Në themelet e një demokracie funksionale qëndron ndarja e qartë mes pushtetit i cili menaxhon me paratë publike, atij që sjell vendime për drejtimin e shtetit dhe atij që ndan drejtësinë.
Kjo ndërlidhje e brishtë është një blancë që mban pezull besimin e sovranit, atij që paguan për funksionimin e këtyre pushteteve në këmbim të shërbimeve publike, perspektivës dhe drejtësisë në ndërkohë që cilësia e jetës së tyre varet drejtpërdrejt nga cilësia me të cilën ky sistem jep shërbimet e tij.
Autor: Sefer Selimi Jr.
Maqedonia e Veriut përpëlitet tash e 30 vite për të nderuar një demokraci funksionale, siç e duan qytetarët dhe ashtu siç e premtojnë politikanët sa herë që i nisin karvanët partiak në fushatat për të fituar votat e pushtetit. Por, ndërtimi i këtij sistemi do të ngelet një mision i pamundshëm edhe në 30 vjetët e ardhshme në qoftë partitë politike nuk do të demokratizohen.
Procesi i demokratizimit të partive politike është një nga sfidat më të rënda sepse aktualisht ata janë një ngjizje mes ideologjive të vjetruara, mediokre për nga filozofia politike, manipuluese dhe interesave individuale, klanore dhe kriminale. Pavarësisht statuteve, praktikave dhe formave organizative brenda-partiake ato funksionojnë në korniza të një mentaliteti feudal, ku lideri i partisë ndan plaçkën e pushtetit në proporcion të drejtë me numrin e votave të sjella në parti. Ky mentalitet politik ka prodhuar një sistem të mirëorganizuar klientelist që funksionon mbi baza të meritokracisë partiake dhe për vlera kryesore i ka lojalitetin e verbër ndaj liderit, numrin e votave që mobilizon dhe klanin të cilit i takon. Duke funksionuar kështu, partitë kanë margjinalizuar profesionistët dhe individët me kualitet por krimin më të madh që ia kanë bërë kësaj shoqërie është vrasja e ambicieve të shëndosha dhe shpresës që ato të realizohen brenda këtyre kufijve.
Sa herë që afrohen zgjedhjet, fillon një debat i zëshëm rreth modelit zgjedhor por i njëjti shuhet fill pas tyre. Për të filluar demokratizimin e partive politike duhet doemos të ndryshoj edhe modeli zgjedhor i cili e ushqen këtë mentalitet feudal. Hapja e listave zgjedhore do të sfidonte së pari liderët duke ua marrë ekskluzivitetin e ‘’vendeve të sigurta’’ dhe duke e bartë atë tek qytetarët. Mundësia për të votuar për individ rrit drejtpërdrejtë përgjegjësinë e të zgjedhurve ndaj votuesit dhe është një bazë e fortë për të nxitur debat brenda-partiak duke qenë se besimi i fituar nga qytetarët nuk vjen vetëm nga partia dhe lideri por kryesisht nga vlerat e tyre individuale. Po ashtu, modeli zgjedhor me lista të hapura do të filtronte edhe një pjesë goxha të mirë të fosileve politike që mbijetojnë falë pozicionimit në parti, afërsisë me liderin dhe shpesh duke përdorur veprime makiaveliste për të mbytur çdo konkurrencë që do të rrezikonte pozitën e tyre.
Gjatë kësaj periudhe, herë pas here ky debat kap hapësirë në opinionin publik por për ta ndryshuar të njëjtin do të duhet vullnet i qartë, i fortë dhe i sinqertë politik nga liderët partiak edhe të pozitës edhe të opozitës, vullnet i cili dyshoj që ekziston. Ndërkohë, ekziston pothuaj konsensus i plotë në mesin e qytetarëve dhe shoqërisë civile që ky ndryshim është domosdoshëm dhe e vetmja mënyrë për ta nxitur këtë vullnet është përmes presionit të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët shoqëror.