Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Ylber Sela, në këtë intervistë për KDP flet për vështirësitë e zbatimit institucional të Ligjit të gjuhëve, për sfidat e shumta të Agjencisë si institucion i ri, por edhe për bashkëpunimet e shumta që do të mundësojnë zbatim cilësor dhe të papenguar. Z. Sela thotë se duhen të synohen modelet më të mira europiane në zbatimin e dygjuhësisë. Për të gjitha institucionet që nuk e respektojnë zbatimin, po me këtë ligj janë paraparë sanksione, të cilat mbeten detyrë e Inspektoratit që duhet të themelohet dhe të fillojë me punë.
Intervistoi: Xhumadije Ibrahimi
KDP: Ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi më 15 janar. Tashmë ka filluar pjesërisht të zbatohen në disa institucione. Institucionet u deshën që të fillojnë zbatimin e të njëjtit më së voni 6 muaj pas shpalljes në Gazetën Zyrtare. Sa jeni të kënaqur dhe ku keni çaluar në këtë drejtim?
Ylber Sela: Së pari njëherë ju falenderoj shumë që keni gjetur kohë të vini, pasi për ne janë shumë me rëndësi mediat, pasi nëpërmjet tyre ne e informojmë publikun dhe japim informacione për punën e deritanishme të agjencisë. Pasi jemi një institucion i ri i cili ka sfida plotë. Sa i përket pyetjes suaj, unë do të them se institucionet në RMV kanë dy afate, afati i parë gjashtë mujor ka qenë që të gjitha institucionet në afat gjashtë mujor t’i ndyshojnë tabelat, memorandumet, logot dhe numrat. Në hyrje të objektit janë disa institucione dhe në fillim kur kam ardhur unë si drejtor të gjithë kanë qenë në gjuhën maqedonase. Sot, siç mund ta vërtetoni edhe ju, vetë poshtë kur të ktheheni, apo nëse e keni parë 80 përqind të tabelave janë në dy gjuhë, dhe kjo tregon qartë se ka ndryshime, ka përparime dhe pjesë e institucioneve tashmë, atë që në fazën e parë e kanë pasur si obligim për zbatimin e përdorimit të Ligjit të Gjuhëve janë duke e implementuar. Poashtu edhe për fazen e dytë institucionet kanë afatë një vjeçar që të bëjnë harmonizimin dhe kjo duhet qw ata të përgatiten prandaj shfrytëzoj rastin që nëpërmjet medias t’iu bëj thirrje të gjitha institucioneve në RMV që të fillojnë t’i ndryshojnë sistematizimet e tyre. Ata që nuk kanë sistematizimet e tyre, njësitë e përkthimit dhe lektorimit, t’i bëjnë dhe të parapërgatiten. Ata institucione që nuk kanë përkthyes apo lektor t’i shohin në planin e punësimit për vitin 2020 pasi duhet t’i kenë ato, dhe pastaj institucionet e tyre të funksionojnë në dy gjuhë. Ne si agjenci jemi këtu për t’i mbështetur ato nëse kanë vështirësi gjatë përkthimitdhe lekturës, e kështu me radhë, po qoftë edhe me ndihmë juridike se ka shumë institucione që deri më tani na janë drejtuar neve. Se ku duhet e ku nuk duhet të përdoret gjuha shqipe si gjuhë zyrtare edhe pse ligji është shumë i qartë dhe e përcakton qartë, por institucionet kanë kërkesa dhe na drejtohen neve dhe automatikisht iu përgjigjemi duke u bazuar në ligj.
KDP: Keni dërguar vërejtje deri tek institucionet të cilët nuk kanë filluar zbatimin e Ligjit?
Ylber Sela: Ne nuk kemi rolin e inspektimit, hetimit apo mbikëqyrjes, por shpesh shohim në media që ka institucione që kanë pasur probleme, qoftë ai që e ka gjurmuar institucionin apo e presin këtë hapësirë, se ende nuk është krijuar inspektoriati dhe e shfrytëzojnë këtë. Në momentin që do krijohet inspektoriat të gjithë institucionet në RMV duhet ta zbatojnë ligjin për përdorimin e gjuhës se përndryshe do të gjobite. Edhe ligji e parasheh shumë qartë këtë. Ka një pjesë e vogël që nuk ka vullnet dhe me krijimin e inspektoriatit do të fillojë zbatimi nga të gjithë. Pasi ligji duhet të zbatohet. Ato tani janë më në fuqi, ligji është në fuqi dhe ju ngelet institucioneve të zbatojnë. Ne ngelemi në bashkëpunim, pasi ne jemi këtu t’iu dalimin në ndihmë atyre të cilët na konsultojnë, pastaj ne iu ofrojmë ndihmë. Me shumë institucione që kanë bërë gabime pasi janë konsultuar me ne janë përmirësuar të njëjtat, por ka institucione të cilat ende nuk i kanë ndërruar tabelat dhe ne ju kemi bërë thirrje.Gjithashtu kemi në plan që të fillojmë të bëjmë edhe raportin dhe të shohim se ku dhe cilat institucione nuk e kanë bërë dhe t’i bëjmë publike këto dhe t’ia dorëzojmë edhe qeverisë. Do të jenë publike edhe për mediat dhe pastaj kur të krijohet inspektoriati do t’ia dërgojmë edhe inspektoriatit me të vetmin qëllim që ligji të zbatohet tërësisht.
