E hënë, 7 Tetor, 2024

Schengeni, Vishegradi dhe Novi-Sadi

Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore do të nënshkruajnë aspiratat për treg të përbashkët. Si tutje me një ide lehtë të thyeshme?

Autor: Veton Surroi

1.

Thuhet (si edhe për shumë rrëfime të tjera anekdotale që mund të jenë apo jo të vërteta) se ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, dikur të ketë deklaruar se nëse nuk do ta zgjidhësh një problem atëherë formo për të një komision punues. Komisioni do të konsumojë kohë e energji për aq sa të harrohet se për çka ishte problemi, e rrugës mund të krijojë probleme të reja (kush e udhëheq, rregullorja e punës, financimi e kështu me radhë).

Ka nja dy dhjetëvjetësh, e ndoshta më shumë, që vendin e komisionit anekdotal në Ballkanin Perëndimor e zë një ide, e cila merr emërtime të ndryshme e tash së fundmi mbërrin në media si “mini-Shengeni ballkanik”. Pra, në këta njëzet vjetët e fundit, së paku, në mënyrë rituale çdoherë që u hyhet vlerësimeve se regjioni po shkon tejet ngadalë drejt integrimeve evropiane, del ideja e krijimit të liberalizimit tregtar në regjion. Në formë të thjeshtësuar, del në pah pyetja, si mund të kërkojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në tregun e përbashkët evropian ndërkohë që nuk kanë krijuar të njëjtat lehtësi qarkullimi (të katër lirive: të qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave) mes vete?

Rrjedhimisht, del ritualisht receta: duhet formuar një organizim për bashkëpunim më të mirë regjional. Dhe kështu, u bënë mbi dy dhjetëvjetësh. Ende e mbaj mend herën e parë kur pata dëgjuar një gjë të tillë, menjëherë pas Marrëveshjes së Daytonit, kur një diplomat dëshirëmirë amerikan shtynte idenë e një procesi të bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe në pyetjen time se si do t’ia bënte me këtë bashkëpunim Kosova e okupuar nga Serbia, shpjegonte se ishte një gjë e vështirë porse disi tregtia e lirë e gjen në fund rrugën për zgjidhje.

Në vend të tregtisë së lirë, zgjidhjen u detyrua ta gjente NATO-ja.

2.

Javën e ardhshme, në Novi-Sad të Serbisë do të fillojë përpjekja e radhës për të shtyrë përpara bashkëpunimin regjional. Dallimi i kësaj here është se projekti është më ambicioz dhe nuk është produkt aq i një laboratori diplomatik sa në masë të madhe fryt i iniciativës nga regjioni. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të jetë nikoqir i kryeministrave të Shqipërisë, Rama, dhe të Maqedonisë Veriore, Zaev, për të filluar projektin e tregut të përbashkët fillimisht mes këtyre vendeve që pastaj pritet t’i përfshijë edhe të tria vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Malin e Zi, BeH dhe Kosovën.

Ideja është që në Novi-Sad të jepet pëlqimi politik që të tria vendet nënshkruese t’i hapin tregjet e veta në frymën e katër lirive evropiane dhe që kështu, sipas të gjitha analizave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të krijojnë përpjesëtimisht me rritjen e tregut rritjen e nevojshme të ndërmarrësisë.

Ideja është po ashtu që, në formë të butë, të kuptohet se ky do të jetë projekti i ri politik pas mossuksesit të projektit të kaluar që e shihte Serbinë në anëtarësim të shpejtuar më 2025, me të cilin, si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt, BeH do të dilte nga jofunksionaliteti dhe Kosova nuk do të ishte më shtet i kontestuar nga jashtë dhe i kapur nga brenda.

BE-ja në ditët vijuese, dhe nëse gjërat ecin sipas shpresave në Komisionin Evropian, do të japë shenjat e përkrahjes për këtë iniciativë të Novi-Sadit jo vetëm si iniciativë, por si mundësi të jetë projekti i radhës i BE-së për regjionin. Pra, nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor duan që të integrohen në BE, duhet fillimisht të integrohen mes vete. Çdokush që do të donte ta kontestonte këtë logjikë të politikës së re do të konfrontohej me një përgjigje tashmë të përgatitur: këtë e bënë para aderimit në BE dhe si pjesë e lehtësimit të rrugës së aderimit vendet e Vishegradit (Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia).

