E shtunë, 27 Korrik, 2024

FITORJA E KURTIT – “TËRMET” EDHE NË MAQEDONINË E VERIUT

Fitorja e partive opozitare në Kosovë, LVV dhe LDK pritet të reflektojë në të gjitha hapësirat shqiptare. Sipas analistëve ky reflektim pritet të ketë ndikim edhe në Maedoni, por do të varet nga pjekuria e bartësve politikë. Një ndikim tjetër shihet edhe në mundësinë e etablimit të brezit të ri politik, ndërkohë që kjo fitore është parë edhe në kontekst të luftimit të politikanëve të korruptuar në rajon.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e fundit treguan pjekuri të lartë të qytetarisë dhe qasje shumë të fortë ndaj rrjedhave të demokracisë, vlersojnë analistët. Ata shprehen se rezultatet do të reflektojnë në tërë hapësirat shqiptare, ndërkohë që sipas tyre po vjen era ndryshime.  

Analisti Ilir Luma thotë se tashmë do ketë ndikim në rrjedhat politike edhe tek kampusi politik shqiptarë këtu në Maqedoni. “Do të ketë ndikim në rrjedhat politke edhe tek kampusi politik shqiptarë këtu në Maqedoni. A do të kenë mundësi ata të bëjnë ndonjë ndikim të madh në këtë drejtim nuk e di, sepse për të ecë rrjedhat politike në mënyrë demokratike dhe për t’i dhënë shanse demokracisë që të jetë funksionale varet edhe nga pjekuria politike e vetë bartësve politik , këtu në RMV”, thotë Luma. 

Njohësi i çështjeve politike, Qenan Aliu, vlerëson se rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë pritet të reflektojnë edhe në rajon. Sipas tij, do të ketë ndikim në aspektin shpirtëror të etablimit të resurseve dhe kuadrove të reja shqiptare në të gjitha trevat. “Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të bëjnë të mundur zhvillimin e spirales për etablimin e politikanëve dhe brezit të ri në skenën politike në të gjitha trevat shqiptare. Mendoj se këto resurse kadrovike të reja do të ndikojnë në aspektin shpirtëror të etablimit të resurseve dhe kuadrove të reja shqiptare kudo që ka toka shqiptare”, thotë Aliu. 

Ish ambasadori dhe kandidati për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Verit, Blerim Reka, ka theksuar se 6 tetori do t’i prishë edhe aleanca rajonale të krimit. Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Fejsbuk”, Reka ka vlerësuar se, korrupsioni është bërë kërcënim gjeostrategjik, dhe negociatat për mbylljen e këtij kërcënimi në Ballkan, nuk mund t’i udhëheqin politikanët e korruptuar. “ Orteku i ndryshimeve “ Kur vjet shkruaja, se “orteku i pandalshëm anti-korruptiv në Ballkan”, do filloj nga Kosova; shumica qeshnin. Po aq edhe kur thoja se Albin Kurti, do i udhëheq negociatat finale me Beogradin. Ndërkohë, SHBA-të proklamuan luftën globale kundër korrupsionit – si prioritet të politikës së jashtme – e në prag të zgjedhjeve porositën: “mos i votoni të korruptuarit”, duke kërkuar: “ide të reja pë dialogun: Kosovë- Serbi”. Aq e thjeshtë sa s’ bëhet: korrupsioni u bë kërcënim gjeostrategjik, e negociatat për mbylljen e këtij kërcënimi në Ballkan, nuk mund t’i udhëheqin politikanët e korruptuar. Por, 6 tetori, do i prish edhe aleancat rajonale të krimit. Orteku post-korruptiv, sapo e filloi rokullisjen nga Prishtina. Nuk dihet, ku do ndale”, ka shkruar Reka, njëherit edhe profesor universitar i diplomacisë. 

Zgjedhjet e djeshme në Kosovë treguan se edhe në vendet tjera në Ballkan ndryshimet janë të dëshiruara dhe po ndodhin, ka theksuar euroambasadori Samuel Zhbogar, i cili gjithashtu ka theksuar se rruga për zgjidhjen e kontestit në mes Serbisë dhe Kosovës kalon përmes Maqedonisë. 

“Njerëzit shprehën dëshirën për ndryshim. Ndryshimet vijnë në rajon. Mendoj se kjo marrëveshje vërtetë paraqet motivim optimist – po, ne mundemi, rajoni mundet. Për marrëveshjet e ardhshme që do të jenë të nevojshme, dua të them një fjali që më pëlqen – Rruga Kosovë-Serbi kalon përmes Shkupit. Kjo do të thotë se suksesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, jo plotësisht, por megjithatë varet nga përgjigja që javën e ardhshme Bashkimi Evropian do t’ia japë vendit”, ka theksuar Zhbogar. Zgjedhjet në Kosovë dhe rezultati i tyre, janë trajtuar gjerësisht edhe nga mediat prestigjioze ndërkombëtare që e vendosin theksin te përmbysja e madhe dhe triumfi i opozitës.

Të fundit