Kur ecën nëpër rrugicat e Parisit gjithçka në atmosferë të flet për të mirat e jetës. Aty lindi moda, shampanja, u zhvillua arti, u përsos shija. Dritaret janë të mëdha, ndërsa shtëpitë nuk kanë pse të duhen me hapësirë. Ti e shijon gjithçka në kafene dhe restorante.
Mjafton thjesht të thuash Paris, dhe magjia është aty. Të shohësh arkitekturën unike e perfekte, dritaret shpesh me lule, rrugët e pastra, të ndjesh aromën e mirë të bukës, apo croissant-it në mëngjes dhe shijen e hollë të një gotë vere në mbrëmje.
Megjithatë çdokush e njeh këtë qytet për të tillë ajo që të ngacmon është respekti që Franca ka për historinë dhe figurat e saj. Në kompleksin e pallateve Les Invalides, ka një qetësi solemne. Rrethuar nga muzeume dhe monumente, të gjitha të lidhura me historinë ushtarake të Francës, apo një kishë e madhe, më e larta në Paris me një kupolë prej 107 metrash, me varret e disa nga heronjve më të mëdhenj të Francës, më i njohuri Napoleon Bonaparte.
Përveç tij, hiri i një numëri të konsiderueshëm të personaliteteve franceze është këtu, si i biri i Napoleonit, l’Aiglon mbreti i Romës, vëllezërit e tij, Joseph dhe Jerome Bonaparte, gjeneralët Bertrant dhe Duroc etj. Ndërsa pak më tutje, Obelisku të cilin ai e solli si triumf nga Egjipti zë vend krenar në sheshin më të madh të Parisit, La Concorde. Francezët sot mburren ende për kodin dhe ligjet e tij, për të të kujtuar gjithmonë që ata janë vendi i lirisë dhe demokracisë.
Në Muzeun e Armëve, gjithçka tjetër të flet për fuqinë, e pushtetin. Për luftërat, humbjet e fitoret. Duke të lënë të kuptosh se asgjë e madhe nuk mund të arrihet lehtësisht. Se ashtu si Napoleoni kishte premtuar, ushtarët e Francës meritojnë të kthehen në vendin e tyre, vetëm duke kaluar poshtë Harkut të Triumfit.
Kur sheh Hotel le Crillon, menjëherë e lidh me faktin që kjo godinë historike, ka shërbyer si shtëpi e Mbretit Luigji I XVI dhe Mbretëreshës Marie Antoinette. Dhe po këtu përballë në sheshin La Concorde, atyre ju pre koka në gijotinë, përgjatë Revolucionit Francez, në vitin 1793. Megjithatë ‘Requiem in C minor’ nga Luigi Cherubini e shkruar më 1816, u bë për nder të kujtimit të tij.
Vështirë mos të lenë shenjë fjalët e Paul Valery, të shkruara me gërma ari në Trocadero, në Pallais de Chaillot të Parisit kushtuar të rënëve në betejë.
Varet nga ty udhëtar që kalon këtu
Nëse do më quash varr apo thesar
Nëse unë flas apo rri i heshtur varet vetëm nga ty
Miku im, mos hyr këtu nëse nuk ke dëshirë.
Historia bën çmos për të nderuar emrat e mëdhenj të saj. Për Molierin ka një shatërvan sëbashku me monumentin e tij, në kryqëzimin e rrugëve Moliere dhe de Richelieu. Së bashku me një nënshkrim, i pari për në monument përkujtimor kushtuar një figure jo ushtarake në Francë.
Nga ana tjetër mund të flasësh për varrezat e Pere Lachaise, ndoshta më të veçantat në botë. Shtëpinë muze të Victor Hugo në Place des Vosges, një arkitekturë e mrekullueshme. Po ashtu të ruajtura me kujdes e fanatizëm ndaj origjinales kafet historike Les Deux Magot dhe le Flore në Saint Germain des Pres. Aty ku shkruanin Heminguei, Sartre, Simone de Beauvoir…
Ky Paris këtë vjeshtë më bëri të mendoj për historinë, për respektin e figurave të së shkuarës, për respektin ndaj dinjitetit njerëzor, për çmuarjen e vlerave, për krenarinë që mbarin ato.
Nga e gjitha kjo më shkundi zhurma e lajmit më të rëndësishëm 10 tetorit. Ora 13:00, çmimin Nobel në letërsi e kishte marrë shkrimtari austriak Peter Handke. Në Parisin gri të asaj dite edhe gjykimin e këtij vendimi serish e lidha me historinë. Vetëm koha është ajo që i vendos në sitë ngjarjet dhe emrat. Dhe aty për aty më erdhi sërish në mend Sartre, që e refuzoi këtë çmim.
Kujtimi i fundit që më vjen ndërmend është nxitimi për në aeroport, sëbashku me të edhe shoferi i taksisë, Skander quhej, një francez me origjinë pakistaneze. Tha që vërtet kishte një origjinë pakistaneze, por e kishte për krenari ta quante veten francez. Po flas si francez tha; ndërkohë po më tregonte se si në tërësi propaganda punonte kundër njerëzve me ngjyrë dhe myslimanëve. Para disa ditësh u vranë katër vetë dhe ekzekutori u cilësua si mysliman, vetëm se kishte një lëkurë të zeshkët, por në fakt nuk ishte i tillë. Gjithë java kaloi duke u marrë me të, kështu humbi vëmendja nga probleme më të rëndësishmë. Pastaj më pyeti nga isha:
Shqipëria i thashë. Aha, vendi i makinave të shtrenjta dhe krimit-ma priti. Kam parë mjaft reportazhe për këtë.
Jo, jo nuk është e vërtetë-i thashë. Është e gjitha propagandë, si kjo qe sapo më përmende. Nuk foli.
Jetona Koçibelli
/TCH