxhoranca mëton se duhet një konsensus, por duket se edhe ajo lëkundet; kurse një pjesë e Opozitës së Parlamentit mendon se është një sistem, i cili duhet të jetë proporcional kombëtar me lista të hapura, që do ishte më konkurrues dhe do kërkonte kandidatë më të pavarur më të mirë dhe më përfaqësues ndaj popullit, duke cituar znj. Hajdari. Për të dy palët qëndron frika para “të fortëve”, një fjalë e cila të kujton uzurpimin e shumë personazheve të plotfuqishëm në bazë dhe aftësinë e tyre për manipulime.

Ndërkohë ditët ikin dhe Reforma Zgjedhore, e cila duhet të marrë jetë deri në fund të vitit, sipas parashikimeve të OSBE ODHIR, duket se është e vështirë për t’u realizuar. Palët po presin vendimin për Hapjen e Negociatave dhe pastaj për përdorjen e saj, pozitivisht apo negativ, varësisht interesave politikë.

Në 29 vite në Shqipëri llogariten plot 13 reforma, ndër 17 lloje zgjedhjesh. Në Legjislacionin Zgjedhor është ndërhyrë kaq shumë saqë proceset zgjedhore në disa aspekte duken ende me natyrë thjesht eksperimentale dhe shfaqin probleme kudo, që reflektohen pastaj në akuzat e deri në përplasjet fatale mes palëve.

Gjithsesi Reformën Zgjedhore, PD-ja po e përdor si kalin e saj të betejës për rregullimin e imazhit pas daljes së vullnetshme nga sistemi, qoftë edhe pas thirrjeve të gjithë palëve të huaja për të mos vepruar. Ndërsa problemi më i madh duket se është nga Pozita e cila duhet të manovrojë mes dy palëve të Opozitës, asaj zyrtare në Parlament dhe asaj më të fuqishme por që është jashtë saj. Duket se të gjitha palët duhet të tërhiqen pas, por më së shumti kjo i takon Opozitës, pasi Maxhoranca me cinizmin e saj dhe ofertat e vazhdueshme mund të justifikohet për momentin. Është e vështirë, por është shërbimi që Opozita i ka elektoratit të saj, si edhe një predispozitë që do e lehtësojë Pozitën të gjykojë realisht për të hapur udhë për Zgjedhje të Parakohshme. Të paktën, kjo u duk nga deklaratat zyrtare të kreut të PD-së me Ambasadoren Glover dhe mëtimin e tij për Reformën Zgjedhore. (Javanews)

Të fundit