Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën një sinjal mirëpritjeje nga Bundestagu gjerman në 27 shtator, kur deputetët gjermanë me shumicë të madhe votuan për të mbështetur fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për dy vendet e Ballkanit.
Autor: Sinisa Jakov Marusic (BIRN) Shkup*
Sinjali nga Berlini ka rritur shanset se skeptikët e zgjerimit të BE-së si Franca dhe Holanda do të zbusin kundërshtimin e tyre në mbledhjen e Këshillit Europian të caktuar për 17-18 tetor, thonë ekspertët.
Me më pak se tre javë para këtij takimi të rëndësishëm, vëzhguesit thonë se të dy vendeve aspirantë u ka mbetur pak kohë për të përmirësuar qëndrimin e tyre mbi të metat e tyre më të rëndësishme, sidomos mbi sundimin e ligjit, gjyqësorin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Tani u mbetet vetëm të shpresojnë që lojtarët kryesorë të BE-së do të bien dakord për një rezultat pozitiv.
Ata gjithashtu thonë se lënia jashtë e Shqipërisë për shkak të qëndrimit të saj të keq në luftën kundër krimit – dhe dhënia e një date fillimi vetëm për Maqedoninë e Veriut – është një skenar i pamundur.
Të gjithë sytë nga Franca dhe Holanda
Me një sinjal pozitiv nga Berlini, të gjithë sytë tani janë drejtuar nga Franca dhe Holanda, dy vendet më skeptike për zgjerimin e BE-së, edhe pse për arsye të ndryshme.
Franca nën drejtimin e Emmanuel Macron është shfaqur si kundërshtarja më e madhe e zgjerimit, me presidentin francez që shprehet se zgjerimi i mëtutjeshëm në këtë moment do ta shpërqendronte BE-në nga reformat e rëndësishme të brendshme.
Holanda është përqendruar më shumë në shqetësimet e saj në lidhje me rezultatet e dobëta të Shqipërisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Parlamenti i saj miratoi një rezolutë kundër dhënies së një date për fillimin e bisedimeve në qershor për Shqipërinë.
Tani shtrohet pyetja nëse francezët dhe holandezët do të heqin dorë nga kundërshtimet e tyre.
James Ker-Lindsay, një profesor në Shkollën e Ekonomisë në Londër dhe një ekspert për Ballkanin dhe BE-në, tha për BIRN se BE-ja nuk mund t’i lejojë vetes ta vonojë më shumë këtë çështje, pavarësisht se Brukseli ka shumë çështje në tryezë.
“Fillimisht u shty nga viti i kaluar. Pastaj në qershor të këtij viti, liderët e BE-së vendosën t’i kthehen kësaj teme në tetor. Nuk mendoj se mund ta vonojnë vendimin edhe njëherë tjetër. Kjo do të merrej si një shenjë besimi të keq, në mos edhe si diçka e dyshimtë, nga të dy vendet,” tha Ker-Lindsay.
Ai mendon se argumentet franceze nuk kanë shumë kuptim, pasi bisedimet e zgjerimit do të zgjasin për një kohë të gjatë dhe nuk do të pengojnë reformat e rëndësishme të BE-së.
“Edhe nëse bisedimet fillojnë këtë vit me të dy vendet, asnjë nga të dy vendet nuk do të mund t’i bashkohet BE-së para vitit 2030,” vuri në dukje ai.
“Edhe nën skenarin më optimist, Maqedonisë së Veriut me siguri do t’i duheshin shtatë ose tetë vjet për të përfunduar procesin. Për më tepër, nuk ka asnjë arsye të mundshme pse procesi i anëtarësimit nuk mund të shkojë paralel me reformën e BE-së.”
Por Ker-Lindsay druhet se qëndrimi i Holandës për Shqipërinë mund të rezonojë me vende të tjera skeptike.
“Shqetësimi për situatën atje është i qartë. Megjithatë, unë besoj se mënyra më e mirë për të ndihmuar në sigurimin e reformave në Shqipëri që do të ndihmojnë në përpjekjet për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin është fillimi i procesit të pranimit në BE,” tha ai.
Ndërsa Holanda ka qenë e rezervuar në deklaratat e saj publike të kohëve të fundit, vendimi i parlamentit gjerman më 27 shtator dukej se po rezononte pozitivisht me ambasadorin francez në Maqedoninë e Veriut, Christian Thimonier.
Në një deklaratë të bërë pas vendimit të Bundestagut, Thimonier shprehu një optimizëm të jashtëzakonshëm, duke u thënë gazetarëve se vendi “po pret një dritë jeshile nga presidenti ynë (Macron)”.
Ai shtoi: “Ne ndajmë shumë gjëra në lidhje me këtë temë me partnerët tanë gjermanë. Kemi një qëndrim pozitiv në lidhje me vendin tuaj dhe të gjitha përpjekjet që vendi bëri në nivelin rajonal. Ne francezët dhe gjermanët e dimë shumë mirë se duhet vërtet shumë punë që reformat në letër të bëhen realitet.
“Ne do të bëjmë një koktej të mirë midis realitetit dhe pritshmërive,” përfundoi ai.
