E shtunë, 27 Korrik, 2024

NËN “HIJEN” E HARRESËS POLITIKE 

 Paradoksalisht, politika ka “prodhuar” një mjedis të disfavorshëm për vendosjen e drejtësisë, e cila në të shumtën e rasteve është “bluar” në kontekste të caktuara politike, në emër të të cilave më pas proceset gjyqësore ndaj atyre që e kanë gërryer sistemin kanë përfunduar në një lloj banaliteti, ashtu siç e definon Hanna Arendt, në librin e saj “Eichmann-i në Jerusalem: një raport mbi banalitetin e së keqes”. Ky banalitet pastaj është përvijuar si logjikë procedimi, duke krijuar kështu parakushtet për kulturën e mosndëshkimit dhe harresën politike, si një fenomen që do të përsëritet gjatë tërë periudhës së tranzicionit dhe aktualisht.

Autor: Bardhyl Zaimi

Politika në Maqedoninë e Veriut ka kohë që rrotullohet rreth boshit të vetë. Edhe ato pak gjëra të mira që kanë ndodhur mbajnë vulën e protagonistëve të shoqërisë civile, të shpirtrave të pavarur dhe trysnisë së mediave  dhe shumë pak të politikës, e cila për më tepër ka qenë e detyruar të lëviz në kordinatat e imponuara nga dinamikat e pritjeve të qytetarëve. Sheshi i politikës gjatë tërë kohës ka vuajtur mungesën e ideve dhe koncepteve moderne nëpërmjet të cilave do të nxitej një ndjeshmëri tjetër institucionale dhe publike që në epiqendër do të kishte realitet e shumta, problematikat e panumërta që shfaqen në horizontin e debatit dhe të kundërshtive të përhershme.

E ngurtësuar në logjikë partiake dhe e fokusuar gjithnjë në mbijetesë për “jetë a vdekje”, ky lloj i politikbërjes nuk ka mundur të tejkalojë format parake të qeverisjes, të perceptimit banal të pushtetit dhe të afishimit në hapësirën publike të militantizmit ideologjik si formë për të ruajtur një vazhdimësi shterpe që prodhon vetëm moslëvizje. Gjatë tërë kohës në skenën publike janë improvizuar zgjidhje aksidentale, që kanë siguruar një ” rehati” të përkohshme, por që më pas si grumbullime aksidentale janë shfaqur me gjithë potencën e rrënimit të normalitetit institucional.

Me pak përjashtime, me pak momente kthjelltësie, skena politike në Maqedoni e Veriut ka vazhduar të prodhojë antagonizma kotësie, të cilat gjithnjë janë shfrytëzuar si “substancë” për mobilizime elektorale vetëm për zgjedhje, ndërkohë që më pas është vazhduar me avaze të vjetra, më ndërvarësi elitash dhe me vese oligarkish që me shumë fije kanë qenë të lidhura me fuqinë e pushtetit. Voluntarizmi politik gjithmonë i ka kaluar caqet e zgjidhjeve të drejta sistemore, e zgjidhjeve që nëkuptojnë procedime të bazuara në dije dhe në teori që janë përputhshmëri me problematikat që shfaqen.

Edhe gjatë periudhës së qeverisjeve të kalauara, por edhe gjatë kësaj qeverisjeje me një lehtësi të padurueshme është keqpërdorur një kontekst pak më i gjerë dhe pak më jetik i krijuar në funksion të zgjidhjeve nga bashkësia ndërkombëtare të problemeve të shtresëzuara, të cilat kanë ardhur si ngërçe historiko-politike nga perudha e kaluar, gjegjësisht nga periudha e ish sistemit. Pikërisht në emër të këtyre angazhimeve elitat politike, duke u njëjtësuar me këto kontekste kanë keqpërdorur më pas pozicionin e tyre qeverisës. Janë përvjedhur me shumë papërgjegjësi nëpër këto angazhime, duke stimuluar voluntarizëm politik në qeverisje dhe duke sforcuar praktika partiake në pushtet, përkundër proklamimeve për interes publik dhe praktika të mirëqena për gjithë qytetarët.

Një simbiozë e këtyre angazhimeve të kontekstualizuara është vërejtur edhe gjatë kësaj qeverisjeje, e cila në emër të një pajtimi të madh dhe në emër të një interesi gjeostrategjik ka falur kebërës të pushtetit të kaluar, për të cilët tashmë ishte ngritur padi për një rast eklatant të dhunës të ushtruar në 27 prillin e përgjakshëm. Pavarësisht nga intepretimet dhe justifikimet që tashmë janë bërë në publik nga përfaqësues të pushtetit, pikërisht kjo falje shënon gërryejen e parë të një vizioni që ishte promovuar si i ndryshëm nga pushteti i kaluar. Me këtë falje edhe qeverisja aktuale tashmë ishte future në vorbulllën e kalkulimeve të drejtësisë dhe në vorbullën e voluntarizimi politik me pasoja për gjithë sistemin e drejtësisë.

