E martë, 10 Dhjetor, 2024

ZIGZAG: SHPËTIMTARËT DHE TYXHARËT

S’ka për t’ma zënë për të madhe Flaka (Surroi) që po ia ‘vjedh’ këtë titull të para dy vjetëve: Isha këto ditë në Prishtinë dhe, njëmend realiteti atje, deri të dielën, nga shumë miq më ofrohej si pasojë e veprimit të ‘tyxharëve’ të deritashëm që do merrnin goditje nga ‘shpëtimtarët’ e sotëm! Aspak për t’u habitur, por një këndellje e përafërt, në kafene-çajtoret tona, qoftë në Shkup, Tetovë apo edhe Gostivar e Strugë,pse jo edhe në Tiranë, u vu re edhe këtë fillim-javë: (h)opozitarët tanë nisën të thonë se si presin që ‘Albini të vijë’ edhe këtej, edhe andej! Një gjë nuk e pranojnë, ndonëse them se e dijnë: (H)opozitarët harrojnë opozitarizmin shumëvjeçar të Albinit e besa edhe të Vjosës!…

Autor: Seladin Xhezairi     

1.Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme paralamentare në Kosovë duket se e bënë ndryshimin: Mënyra se si u zhvilluan, si po pranohen rezultatet, edhe nga ndërkombëtarët, u mor si një yrnek për gjithë Ballkanin Perendimor dhe veçmas për hapësirat tona. Ndërsa paralajmërohet një dyndje diplomatike perendimore në Prishtinë, në pritje të arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy forcat fituese që çuan në opozitë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nimsën Socialdemokrate dhe Partinë Socialdemokrate, kujtoj se miku im Naim Rashiti, e tha shkurt e shqip, në një status të tij në FB, duke folur për gamën e problemeve e sfidave  që e presin pushtetin e ri kosovar. Ai shkruan: ‘Qeverinë Kurti-Osmani e pret një agjendë e ngarkuar, për nga nga numri i temave dhe pesha e tyre. Qeveria e Isa Mustafës (2014-2017) kishte mbështetje të madhe ndërkombëtare, por jo mbështetjen e qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Ramush Haradinaj (2017-2019) kishte mbështetje popullore por nuk siguroi mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare. Qeveria e Kurtit duhet t’i sigurojë të dyja nëse dëshiron të qeverisë katër vite’. Dyshja Kurti-Osmani, pa pikë dyshimi, bëhet gati të pranojë ‘gështenjat dhe patatet e nxehta’ që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi. Kurti mbase me pozicionimin e tij do të duhej ta përgënjeshtrojë median kroate se pas fitores së tij në Prishtinë, në Beograd presidenti i atjeshëm Aleksandar Vuçiq – ‘kishte fërkuar duart’! Rikujtojmë: fjala është për tarifat doganore, për një marrëveshje Kosovë-Serbi që nuk është e thënë se nuk mund të përfshirjë edhe skenarin e ‘dhembshëm’ të, le të mos përdor ndonjë fjalë të madhe, ripërvijimit të kufirit dypalësh!        

  1. Në Shkup, ndërkaq, duket se gjithçka po shkon drejt ndezjes së motorrëve për një fushatë parazgjedhore (pranverë-vjeshtën e ardhshme) dhe nishanet për këtë vijnë, jo nga kërkesat e opozitës, por nga përplasjet e partnerëve të koalicionit qeverisës (LSDM-BDI). Nuk mendoj se kjo duket përmes reagimit ndaj mendimit të paralajmëruar (këshilldhënës) të Komisionit të Venecias, sa për fërkimet, ta zëmë, për shkollën e Idrizovës, zënkën Shilegov-Bexheti, po edhe ndërtimet e egra në nahinë e Ohrit. I bie erë zgjedhjesh: ju kujtohet ai rrëfimi për tufën e dhenëve dhe ujkun që, zakonisht, don mjegull? Pajtohem: ne nuk jemi dhenë! Si kishte thënë ai i moçmi: m’ka djegur tambli e tash po i fryej edhe kosit! Hong Kongu më nuk është koloni britanike!

3.Nuk dija si t’i përgjigjem një dostit tim që më zuri gafil teksa po flisnim për gjeopolitikën dhe një ri-depërtim të Turqisë në Evropën Juglindore. Duke marrë si shkas vizitën e Reccep Tayyip Erdoganit në Beograd, ai nuk e fshehte se do të dëshironte që me të njëjtën tajfë të vinte edhe në Shkup, Prishtinë apo Tiranë dhe, të shpaloste treguesit ekonomiko-financiarë që, sipas tij, aktualisht na qenkan në favor të Serbisë. Për të joshur kërshërinë, jo vetëm timen, kujtoj, iu rreka një kërkimi të shkurtër. Me pak fjalë, sipas të dhënave statistikore, nga viti 1997 e deri më 2017 në Maqedoni kanë hyrë 252.3 milion euro, investime turke. Në Shqipëri, vëllimi i investimeve  turke shkon në tre mliardë dollar dhe aktualisht atje veprojnë 435 kompani. Aktiviteti I tyre kryesisht lidhet me energjinë, bankat, telekomunikacionin, minierat, infrastrukturën, shërbime kontraktuese, aviacionin civil dhe arsimin. Vëllimi ynë tregtar është rreth 520 milionë dolarë. 

Sipas medias në Beograd, nga viti 2010, investimet turke në Serbi kapin shumën prej 135.1 milion eurosh. Në këtë vend veprojnë 515 kompani turke që veprimtarinë e vet e shtrijnë kryesisht në industrinë automobilistike, të tekstileve dhe atë ushqimore. Serbia thotë se Turqia është donator i saj i madh. Deri tani asaj i janë akorduar gjithsej 48.8 milion dollarë ndihmë zhvillimore, shumica prej të cilave përmes Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Bashkërendim – Tika.

Këto janë të dhënat kokëforta që flasin për cilësinë e lidhjeve. Harrova: dostit tim ia përmenda edhe sa e sa xhami të ngritura gjithandej hapësirave tona me lirat turke, ndërsa ai, s’di se pse, nga celulari, më lëshoi Ilir Shaqirin me Poçarin e të madhit Dritëro Agolli:

‘…Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: “Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psherëtiu si unë: “Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Nejse, mirë e ka poeti, fjala shqipe s’blihet në Pazar. Për tregtarët e tyxharët thuhet se nuk mbajnë llogari as për fe e as për atëdhe. Pastaj, Serbia nuk është se e ka problemin e ‘gylenistëve’ e as të shkollave që pohohet të jenë të tyre, këtej mes nesh, në këto hapësira!

 

 

Të fundit