Shqipëria mund të dëmtojë shanset e Maqedonisë së Veriut
Loïc Tregoures, profesor i shkencave politike në Universitetin Katolik të Lille, tha se pavarësisht mangësive të saj, Maqedonia e Veriut shihet në një dritë më pozitive sesa Shqipëria midis vendeve anëtare të BE-së.
Kjo i detyrohet shumë nënshkrimit të saj të një traktati miqësie me Bullgarinë fqinje në 2017 dhe marrëveshjes me Greqinë fqinje në vitin 2018 në lidhje me çështjen e emrit të vendit. “Një dritë jeshile për Shkupin është pothuajse e sigurt,” argumentoi ai.
Ai tha se e njëjta gjë nuk mund të thuhej për Tiranën. “Shqipëria vuan nga një imazh shumë i keq që shkon përtej reformave që qeveria e saj do të zbatonte apo jo. Mund të jetë e padrejtë, por ky është realiteti,” tha ai për BIRN.
Por Tregoures mendon se rezoluta gjermane e Bundestagut gjerman mund të shihet si një shabllon për atë që mund të bihet dakord në Këshillin Europian.
Rezoluta gjermane ishte “një kompromis brenda koalicionit qeverisës gjerman dhe një përpjekje për të bindur vendet e tjera anëtare si Franca ose Holanda që të mos e bllokojnë Shqipërinë,” tha Tregoures.
Ai u shpreh se ky model mund të jetë i pranueshëm për skeptikët e zgjerimit, “pasi kushtet e vendosura përpara se t’i jepet një dritë jeshile Tiranës janë mjaft të forta për të shtyrë për më vonë bisedimet e pranimit, nëse nuk del asgjë pozitive në muajt e ardhshëm”.
Megjithatë, procesi i brendshëm politik në Holandë, i cili kalon përmes parlamentit, është më i ndërlikuar sesa në Francë, “ku qeveria e merr direkt vendimin”, shpjegoi Tregoures.
Simonida Kacarska, drejtuese e Institutit të Politikave Europiane në Shkup, një OJQ, e sheh atmosferën aktuale si pozitive, por paralajmëron se nuk ka garanci se çfarë do të ndodhë në mbledhjen e Këshillit Europian.
Ashtu si Tregoures, ajo thotë se edhe pse të dy vendet konsiderohen pjesë e një “pakete” të zgjerimit, problemet me Shqipërinë nuk duhet të jenë pengesë për Maqedoninë e Veriut, pasi “rezolutat e Komisionit Europian për të dy vendet janë të ndara dhe japin hapësirë të mjaftueshme për dallim” .
Çështja është se çfarë do të ndodhë në skenarin e pagjasë, kur Franca dhe Holanda bien dakord të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë.
Ker-Lindsay mendon se Gjermania dhe Komisioni Europian nuk kanë gjasa ta pranojnë një ndarje të tillë. “Mund të ketë një efekt shumë negativ, jo vetëm mbi Shqipërinë, por edhe në Kosovë. Kjo gjë mund të shihet si një shembull paragjykimi anti-shqiptar,” vazhdoi ai.
“Kjo është një situatë e vështirë dhe delikate,” shtoi ai. “BE-së i bën më shumë punë të hapë negociatat me të dy vendet. Megjithatë, nëse bisedimet mund të hapen vetëm me njëri prej tyre, do të ishte shumë e padrejtë nëse Maqedonisë së Veriut do t’i mohohej shansi për të filluar negociatat,” vazhdoi ai.
Në rrezik besimi në integritetin e BE-së
Tregoures tha se tani për tani, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të bëjnë shumë për të përmirësuar pozicionin e tyre në një periudhë kaq të shkurtër të mbetur para takimit. “Ky vendim do të jetë në dorë të vendeve anëtare të BE-së,” tha ai.
Ker-Lindsay shtoi se nëse BE-ja i refuzon të dy vendet, ose vonon më tej një vendim, ka gjasa të dëmtojë qëllimet afatgjata të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Parandalimi i procesit të negociatave madje mund t’i përkeqësojë gjërat, pasi do t’u sinjalizojë liderëve rajonalë se nuk ka asnjë kuptim që madje të përpiqen të fillojnë reformat,” vuri re ai.
“Fillimi i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut është një çështje nderi për BE-në,” vazhdoi ai. “Vendi arriti një zgjidhje me Greqinë për çështjen e emrit për të lehtësuar pranimin e tij në BE. Do të ishte shumë e padrejtë, pasi bënë këtë, që tani të përballeshin me një tjetër refuzim.”
“Çdo vonesë e mëtejshme për Maqedoninë e Veriut gjithashtu do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për kredibilitetin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të dëmtonte gjithashtu përpjekjet e BE-së për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tjera në rajon, siç është ajo Kosovë-Serbi, dhe situatën politike në Bosnjë. Shumë do të shprehësin se BE-së s’mund t’ia kesh besën.”
*Sinisa Jakov Marusic është gazetar i BIRN në Shkup. Që nga viti 2007 ai ka mbuluar ngjarjet politike, sociale, dhe ekonomike në Maqedoni, në mënyrë të veçantë ato të lidhura me drejtësinë tranzicionale. Përpara se ti bashkohej BIRN, Marusic ka punuar si gazetar në të përditshmen Maqedonase Spic dhe në televizionin publik Maqedonas