E premte, 26 Korrik, 2024

Në pritje të datës

Fillimisht, (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) duhet të jenë serioze karshi procesit, sepse përfundimisht BE nuk do të jetë tolerante si në rastet e mëhershme dhe e dyta, duhet të menaxhohen pritshmëritë e qytetarëve dhe t’u shpjegohet se ky proces do të jetë sfidues dhe i gjatë.

Autor: Sefer Selimi Jr.

Siç po afron data e 15 Tetorit, gjegjësisht 17 Tetorit, dita kur duhet të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, gjithnjë e më shumë rritet ankthi nga rezultati që do të del nga mbledhja e Këshillit Evropian.

Letra e përbashkët e udhëheqësve kryesorë të institucioneve të BE-së ku kërkonin qartësisht caktimin e datës për të dy shtetet, rriti shpresën për një rezultat pozitiv, por pozicioni ende i paqartë dhe hezitimi i disa shteteve për të thënë PO-në përfundimtare lë hapësirë për shqetësim tek këto dy vende kandidate.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut shanset duken më reale për të pasur një datë të qartë për fillimin e negociatave, apo njohur ndryshe si mbledhja e parë ndërqeveritare. Sipas gjitha gjasave, kjo do të ndodhë gjatë presidencës kroate, diku në fund të Marsit ose në fillim të Prillit vitin e ardhshëm. Në rastin e Shqipërisë, gjërat janë më komplekse për shkak të krizës së brendshme politike në të cilën kalon vendi dhe me shumë gjasë, fillimi i negociatave do të jetë i kushtëzuar e madje edhe pa datë të përcaktuar qartësisht.

Është pothuajse e sigurt që procesi i negociatave do të pësojë ndryshime nga metodologjia e deritanishme dhe do të jetë dukshëm më rigoroz duke përfshirë afatizime të qarta, objektiva specifike dhe ndërlidhje mes kapitujve në dinamikën e hapjes dhe mbylljes së kapitujve të rinj.

Kjo, në radhë të parë për të zbutur rezistencën e disa prej shteteve anëtare të cilat nuk janë të kënaqura nga situata aktuale dhe e dyta, nga mësimet e nxjerrura nga procesi aktual i negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi të cilat nuk janë duke prodhuar rezultate të kënaqshme, posaçërisht në sferën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Dinamikat e brendshme – Për Maqedoninë e Veriut, në këtë moment dinamikat e brendshme janë më të favorshme duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e reformave janë bërë pjesë e legjislacionit vendor, ndërkaq që implementimi i tyre vazhdon të kaloj në sfida të ndryshme. Rreziku më i madh vjen nga frika e rikthimit tek politikat nacionaliste dhe sabotimi i marrëveshjeve të arritura me Greqinë dhe Bullgarinë.

Për Shqipërinë, gjërat janë shumë më komplekse për shkak të krizës së brendshme politike dhe 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu Gjerman që kanë të bëjnë kryesisht me ringritjen e institucioneve më të larta gjyqësore dhe funksionalizimi i atyre që dalin nga reforma në drejtësi, por edhe me rezultate konkrete nga lufta kundër korrupsionit.

Dinamikat rajonale – Në praktikën e deritanishme, zgjerimi i BE-së është bërë në ‘’pako’’ rajonale duke i pranuar shtetet në bllok. Pikërisht këtu qëndron ngërçi i dallimeve mes disa prej shteteve anëtare më të rëndësishme të Unionit. Përderisa një pjesë insistojnë në qasje individuale kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pjesa tjetër insiston që hapja e negociatave të bëhet me të dy shtetet njëkohësisht, për të ruajtur dinamikat rajonale dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo e fundit mbështet fuqishëm nga dy shtetet fqinje Bullgaria dhe Greqia.

Kapitulli i sfidës – Edhe pse java tjetër mund të sjell lajme pozitive për Maqedoninë e Veriut dhe/ose Shqipërinë, negociatat për anëtarësim do të jenë tejet të vështira dhe me gjasë të gjata.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ato që i hapën dyert e integrimit do të jenë edhe pengesat më serioze për kapërcim. Në Kapitullin e fundit, kapitull që përfshin të gjitha aspektet tjera që nuk janë në kapitujt standard të negocimit do të integrohen pikat nga të dy marrëveshjet e nënshkruara me Bullgarinë dhe Greqinë.

Që të dy qeveritë e këtyre shteteve edhe pse mbështesin fuqishëm hapjen e negociatave kanë dërguar kërcënime serioze drejt Shkupit me përdorim të vetos, në rast se Maqedonia e Veriut nuk u përmbahet të njëjtave.

Le të shpresojmë që fillimi i negociatave do të filloj përfundimisht pas shumë viteve pritje, por qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të përgjegjshme në dy aspekte.

Fillimisht, duhet të jenë serioze karshi procesit, sepse përfundimisht BE nuk do të jetë tolerante si në rastet e mëhershme dhe e dyta, duhet të menaxhohen pritshmëritë e qytetarëve dhe t’u shpjegohet se ky proces do të jetë sfidues dhe i gjatë. Kjo e fundit është e rëndësishme për të evituar dëshpërimin që mund të rris fluksin edhe ashtu të madh të largimit të qytetarëve nga vendi. /KDP

Të fundit