Në një vështrim teorik “ Pendesa dhe falja, një diskutim politik bashkëkohor”, John S. Moolakkattu, shqyrton pikërisht faljen në dy dimensionet e saj, në dimensionin privat dhe në dimensionin institucional. Si temë më qartë e artikuluar në shkrimet e krishtera, thekson Moolakkattu, falje u kuptua si një virtyt apolitik, një derivat i dashurisë, një çështje kryesisht private. Mendimtarët e politikës, thotë ai, e kanë lënë pas dore faljen për të njëjtat arsye.  Sipas tij, realizmi politik mbështetet në parimin e autonomisë së politikës, d.m.th. parimet morale që vijnë nga jeta ndërnjerëzore nuk munden të zbatohet në botën politike, e cila qeveriset nga një grup rregullash të ndryshme. Në përputhje me rrethanat, megjithëse viktimat individuale mund t’i falin shkelësit e tyre, institucionet nuk munden, shprehet Moolakkattu.

Në një ese të saj, studiusja Marcia Byrom Hartwell, duke analizuar perceptimin mbi drejtësinë dhe proceset politike, sjellë mendimin e Tom R. Tylor-it. Sipas tij, ekzistojnë shumë prova që sugjerojnë se drejtësia është një koncept i krijuar në hapësirën shoqërore, që nuk ka një realitet fizik. Që drejtësia të jetë efektive, thotë, Tylor, studimet e gjykimeve të drejtësisë procedurale, kanë zbuluar se individët dhe grupet duhet ta ndjejnë se procesi i vendimit ka qenë i drejtë.

Paradoksalisht, politika ka krijuar një mjedis të disfavorshëm për vendosjen e sistemit të drejtësisë, i cila në të shumtën e rastëve është “bluar” nga kontekste të caktuara politike, në emër të të cilave më pas proceset gjyqësore ndaj atyre që e kanë gërryer sistemin kanë përfunduar në një lloj banaliteti ashtu siç e definon Hanna Arendt, në librin e saj “Eichmann-i në Jerusalem: një raport mbi banalitetine  së keqes”. Ky banalitet pastaj është përvijuar si logjikë procedimi, duke krijuar kështu parakushtet për kulturën e mosndëshkimit dhe harresën politike, si një fenomen që do të përsëritet gjatë tërë periudhës së tranzicionit.

Maqedonia e Veriut, pavarësisht nga paralajmërimet shpresëdhënëse për hapjen e negociateve në tetor, në dinamikat politike, në rrafshin institucional dhe në përfaqësimin elektoral po vuan mungesën e etablimit të praktikave të mirëqena qeverisëse dhe të koncepte politike që strukturojnë vizion dhe standarde demokratike europiane. Negociatat janë vetëm fillimi, ndërkohë që ky proces nënkupton transponime të shumta institucionale dhe sistemore, që duhet realisht të sjellin edhe këtu principe funksionimi politik, jashtë voluntarizmit të tashëm dhe atij paraprak.

Duket se beteja me mendësinë politike që harresën dhe kompromiset në emër të “kauzave të mëdha” i ka substancë funksionimi do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme. Në kohën kur mosbesimi qytetar ndaj institucioneve të shtetit ka arritur kulmin si pasojë logjikës totalitare paraprake dhe “zhvatjeve” të kësaj periudhe, vetëm çelja e negociatave sado shpresëdhënse të jetë nuk do të mjaftojë. Do të duhet me gjasë një shndërrim substancial drejt standardeve europiane, duke nxitur energji të reja dhe duke konsoliduar kapacitete të mirëqena për t’iu përgjigjur sfidave që do të shfaqen gjatë hapjes së kapitujve.

Nën hijen e harresës politike që është e pranishme edhe te elitat politike në formë premtimesh parazgjedhore dhe mosrealizimit të tyre, por edhe te elektorati që mbetet i dekompozuar në kufijtë e mbijetesës, do të duhet me gjasë të krijohet një sinergji e re jashtë këtyre dy poleve, si një momentum mendjesh prodhimtare që e dinë saktësisht se çfarë do të thotë koncepti Europë dhe çfarë në esencë përfaqëson politika. Ky momentum mbetet jetik për gjithë planimetrinë institucionale, e cila po vuan “banalitetin e së keqës” si produkt i përhershëm i politikave aksidentale që qeverisjen e kuptojnë vetëm si pushtet i pastër, që me çdo mjet duhet të ruajë vazhdimësinë.

Të fundit