3.

Problemi, natyrisht, është që përpjekja e paralajmëruar në Novi-Sad nuk ka analogji me Schengenin e as me Vishegradin. Emërtimi “mini-Shengen ballkanik” është krejtësisht i pavend, sepse Marrëveshja e Schengenit ka të bëjë me krijimin e një zone të qarkullimit të lirë me unifikim të procedurave hyrëse në të. Dhe kjo Marrëveshje u bë shumë vjet pasi që ishte krijuar bashkimi ekonomik i shteteve të BE-së.

Të tria vendet do të diskutojnë, në fakt, se si t’i liberalizojnë tregjet e tyre ashtu siç bënë shtetet e Vishegradit. Por këtu analogjia ndërpritet, sepse shtetet e Vishegradit nuk kishin çështje të pazgjidhura politike mes vete. Madje, i vetmi problem politik që u shfaq qe zhbërja e Çekosllovakisë, por kjo gjë u zgjidh me anëtarësimin e Çekisë dhe Sllovakisë njëkohësisht si vende trashëgimtare. Për dallim prej Vishegradit, në Novi-Sad nuk do të jetë e pranishme Republika e Kosovës, shtet i kontestuar nga Serbia, e pa të cilin nuk ka integrim regjional.

Nëse nuk është as “Schengen” e as “Vishegrad”, çka është ajo që pretendon të jetë “Novi-Sadi”? Ideja ka dy emërtues të përbashkët konceptualë. Një, “Novi-Sadi” duhet të jetë zëvendësues i përkohshëm dhe njëkohësisht ndihmues për mungesë të shpejtësisë në procesin e integrimit evropian. Pra, përderisa të mos gjendet një rrugë e shpejtuar që e reformon Bashkimin Evropian, regjioni duhet të “ushtrojë integrime” mes vete, dhe kjo i bën mirë regjionit, siç u dëshmua me “Vishegradin”. Dhe dy, korniza e integrimit ekonomik regjional do të ndihmojë arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Në një kontekst të “katër lirive” evropiane – thotë kjo logjikë – është më e lehtë marrëveshja që më në fund e integron në këtë hapësirë shtetin e Kosovës si anëtar i barabartë.

4.

Procesi që pretendohet të fillohet në Novi-Sad është shumë lehtë i thyeshëm.

Presidentit Vuçiq mund t’i thuhet se Marrëveshje të tregtisë së lirë ka tashmë (në formën e CEFTA-s), por kjo nuk zgjidhi problemin mes Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, Serbia që gëzoi treg të papenguar në Kosovë nuk shkoi duke zgjidhur problemin me Kosovën, por duke e ndërlikuar atë.

Kryeministrit Rama mund t’i thuhet se ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk ka ndërmarrës të Shqipërisë a të Kosovës që do të konsiderojë se mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Nëse nuk bëka mes Shqipërisë e Kosovës, si bëka mes Shqipërisë e Serbisë?

Dhe BE-së mund t’i shtrohet pyetja se ku do të hyjë “Novi-Sadi” në vistrën e gjerë të Iniciativës për këtë e Iniciativës për atë – që të gjitha në kontekst të integrimit regjional? Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe po të mos kishin gjë tjetër për të bërë në shtetet e tyre, nuk do të kishin kohë të mjaftueshme për të përcjellë çdo Iniciativë për këtë dhe Iniciativë për atë të Evropës Juglindore.

5.

Përparësia e “Novi-Sadit” mund të jetë mu te disavantazhet. Fakti se duhet shpenzuar kohë për të treguar me cilat mangësi po fillon ky proces, tregon paradoksalisht se ekziston terreni për një ide të re. Dhe se ky terren po fillon të mbushet me këtë të “Novi-Sadit” që, ndonëse shumë e lëndueshme, ka gjasa të ndërtohet më tutje, posaçërisht ngase do të dalë si ideja e parë “shtëpiake” që do t’i drejtohet BE-së nga ana e regjionit.

Për politikanët e regjionit është sinjal – sfidë për inkuadrim në konkurrencën e ideve që mund të jenë më të mira.

Të fundit