KDP: Mendoni se deri në fund të afatit të gjitha institucionet do të zbatojnë të njëjtin?
Ylber Sela: Unë dua të jemë shumë i sinqertë sepse ne jemi në Ballkan dhe ekziston një mentalitet ballkanik që gjithmonë punët i lënë në moment të fundit apo edhe i vonojnë. Vonesa dhe momenti i fundit janë bërë shprehi në Ballkanin Perëndimor, por edhe këtu në Maqedoninë e Veriut. Unë mendoj që duhet të ketë vullnet të mirë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ligji të zbatohet dhe mos të vijë deri në raste të përkeqësohet situata mes komuniteteve ndëretnike në MV. Ne si agjenci do t’iu bëjmë thirrje instititucioneve që të kërkojnë ndihmë dhe të gjitha vonesat dhe pengesat të evitohen. Nga ana tjetër dua ta them se ka vonesa dhe normalisht se unë disa herë u kam dërguar institucioneve se nuk është kompetenca ime ajo e ndëshkimit apo e gjobave këtë e ka inspektoriati dhe përderisa nuk është krijuar inspektoriati duhet t’i marrë komeptencat e inspektoratit. Ligji ka kaluar në qeveri është në duar të deputeteve dhe deri në vitin 2020 duhet të jemi të kompletuar. Në kuadër të qeverisë është krijuar edhe grupi ndër-resor që deri sa të kompletohet edhe agjencia të ekipohet në tërësi, pasi edhe inspektoriati disa çështje i ka marrë, poashtu edhe grupi ndër-resor që është në kuadër të qeverisë ku kryetar dhe nënkryetar është Tahir Hani, ndërsa në kompetencë qeveria ka edhe vetëdijësimin e qytetarëve për ligjin dhe zbatueshmërinë e ligjit.
KDP: Me ribalancin e buxhet ju ndanë mjete edhe agjencisë dhe sa këto mjete do i përmbushin kërkesat.
Ylber Sela: Për fazën e pare, në të cilën ka qenë e parashikuar të bëhet sistematizimi, regjistrimi i agjencisë, organizimi i brendshëm, plani financiar të gjitha këto unë me tre bashkëpunëtor, të cilët m’i solli qeveria në ndihmë, sepse unë kam qenë i vetmi i punësuar si drejtor, kemi arritur që në afat tre mujor t’i bëjmë të gjitha këto. Ata të cilët e kanë bërë buxhetin për vitin 2019 kanë menduar se sikurse me institucionet tjera që i duhet institucionit një vjet t’i bëj të gjitha këto gjera, ne i kemi bërë për 3 muaj mandej kemi hapur konkursin. Këto ditë vazhdojmë intervistën. Kërkesat të cilat i kemi bërë deri në fund të vitit janë të mjaftueshme dhe me ribalancin e buxhetit janë marrë parasysh të njëjtat. Sepse ne kemi ardhur në një objekt ku ka qenë policia financiare dhe ju e dini që me rregull këtu te ne është se kur del një institucion merr çdo gjë me vete dhe ne nuk kemi pasur asgjë këtu. Kemi pasur një fond të vogël vetëm për zyrën e drejtorit dhe normalisht kemi huazuar disa tavolina dhe karrige e kështu me radhë dhe tani presim të mbarojë konkursi e të vijë një staf plus, pasi jemi staf i vogël. Normalisht që duhen kushte, na duhet një softuer përkthimi, na duhen kushte, duhet inventar dhe me këtë pritet që të plotësohen edhe kërkesat. Ne kemi marrë mjete me ribalancin e buxhetit që pritet javën e ardhshme të kalojë në kuvend dhe deri në dhjetor do e plotësojmë këtë pjesë të mbetur dhe deri vitin 2020 do i plotësojmë të gjitha kushtet.
KDP:Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve shpalli konkurs për punësime në agjenci ku gjithsej duhet të punësohen 74 persona.Si po ecin punët në këtë drejtim. Në çfarë numri keni arritur?
