E hënë, 11 Nëntor, 2024

Kush flet në emër të LDK-së? Dhe cila është tani detyra primare e Albin Kurtit?

Janë mbi 195 mijë votues të LDK-së dhe këta duan përgjigje si më tutje, por përgjigje duan prej partisë, kryetarit, Këshillit të Përgjithshëm – jo prej personave privatë të paautorizuar. Tash ka ardhur momenti i së vërtetës. Dhe në momentin e së vërtetës flasin ata që kanë marrë mandat nga partia dhe populli dhe jo tezet, hallat, bashkëshortet, dashnorët, poseduesit e një profili në Facebook.

LDK ka kryetar, nënkryetarë, Këshill të Përgjithshëm – këto janë institucionet që duhet të flasin dhe jo të heshtin pas zgjedhjeve. Strukja pas fjalisë se «po i presim rezultatet zgjedhore» shkakton vetëm huti në opinion. Sepse gjasat nuk janë të mëdha që të ketë përmbysje të rezultatit. LDK nuk duhet ta krijojë përshtypjen në opinion se nuk ka respekt për votuesit e saj. Janë mbi 195 mijë votues, nuk janë pak dhe këta duan përgjigje, por prej partisë, jo prej personave privatë të paautorizuar. LDK duhet të analizojë rezultatin dhe të shohë se cilat kanë qenë gabimet eventuale në fushatë?

Një ndër gabimet e mëdha strategjike ishte ky: tallja që Lutfi Haziri përpiqej t’ia bënte Albin Kurtit duke e quajtur Mister Bean. Sa herë që Haziri ka bërë këtë krahasim, Kurtit i është shtuar përkrahja. A e ka bërë këtë me a pa qëllim Haziri? Ndoshta merret vesh një ditë. Sidoqoftë, rezultati fluturues i VV-së në Gjilan flet shumë.

Në përgjithësi LDK e pagoi çmimin e aleancave të mëhershme me PDK-në. Shumë mbështetës të LDK-së sikur janë të traumatizuar dhe nga frika se LDK prapë i nënshtrohet PDK-së kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse nuk janë përkrahës të VV-së. «Do ta votoja LDK-në, por tutem që ata shkojnë prapë me PDK» – kjo ka qenë fjalia që kanë thënë shpesh votuesit që me vite kanë qenë besnik dhe kjo besnikëri u tyre u luhat shumë kur madje edhe Hashim Thaçin e bënë president.

LDK duhet të flasë si parti dhe të tregojë se çka dëshiron? Tolerancë ndaj vazhdimit të kapjes së shtetit apo krijim të shtetit funksional? Luftim të korrupsionit apo tolerancë ndaj korrupsionit? Koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje apo aventura për devijim të vullnetit politik për ndryshim? Krijim të besueshmërisë te votuesit apo dëshpërim të votuesve?

Një parti që sillet sikur nuk di çka të bëjë me rezultatin, ajo parti i dëbon përkrahësit. Këtë nuk e bën asnjë parti normale. LDK nuk duhet të krijojë përshtypjen se është parti që, pas rezultatit zgjedhor, nuk di përgjigje. Dallimi në vota me VV-në është i ngushtë, rrjedhimisht të dy partitë në qeveri do të mund të hynin si partnerë absolutisht të barabartë.

Këtë duhet ta kuptojë edhe Lëvizja Vetëvendosje pasi të kthjellohet nga dalldia e fitores (relative). Detyrë primare e Albin Kurtit tani nuk është të sillet sikur është kryeministër i zgjedhur. Detyrë primare e Albin Kurtit është lidhja e koalicionit me LDK-në, jo deklaratat në televizione të Shqipërisë se do t’i bashkojmë Akademitë e Shkencave, sepse së pari kjo nuk është punë e tij (akademitë kanë autonomi e kuvende dhe ato vendosin vetë dhe jo me urdhër politik, mund ta pyesni edhe Mehmet Krajën për këtë punë e ju tregon!) Fundja, krejt retorika e bashkimit ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë popullizëm. Ia vlen t’i pyesim pak këta baballarët e Tiranës: a e rrezikoni anëtarësimin në NATO për hir të parullave për bashkim? Përgjigja nuk do të jetë befasuese për askënd. Së dyti duhet ditur se VV i ka 31 deputetë (që është numër impozant), ama nuk i ka 61. Farkëtimi i aleancave është arti i vërtetë i politikës. Këtu duhet të japin kontribut të dy palët. Deri më tani VV dhe Albin Kurti personalisht kanë qenë më të sinqertë në raport me LDK-në, e cila është sjellë me pavendosmëri e paqartësi për shkak të fraksioneve, por edhe frikës së një koalicion antikrim e antikorrupsion mund të përvëlojë edhe ndokënd që ka kullotur mirë nën strehën e LDK-së.

Tash ka ardhur momenti i së vërtetës: po ose jo? Nuk ka përgjigje tjetër, nuk ka taktizime, nuk ka arsyetime. Andaj, në momentin e së vërtetës flasin ata që kanë marrë mandat nga partia dhe populli dhe jo tezet, hallat, bashkëshortet, dashnorët, poseduesit e një profili në Facebook. Këtë nuk duhet ta lejojë një parti serioze. Dhe LDK ka qenë e tillë në pjesën më të madhe të historisë së saj. Duhet të jetë edhe tani. Arroganca pa përmbajtje mund të jetë fatale.

Të fundit