E premte, 13 Dhjetor, 2024

Parardhësi i Don Kishotit

Nga Moikom Zeqo

Bota është e mbushur me enigma tërheqëse, ose torturonjëse.  Një personazh i pavdekshëm është më tepër një proces rikrijimi mendor i të tjerëve, sesa vetëmjaftueshmëri e tij.  Kjo gjë është e vështirë të kuptohet konkretisht dhe në pafundësi.  Don Kishoti është një shpikje madhështore jo thjesht e shkrimtarit Servantes.  Në universin e shkrimeve Don Kishoti është diçka më shumë se të gjitha shkrimet së bashku.  Servantesi është një prezantues i tij por është e qartë që personazhi është më shumë sesa vetë autori.  Në magmën e errët dhe të shndritshme të njerëzimit Don Kishoti ka ekzistuar shumë më përpara asaj që quhet shfaqje publike.  Mund të thuhet se ai është “foshnja që është përherë më e moçme sesa e ëma”.  Krishti vërtet u shfaq mbi tokë përkohësisht por përpara sesa ta lindte Maria, ekzistonte shumë më përpara sesa Kaosi të kthehej në Kozmos, pra ishte në paralindjen e të gjithë elementëve.  Kjo shëmbëlltyrë është e dobishme dhe ndihmuese për të kuptuar rastin e Don Kishotit.

Duke rilexuar me një ngulm të shqetësuar kryeveprën e Erazmit të Roterdamit “Lavdërimi i Marrëzisë”, të botuar në 1508, papritur gjeta një fragment që më bëri të tronditem dhe të përjetoj një Zbulesë.  Erazmi, ky polemist i pashembullt që sintetizon ironinë teraupike të Lukianit dhe alegoritë shpotitëse të Hieroninit, teatri botëror i çmendurisë i referohet fakteve matricë, që janë të përsëritshme në hapësirë dhe në kohë.  Në shtjellimin e tij gazi kozmik të çmendurisë, Erazmi kinse me shkujdesje dhe pafajësi e tregon një ngjarje që buron nga moçmëria. Është fjala për një parabolë që nga epoka e tragjikëve grekë, ndoshta e nxjerrë nga një vepër e humbur  e Euripidit.  Parabola shpjegon shkurt se një farë greku, emri i të cilit nuk është ruajtur, kishte një raport krejt paradoksal, të dallueshëm nga të gjithë të tjerët, me teatrin.  Ai nuk shkonte kurrë në teatër kur luanin aktorët, kur publiku reagonte emocionalisht me të qeshura apo me të qara.  Kur shfaqjet mbaronin, kur binte qetësia e lemeritshme dhe indiferente, ky njeri i heshtur dhe maniak futej në mjedisin e teatrit, ulej në shkallaren e gurtë dhe shikonte skenën bosh.  Vetëm ai dhe askush tjetër.  Rrinte me orë të tëra, nganjëherë edhe me ditë të tëra në boshësinë e teatrit, por jo fare kot.  Ai shikonte me vëmendje në ajrin pa silueta të lëvizshme.  Pastaj qeshte ose qante, duke duartrokitur, sepse i fanitej sikur po shfaqeshin në skenë tragjedi të mrekullueshme, të alternuara nga komedi të pabesueshme.  Dihej se në skenë nuk luhej gjë prej gjëje.  Kur kthehej nga teatri bosh ai ishte një njeri i frymëzuar, plot madhështi dhe paqe të pamohueshme shpirtërore.  Por kjo gjë i shqetësoi pa masë të afërmit e tij.  Në të vërtetë ky njeri sillej si njeri përsëmbari, ishte i qartë dhe i ndershëm, tërheqës për miqtë, i sjellshëm me gruan, i dashur me fëmijët.  Dinte ti bënte qartësisht llogaritë, e kishte pasion gjeometrinë dhe e kishte kult saktësinë e çdo veprimi dhe sjelljeje.  Madje kishte një autoritet moral dhe zgjuarsie tek të gjithë qytetarët.   Por ja që ai shkëputej herë pas here dhe futej vetmitar në teatrin bosh për të parë shfaqje të mahnitshme që ishin vetëm për të, absolutisht vetëm për të dhe për asnjë tjetër. Dijetarë të ndryshëm, madje dhe disa orakuj të famshëm, të paguar nga njerëzit e shqetësuar të familjes, u përpoqën npër një kohë të gjatë që tia hiqnin atij idenë për të shkuar në teatrin pa njerëz, duke i thënë se ndoshta vuante nga ndonjë sëmundje, e përfytyrimeve të rrejshme, sepse duke qenë një pëjashtim ai s’mund të ishte si të tjerët,  por kjo e bënte atë një shqetësim të madh, që skajëzohej në tallje dhe në shpotitje mizore.  Ata madje i dhanë mjekime të çuditshme, madje i dhanë të pinte lëngun e hidhur dhe çudibërës të shpendrës, bënë përpjekje të admirueshme për “t’a shëruar”.  Dhe në të vërtetë, mbas shumë përpjekjesh që nuk mund të thuhen dot me fjalë, ky njeri që kishte krijuar bezdi befas i ik qejfi dhe dëshira për të shkuar në teatrin bosh për të tjerët por plot për atë vetë.  Këtu nis agonia tiranike dhe e padurueshme e tij.  Duke qenë inteligjent vërtet serioz ai kuptoi se tashmë këtej e tutje jeta e tij do të ishte përfundimisht e mangët.  Nisi t’i ankohej miqve duke u thënë se në vend që t’a shpëtonin, e kishin marrë përfundimisht në qafë, se duke ia hequr me dhunë dhe dinakëri aftësinë për të parë dhe dëgjuar lëvizjen e vizioneve në skenën bosh, kishin bërë që ai të ishte përfundimisht njeri i rëndomtë, pa asnjë kënaqësi kuptimore, dhe pikërisht tani ai mund të çmendej në mënyrën më të merituar dhe finale.