Ylber Sela: Informacionet që na ka dhënë Agjencia për punësim thonë se kanë qenë diku 170 aplikantë që kanë aplikuar. Ka shqiptarë, të komunitetit maqedon, rom, turq që janë paraqitur. Ka një konkurrencë, mandej është faza e konkurimit që e bënë agjencia për administratë, pastaj vjen faza me ata të cilat kanë poste udhëheqësish. Ata të cilat nuk janë për poste udhëheqëse do të japin provim në administratë. Kushtet janë të përcaktuar për çdo nëpunës shtetëror. Kriteret janë të parashturuara. Ajo që është me rëndësi është pozita e postit të përkthyesit dhe lektorit. Ata të cilët do të jenë udhëheqës në këtë sektor do të vijnë me përvoja pune dhe nuk mund të jenë persona që nuk do të kenë përvojë pune pasi ligji e përcakton qartë. Ai i cili do të vijë këtu do të jetë me përvojë pune. Ne e dimë që kemi lektorë dhe përkthyes shumë të mirë në Maqedoninë e Veriut. I kam kontaktuar ata personalisht. Një pjesë prej tyre punojnë në institucionet ndërkombëtare. Ne do shohim sa punë do të marr një udhëheqës sektori apo një këshilltar shtetëror për përkthime apo për lekturë apo udhëheqës i njësisë. Pra janë dallime shumë të mëdha dhe normalisht që shpresoj që të paraqiten kandidatë edhe në konkurset e ardhshme sepse kjo agjenci ka nevojë për njerëz të cilat janë kompetent. Ne kemi edhe për bashkëpunëtor të ri të cilët nuk kanë përvojë pune dhe këtu mendojmë të marrim studentët apo ata të cilët sapo kanë diplomuar në gjuhë dhe letërsi shqipe dhe drejtimin e përkthimit. Kemi bashkëpunim edhe me Tiranën dhe Prishtinën. Do t’i tranojmë këto të rinj. Ne kemi marrë edhe përvoja nga shtetet të cilat e praktikojnë dygjuhësinë dhe stafi jonë që do të jetë këtu të shkojë atje t’i vizitojë këto vende dhe të marrin përvojat nga atje, që mos bëjmë gabime.
KDP: Do të bëni standardizimin e përdorimit të gjuhës shqipe?
Ylber Sela: Po patjetër, ne shohim se dita ditës na vijnë dokumentacione që një institucion përdor një term tjetër.P.sh. Dikush e përdorë fjalën revision, dikush auditim, pra një institucion përdorë një fjalë tjetër, një institucion tjetër fjalë tjetër. Këtu duhet të bëjmë unifikimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Këtu po e përmendi një fjalë shumë të mire të Çabejt. Kur një nxënës e ka pyetur për një fjalë, profesor si i thonë kësaj, ai është përgjigjur: Jo si i thua ti dhe unë, por si është vendosur në kongres ashtu do të jetë. Ne nuk do marrim parasysh dialektet që përdoren, i Shkupit, i Strugës,i Tetovës, Prishtinës, por do merret gjuha shqipe që është vendosur në kongres. Për këtë na duhet bashkëpunim nga Tirana e Prishtina pasi edhe aty ka shumë gabime p.sh. kur hyjmë në kufirin me Shqipërinë tabela “Mirësevini” është gabimisht e shkruar në gjuhën shqipe. Nëpërmjet gabimeve që plasohen në media njerëzit edukohen.
KDP: Ekzistojnë bashkëpunime me universitetet në vend, pasi kanë shprehur interesim për bashkëpunim. Njëkohësisht edhe me njerëz me përvojë në këtë drejtim?
Ylber Sela: Të them të drejtën unë e kam shfrytëzuar fushatën e zgjedhjeve që të kontaktoj me të gjithë gjuhëtarët në vend dhe të marrë mendime dhe kritika pasi agjencia është e hapur dhe pasi jemi institucion i ri na duhen mendime të ndryshme. Kam kontaktuar edhe universistetet ku kam kërkuar marrëveshje, bashkëpunime me të gjitha universitetet UT, SHTUL dhe “KIRILI DHE METODI”, pasi kanë çfarë të na ofrojnë, sepse kanë profesorë me përvojë, njëkohësisht edhe ne ua kemi zgjatur dorën që studentët të bëjnë praktikën këtu në agjenci, pasi shumica e studenteve nuk kanë praktikë. E e di se sa shumë e rëndësishme është praktika, dhe këtu do të përballen drejtpërdrejt me sfidat e tilla.
KDP: Si është bashkëpunimi me institucionet tjera. Ka vullnet të mirë nga institucionet në vend për të bashkëpunuar me këtë agjenci?
