E martë, 10 Dhjetor, 2024

MUNGESA E KLIMËS PËR BIZNES, SI TË DILET NGA QORRSOKAKU?

Sipas Bankës Botërore Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit do të shënojë një rritje ekonomike nga 2.9 në 3.1 përqind. Ekspertët pajtohen me këtë parashikim, por theksojnë anomalitë e shumta që duhet të korrigjohen, sidomos klima e biznesit. Opozita thotë se kjo është rritja më e vogël në rajon.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë dy shtetet e rajonit që kanë shënuar rritje ekonomike për këtë vit. Kështu thotë raporti i Bankës Botërore i prezantuar këtyre ditëve për vendet e rajonit,sipas të cilit Maqedonia e Veriut deri në fund të vitit do të ketë rritje nga 2.9 përqind në 3.1 përqind. Vlerësimet e Bankës Botërore janë mbështetur edhe nga OEMVP dhe njohësit e çështjeve ekonomike në vend. Ata vlersojnë se deri në fund të vitit do të kemi arritjet e parashikuara. Por, ata shprehen se, në Maqedoninë e Veriut mungon klima e të bërit biznes. Banka Botërore njëkohësisht ka bërë vërejtje në pjesën e rritjes së pagës minimale të cilat konsistojnë në faktin se rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me rritjen e produktivitetit, përndryshe ekonomia do të përballet me ulje të produktivitetit në planin afatmesëm. Profesori universitar, Besnik Fetau, mbështet vërejtjet e BB në këtë drejtim. Ai shprehet se është kundër rritjes së pagës minimale pa punë, pasi sipas tij një gjë e tillë sjellë inflacion. Ai thekson se kompanitë vetë duhet të rrisin pagat. “Është me rëndësi që kompania të rritë pagën minimale duke pasur parasyshë produktivitetin e punëtorëve. Sa më produktiv që janë aq më tepër pagat do të jenë më të larta dhe kjo është e shëndetshme. Nuk është e shëndetshme, një punëtori që nuk është produktiv t’i rritet paga”, thekson Fetau.

Nga OEMVP vlerësojnë se në Maqedonin e Veriut mungon klima e të bërit biznes. Sipas përfaqësuesve të kësaj ode problemi kryesor në këtë drejtim është drejtësia selektive. “Kemi problem me drejtësinë selektive, apo me zbatimin selektiv të ligjeve. Nuk mund rregulla të njëjta të vlejnë ndryshe për Tetovën ndryshe për Probishtipin. Ne jemi idhëtar të asaj se në Maedoni duhet të ketë shtet të së drejtës dhe zbatim adekuat të legjislacionit. Klima e biznesit duhet të shihet nga aspekti se si disa rregullativa apo zgjidhje ligjore mund të ndikojnë në vendosjen e kompanive të ndryshme apo sektorëve industrial në pozitë më të favorshme në raport me industri të tjera”, thekson drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Problemi i zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut jo njëherë ka qenë pjesë e përplasjeve të partive në pushtet dhe në opozitë. LSDM-ja qeveritare gjatë tërë kohës ka theksuar se vendi është në drejtimin e duhur të zhvillimit ekonomik ndërkohë që VMRO-DPMNE ka theksuar se me qeverinë e kryeministrit Zaev, ekonomia ka rënie të vazhdueshme. Kjo parti ka raguar edhe ndaj vlerësimeve të të fundit të Bankës Botërore.

Në një njoftimi të VMRO-DPMNE-së thuhet se “në situatë kur Banka Botërore jep prognozë për rritjet ekonomike rajonale me rreth 4 përqin dhe më shumë, ekonomia e Maqedonisë ka rritje diku 3 përqind”. Sipas tyre, ekonomia e Maqedonisë nuk mund ta arrijë as mesatare e Ballkanit e të mos përmendet mesatarja evropiane. “Zoran Zaev nga opozita premtonte rritje nga 5 deri 7 përqind dhe në këto tri vite që kur është në pushtet, as për së afërmi nuk i afrohet”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Përndryshe, nga Banka Botërore rekomanduan që pushteti duhet pasur kujdes në sistemin arsimor, prodhimi i personelit të nevojshëm në tregun e punës, sundimi i ligjit, dhe trajtimi i migracionit të popullatës. Sipas Bankës Botërore, ekonomia e Maqedonisë së Veriut, , deri në fund të vitit do të rritet për 3.1 për qind, përqindje me të cilat rishikohet norma e parashikuar paraprakisht e rritjes për 2.9 për qind.

Të fundit