Fragmenti i mësipërm më ngacmoi egërsisht. Menjëherë e skicova një sinops për një tregim që bazohet në një intertekst, ku një shumicë rrëfimesh strukturore, përplasen, copëtojnë njëra tjetrën për të krijuar një ide të madhe, të vetme dhe flu.  Përshtypja e parë qe e rrafshit letrar.  Si ka mundësi që një shekull përpara sesa lexuesit anonimë t’a njihnin Don Kishotin, askush nuk e vë re se parabola në librin e Erazmit të Roterdamit, ndonëse nuk i respektohej autorësia, madje dukej si një pirateri subjekti, e grekut që shikonte mbi skenën e boshatisur shfaqje të papërsëritshme, shpjegonte me një analogji të pamëshirshme një nga skenat më groteske të Don Kishotit, që shihte në vend të mullinjve të erës viganë të magjepsur.  Kështu Don Kishoti e ka një të paralindur, është një vijimësi dhe jo një fillim.  Kemi të bëjmë me një problem të gjenezës.  Por jo vetëm kaq.  Të gjitha arsyet e vetëvetishme na shtyjnë të zhbirojmë më tej.  A ishte vërtet greku që shihte spektakle haluçinante në teatër një i çmendur i vërtetë?  A kemi të bëjmë me një proçes të devijuar psikiatrik?  A mund të shqetësohemi për kategorinë e normales duke e sfiduar anormalen rreptësisht?  Kjo gjë më ka shqetësuar kaq shumë sa nuk kam pasur fuqi dhe rezistencë mendore për të bërë një përsiatje në trajtën e pafajshme të rrëfimit.  Një shumësi pyetjesh rrethojnë gjithçka.  Nëse njeriu, le t’a quajmë parapersonazhi i Don Kishotit, i shihte me të vërtetë spektaklet, i shijonte dhe reagonte ndaj tyre emocionalisht, atëherë bëhet fjalë për një formim të tij të lartë kulturor dhe një shije artistike të pamohueshme.  Nuk ka sesi që këto spektakle të ishin ëndrra fragmentare pa kuptim.  Këto spektakle qenë gati një lloj teatri transcedental.  Ndoshta tragjedianë të padukshëm ose të panjohur, me një talent më superior, arrinin t’i shkruanin tekstet të cilat i mishëronin aktorë po aq të mëdhenj dhe vetëkuptohet po aq të padukshëm.  Spektatori i tyre i vetëm, ndryshe nga spektatorët e rëndomtë, i shikonte, i ndjente, i perceptonte dhe mrekullohej prej tyre.  Kjo vërtetohet qartë kur atë e mjekuan me lëngun e shpendrës dhe ai e humbi atributin e të jashtëzakonshmes.  Ai ra në pikëllim të thellë dhe të pashërueshëm më.  Ai kuptoi se ra në kurthin e të rëndomtës për të mos dalë prej saj.  Ai tashmë ishte krejtësisht i humbur dhe pavlerë.

Në rrafshin mistik parabola e cituar nga Erazmi i Roterdamit nuk është aspak absurde, i shmang të tëra komentet barbare dhe dënuese.  Ndoshta ekzistojnë spektakle të tilla me një llogjikë dhe regjizurë të mençur dhe të pakundërshtueshme.  Jo të gjitha gjërat e padukshme mund të identifikohen me çmendurinë.  Fjala vjen ligji i gravitacionit është i padukshëm por Njutoni e bëri të dukshëm.  E njëjta gjë mund të thuhet për formulën më të shkurtër dhe universale e–mc2 e Ainshtainit.  Të gjithë njerëzit e planetit ende nuk e shohin dot atë, por ja që Ainshtaini mundi që t’a shohë.

Sinopsi i tregimit është ngjethës por jo i padobishëm.  Ndoshta tek ai greku i lashtë brenda një trupi kishin qenë dy njerëz.  Njëri prej tyre qe universal kurse tjetri varfërisht i zakonshëm.  Kjo kundërshti është përvëluese.  Nëse zhduket lloji i njeriut universal dekadenca e njeriut të thjeshtë është e pashmangshme.  Duket sikur sinopsi mëton metafizikën  por nuk është ashtu.

A e ka lexuar Servantesi Erazmin e Roterdamit?  Po a ka ndonjë rëndësi të veçantë kjo?  Kuptojmë se miti i rastësive është i brishtë.  Kuptojmë se Don Kishoti ka patur jo vetëm një paraqitje të tij të identifikuar por potencialisht ka pasur shumë paraqitje të tilla jo vetëm para tij por edhe pas tij.  Lëvizshmëria e subjekteve është e pafund.  Nuk kemi të bëjmë me një sekret kriptografik sesa me një ligj të përgjithshëm që letërsia e huazon nga materia.

Çdo njeri është matrica e njerëzimit ndonëse nuk mund të themi se çdo njeri është njerëzimi./gazetadita

Të fundit