Ylber Sela: Ne kemi një statistikë tani sepse mbajmë shënime. Një pjesë e institucioneve kanë shprehur interes dhe shumica edhe vijnë këtu realizojmë takime me stafin. Ne flasim për tema të cilat ata i kanë si dilema, qoftë edhe të aspektit juridik, sidomos në njësitë rajonale, nuk ka institucion që është rajonal, p.sh. komuna e Dollnenit. Këtu institucioni duhet të jetë në dy gjuhë që e përcakton ligji shumë qartë. Pra kemi edhe kështu lloj pyetjesh, pastaj kemi edhe kërkesa për përkthyes, ne iu dalim në ndihmë. Kemi institucione që kanë përkthyes, por ata janë të dobët, prandaj ne e kemi marrë për detyrë që të bëjmë edhe trajnimin e përkthyesve, ku gjithësej do të ketë 100 përkthyes të trajnuar. Për fatë të mirë ne kemi edhe një person, i cili ka qenë trajnues që në kohën e Jugosllavisë. Kemi kontaktuar, na ka dhënë shumë ide, sugjerime, edhe nga institucionet ndërkombëtare na kanë ofruar ndihmë. Me buxhetin për vitin 2020 kemi paraparë që të bëjmë edhe trajnime. Por ka edhe institucione që nuk kanë komunikuar fare, p.sh. ligji për vetëqeverisje locale, i cili është që nga viti 2008. Qyteti i Shkupit p.sh. institucionet që kanë kompetenca. Qyteti i Shkupit pjesërisht e zbaton gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe këtu kemi vërejtje, na vijnë ankesa nga ana e qytetarëve, pse nuk është gjuha shqipe, pasi ligji e parasheh këtë. Pra, ne do të bëjmë edhe raporte gjashtë mujore. Qeveria ka vullnet, tani me ribalancin na dha edhe mjete shtesë. Kjo tregon se ekziston vullneti i qeverisë që Agjencia të ecë përpara dhe ligji të zbatohet. Normalisht ne duhet të bëjmë plane të ndryshme, seminare sa ma shumë aktivitete që agjencia të jetë e pranishme gjithëkund. Ne do të bëjmë një sallë këtu për përkthyes simultanë se institucionet kanë nevojë, pasi duhen njerëz që kanë përvojë. Edhe ata pa përvojë do të trajnohen këtu pasi na duhen numër i madh i përkthyesve.
KDP: A mjafton ligji që ekziston për funksionim siç duhet të këtij institucioni? Ka nevojë për ndërhyrje?
Ylber Sela: Si pikë të parë dua ta them këtu se shpesh ne kemi kritika sa i përket 20% pra drejtpërsëdrejti më kritikojnë mua kur unë e shkruaj: Agjencia për zbatimin e ligjit që flasin 20% të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Këtë 20% nuk e kam sjellë unë, ligjin e kanë votuar të gjithë deputetët e RMV-së të të gjitha partive politike edhe ata që janë në opozitë edhe ata që janë në pushtet dhe në të ardhmen ndoshta edhe ky 20% do të hiqet. Pak ju pengon njerëzve se pse shqiptarët quhen 20%.
KDP: Do insistoni në këtë drejtim që të ketë ndyshime?
Ylber Sela: Partitë politike shqiptare kanë planet e tyre, kanë strategjitë e tyre, platformat e tyre politike. Ne çfarë duhet të bëjmë? Unë si drejtor i Agjencisë duhet të shoh praktika çfarë do të thotë dhe të gjithë mangësitë, devijimet që do vijnë. Ne do bëjmë raporte, siç ju thashë, do ju njoftojmë do të jenë të publikuara në uebfaqen tonë zyrtare. Të gjithë ata që janë vendimmarrës politik mund ti marrin ti shohin nëse ka pengesa, mangësi, nëse ka devijime, lëshime gjatë ligjit këtë do e tregoj praktika. Ata që janë vendimmarrës politik do të marrin vendime dhe normalisht ka propozimligje të reja, ligjet janë për qytetarët, institucione. Prandaj ligji sa ma shumë të plotësohet është në të mirë të vendit. Ne duam të shkojmë në Evropë. Duam të krijojmë një shoqëri europiane dhe një shtet multigjuhësor, multikulturor siç është MV-ja. Zbatimi i dygjuhësisë është një pasuri e madhe është një vlerë evropiane, pasi të gjithë politikanët këtu në Maqedoni me gojën e tyre e thonë se janë për anëtarësim në NATO dhe BE. Atëherë besoj se nuk do t’i pengojë asnjërit kjo dygjuhësi në Maqedoni. Të zbatohet ashtu siç duhet dhe ashtu siç është në përvojat e shteteve më të suksesshme europiane që e përdorin dygjuhësinë. Prandaj do punojmë për atë, mendoj që do marrim këto përvoja, do t’i inkurajojmë edhe institucionet këtu që çdo qytetarë të bëjë zbatimin e gjuhës së tij ashtu siç e parasheh ligji.
https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/360411218233695/