Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka ftuar Bashkimin Evropian që t’i kryejë obligimet e veta në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se pa integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk mund të ketë Evropë të sigurt dhe stabile.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, Tusk u takua me kryeministrin, Edi Rama.
Pasi iu nda Medalja e Mirënjohjes Publike nga kryeministri i Shqipërisë, i cili ju referua si “avokat i procesit të zgjerimit të BE-së me Shqipërinë në të”, Tusk tha se medalja më e madhe për të do të ishte hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Medalja më e madhe për mua do ishte çelja e negociatave. Sot, një vit më pas mund të them se në sajë të përpjekjeve tuaja jemi më afër integrimit dhe askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël”, tha Tusk.
Ai shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE e bën Evropën më të sigurt dhe stabile.
“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin e të gjithë Evropës, pasi nuk mund të ketë Evropë të sigurt dhe stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët dhe kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Donald Tusk.
Ai ritheksoi nevojën për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, fqinjësi të mirë dhe pajtim, mirëpo tha se këto të njëjtat Shqipërisë do i duhet t’i bëjë edhe në momentin që bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se është mirënjohës për këtë vizitë të presidentit Tusk në Shqipëri dhe rajon.
Vizita e presidentit të KE-së në Shqipëri, e gjen vendin ende të zhytur një krizë politike, institucionale e kushtetuese.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014, dhe javë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ata nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të fillojë ky proces.
Më herët gjatë ditës, presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk qëndroi edhe në Shkup, ku lavdëroi Maqedoninë e Veriut për përmbushjen e detyrimeve në procesin e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se tani e njëjta i takon edhe Brukselit.
“Maqedonia e Veriut, dy vjetët e fundit ka bërë gjithçka çka pritej prej saj. Tani e ka radhën Evropa që të përfundojë pjesën e saj të detyrimeve”, tha Tusk gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ai porositi liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i kryejnë detyrat ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Më lejoni të shprehem përmes një metafore. Procesi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më shumë është maratonë sesa një vrap në 100 metrash. Si vrapues i përkushtuar e di se çka flas. Që të arrini deri te finishi nevojitet forcë, përkushtim dhe fokusim. Nuk kam dyshim se Maqedonia e Veriut disponon mjaftueshëm këto kualitet dhe këtë mbetet ta vlerësojnë të tjerët” .
“Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua t’u bëj thirrje udhëheqësve të BE-së që tani ju duhet të bëni pjesën tuaj sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e vet”, tha Tusk.
Vizita e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk në Shkup, vjen vetëm pak kohë përpara vendimit që duhet të marrë Brukseli për të caktuar ose jo datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, me ç’rast, miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike mbetet “çelësi” kryesor.
Tusk tha se nuk ka dyshime në Bruksel, për sa i përket përkushtimit të Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit.
Në këtë drejtim, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se rasti “Reketi” dhe debati për Ligjin për Prokurorinë Themelore Publike, paraqesin test për gjyqësorin dhe për suksesin e reformave.
“Rasti ‘Reketi’ paraqet një test të fuqishëm për gjyqësorin dhe realizmin e reformave. Zgjidhja institucionale e këtij rasti dhe të gjitha rastet e tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, do të dëshmojë pavarësinë e sistemit gjyqësore dhe vullnetin e qartë politik për luftën kundër korrupsionit. Kjo është mënyra evropiane. Kjo paraqet mënyrën e shtetit ligjor dhe sundimin e drejtësisë”, tha Zaev, duke shprehur bindjen e tij se do të tejkalohen të gjitha pengesat, me qëllim që në muajin tetor të nisin bisedimet për anëtarësim.
“Pritjet tona për Këshillin e BE-së më 15 tetor dhe Këshillin Evropian më 17 tetor, janë miratim i vendimit për hapjen e bisedimeve pa anulime të mëtutjeshme. Tusk do të kryesojë me ne në atë seancë historike. Për këtë në detaje jemi duke e njoftuar për të gjithë përpjekjet tona në dy vjetët e kaluara, por edhe 15 vjetët si shtet kandidat për anëtarësim në BE”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.