E premte, 26 Korrik, 2024

EDHE GJATË TËRMETIT INFERMIERËT NUK I LANË BEBET PA PËRKUJDESJE, QEVERIA PREMTON ZHDËMTIM TË ÇDONJËRIT QË E PËSOI

Shumë bebe të shtruara në repartin e terapisë intensive, pas tërmeteve u zhvendosën në një ambient të katit të parë të SUOGJ, Mbretëresha Geraldinë, shkruan Dritare.net.

Por një bebe ishte e pamundur ta zhvendosej, pasi rrezikonte. Një mjeke dhe dy infermiere kanë qëndruar pranë foshnjës së vogël në katin e katërt të maternitetit, pavarësisht lëkundjeve nga tërmeti.

“Pune heroike e personelit te SUOGJ” Mbreteresha Geraldine “ ne perballimin e emergjences shkaktuar nga termeti ! Te gjithe bebet e shtruara ne repartin e terapise intensive te neonatologjise u zhvendosen ne nje ambjent ne katin e pare per siguri maksimale. Vetem Nje beb qe ka lindur ne dt 18.09.19 me peshe 1850 gr, nuk duhej te zhvendosej , sepse rrezikonte. Dr . Shaje Isufi se bashku me dy infermire te ketij sherbimi , kane ndenjur me te ne repart dhe e kane asistuar cdo moment , megjithe lekundjet e termetit. Mirenjohje per punen e gjithesecilit nga personeli te SUOGJ” Mbreteresha Geraldine” qe punuan me perkushtim. Kjo eshte shendetesia qe duam. Ne rradhe te pare humanizem , perkushtim dhe vetmohim.”, njofton Manastirliu.

Kjo është mjekja që nuk e la katin për beben e vogël në reanimacion. Është doktoreshë Shaje Isufi.

Nga ana tjetër, siç njofton ATA, qeveria shqiptare do të zhdëmtojë çdonjërin që ka dëme nga tërmeti.

“Pas kapërcimit të këtij momenti psikologjik do të vijojë procesi i mbështetjes për të zhdëmtuar këdo që figuron në listën e të dëmtuarve nga tërmetet”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri mblodhi sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ministrat si dhe kryebashkiakët për të koordinuar punën për menaxhimin e situatës pas tërmeteve që tronditën vendin.

Rama tha se “ky takim vjen si domosdoshmëri për të bashkuar të gjitha forcat në mbështetje të njerëzve që janë prekur më shumë psikologjikisht nga tërmetet e mbrëmshme dhe për të bërë të mundur që të funksionojmë si një rrjet i integruar duke u fokusuar te Tirana dhe Durrësi”.

“Është shumë e rëndësishme në radhë të parë prania njerëzore për të realizuar një kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë familjet që figurojnë si banorë të pikave të identifikuara me dëme, pasi ankthi dhe potenciali për konfuzion që vjen nga ankthi është gjëja e parë që duhet përballur me shpjegime shumë të thjeshta”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “askush nuk duhet të shqetësohet nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së godinës apo pallatit, pavarësisht shfaqjeve të plasaritjeve apo krisjeve që do të studiohen, por nuk janë kërcënim në momentin që po flasim”.

“Mbrëmë e kemi ndjekur veçanërisht situatën në Durrës ku ka pasur goxha ankth në familjet që janë prekur më shumë. Kjo ka bërë që një pjesë e konsiderueshme njerëzish të qëndrojnë jashtë banesave, ashtu sikundër edhe pse janë vënë në dispozicion të dyja strukturat e Kovalishencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, që kanë rreth 700 shtretër që bashku nuk ka pasur fluks drejt tyre”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ka shumë shtëpi dhe një sërë pallatesh që kanë plasaritje dhe krisje, por është me shumë rëndësi t’u shpjegohet njerëzve që jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik”.

“Në vijim, Instituti i Ndërtimit ka filluar punën në bashkëpunim edhe me një grup ekspertësh të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Infrastrukturës me burime njerëzore të specializuara dhe do të realizojnë në kohë të shpejtë gjithë inventarin teknik për të ndarë plasaritjet që nuk kanë prekur strukturën, nga krisjet që mund të kenë cënuar strukturën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në disa raste godinat që kanë një ndarje të brendshme janë absolutisht të garantuara për shkak se bëhet fjalë për funksionimin si duhet të fugës sizmike të godinës, që është pjesë e gjithë projektit në funksion të përballimit të lëkundjeve të tërmetit”.

“Jo çdo ndarje, apo në dukje çarje vertikale e godinave është negative, përkundrazi, është tregues që ka funksionuar. 30 metra nga këtu është krejt e dukshme fuga sizmike që ndan korpusin qendror të kryeministrisë me korpusin e ish-Ministrisë së Financave. Por duhen identifikuar qartësisht çdo shfaqje e tillë në sipërfaqen e pallateve, sepse mund të jetë kjo, por mund të jetë edhe diçka më e thellë që përbën rrezik”, tha Kryeministri.

Të fundit