Kosova ka votuar ndryshimin. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë treguar perfomancë politike mobilizuese, për dallim nga fushatat skematike të partive në pushtet. Gjithë procesi zgjedhor ka reflektuar një vetëdije dhe kulturë të konsoliduar politike dhe demokratike. Partitë në pushtet me korrektësi e kanë pranuar humbjen. Faza paszgjedhore do të jetë një test për kapacitet koalicionuese të partive fituese opozitare.
Autor: Bardhyl Zaimi
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë sjellë ndryshimin në skenën politike atje. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga sondazhet paraprake, partitë opizitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur që të fitojnë numrin më të madh të votave. Fituese e këtyre zgjedhjeve sipas rezultateve të KQZ -së së Kosovës është partia e Albin Kurtit, ndërsa e dyta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy subjekte politike kanë fituar më shumë se gjysmën e votave në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ndërkohë që rezultati mes tyre është i ngushtë në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kandidatët për postin e kryeministrit Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, bashkë me ekipet e tyre, kanë treguar një perfomancë ndryshe gjatë kësaj fushate, e cila ka rezultuar me këtë rezultat zgjedhor. Është vërejtur një ndryshim në diskursin politik të Albin Kurtit, por edhe një fleksibilitet më i madh politik, pa u larguar ndërkohë nga trajektorja e tij ideologjike, nga konsekuenca e ideve të tij fillimtare, e cila është pasuruar ndërkohë edhe me konecpte tjera të luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe shanseve të barabarta.
Kurti ka zhvilluar një fushatë atipike, thellësisht jokonvencionale, të motivuar dhe të hapur, por gjithnjë duke e ruajtur esencën e tij ideologjike fillimtare parimore për të gjitha çështjet që janë ngritur në debat në Kosovë. Një dimension tjetër i fitores, me gjasë i dedikohet edhe sloganit mobilizues ”Erdhi dita” lehtësisht i akceptueshëm si pritje politike, si moment ndryshimi.
Një perfomancë politike të ngjashme ka treguar edhe kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila gjithashtu ka promovuar një diskurs të moderuar, motivues dhe mobilizues njëkohësisht. Në fakt, Vjosa Osmani, është parë si “freski” dhe obsion fitues në LDK-në shpeshherë të lodhur dhe të përçarë. Ky rezultat i kësaj partie duket se vjen pikërisht nga figura kohezive dhe moderne Vjosa Osmanit, e cila gjatë fushatës ka rrezatuar energji politike, vizion dhe besueshmëri te elektorati tradicional i LDK-së.
Por, duket se fitorja e partive opozitare nuk vjen vetëm për shkak të kësaj performance diskurzive dhe politike, vetëm për shkak të vizionit që ato kanë shpaluar. Ky ndryshim duket se ka në sfond edhe një element tjetër, atë të partive të pushtetit, praktikat e keqeverisjes të detektuara dhe të artikuluara nga partitë opozitare, Ky aspekt, por edhe fushata skematike dhe pa nerv, pa ndonjë vizion tejkalimi të vetvetes, duket se ka qenë vendimtare për këtë rezultat zgjedhor. Me gjasë rënia e PDK-së dhe AAK-së kishte ndodhur që më herët, diku në realitetin e pakënaqësisë së qytetarëve të Kosovës mbi keqmenaxhimin disavjeçarë, që tashmë nuk mund të mos mbetej i pandëshkuar nga vota e qytetarëve.
Duket se të vetëdijshëm për këtë humbje paraprake, dy liderët e partive në pushtet, Kadri Vejseli dhe Ramush Haradinaj, me një korrektësi politike kanë pranuar rezultatin zgjedhor, gjegjësisht humbjen e partive të tyre në këto zgjedhje. Kadri ka theksuar shkurt se partia e tij ka humbur dhe se ”shkon në opozitë”.
Edhe kandidati i AAK-PSD, për Kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i tij për t’ja kthyer sovranit vendimmarrjen, u vërtetua dhe ishte veprim i drejtë. ”Gara e drejt dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim”, ka theksuar Haredinaj.
Për më tepër, gjithë procesi zgjedhor ka qenë i qetë dhe me një debat përmbajtësor mbi të ardhmen e Kosovës. Partitë politike kanë demostruar një kulturë debati, ndërkohë që qytetarët e Kosovës kanë treguar pjekuri politike dhe demokratike. Të qetë, demokratik dhe pa probleme të mëdha e ka vlerësuar procesin zgjedhor edhe kreu i OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu në një deklaratë për Euronews Albania .
Pavarësisht nga rezultatet, gjithë procesi zgjedhor, që nga fillimi i fushatës zgjedhore dhe deri tek pranimi korrekt i rezultateve nga partitë humbëse, tregon për një kulturë tashmë të konsoliduar demokratike në Kosovë, për një pjekuri politike që iu adresohet partive politike, por mbi të gjitha qytetarëve të Kosovës, që treguan vetëdije të lartë demokratike.
Sigurisht, jo gjithçka përfundon me rezultatin zgjedhor. Duke pasur parasysh pikërisht këto rezultate, duket se periudha paszgjedhore, ajo e krijimit të shumicës parlamentare dhe e krijimit të qeverisë do të jetë me shumë të panjohura edhe pse paraprakisht partitë fituese opozitare kanë deklaruar se një koalicion mes tyre është i mundshëm. Vota e zgjedhjeve të parakohshme e imponon një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, ndërkohë që nuk dihet dhe mund të parashikohet se cili koncept në cilin do të shkrihet gjatë këtij koalicionimi. Pikërisht dallimet konceptuale të theksuara edhe nga vetë kandidatët gjatë fushatës mund të shihen si një sfidë e vështirë për koalicionim mes këtyre du subjekteve, përkundër faktit që në programmet e tyre ka shumë pika të përbashkëta.
Periudha paszgjedhore me gjasë do të testojë edhe kapacitet koalicionuese të partisë fituese LVV dhe LDK-së, e cila renditet e dyta me një rezultat shumë të ngushtë. Vlerësohet se procesi krijimi e qeverisë do të zgjasë, ndërkohë që një rrethanë lehtësuese mbetet fakti që lideri i PDK-së, Vejseli tashmë e ka deklaruar kalimin në opozitë të partisë së tij. Kjo duket se i shton gjasat për një koalicionim mes partisë së Kurtit dhe LDK-së. Sidoqoftë, duket se shumë matematika politike dhe ideologjike paszgjedhore do të jenë në kombinim.