E shtunë, 27 Korrik, 2024

“PEDERAST”, “GRUPIROVKA”…BIE NIVELI I FJALORIT POLITIK: SEKSIZËM, SHARRJE E KËRCËNIME NË VEND TË ARGUMENTEVE

Përkeqësimi i debatit zakonisht shoqërohet edhe nga komentet e militantëve politik nga partitë rivale, të cilët me vetëdije përdorin sharje vulgare, kërcënime të drejtpërdrejta dhe gjuhë të urrejtjes.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Në një tentim për të demantuar zërat se ka lidhje me aferën “Zhvatje”, kryeministri Zoran Zaev tha se “nuk do të lejojë që disa kriminelë, gazetarë me sedër dhe një pederast ta rrëzojë nga pushteti”. Disa ditë më vonë, duke komentuar emërimin e 30-vjeçares Nina Angellovska për ministre të Financave, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski e quajti të njëjtën “xhirlo-vajzë” e “Nina Grupirovka”, duke përdorur kështu aludime seksiste dhe paragjykime që lidhen me angazhimin e grave në pozita të rëndësishme shtetërore e politike.

Debatet midis rivalëve politik shpesh kalojnë vijat e kuqe duke mos mbajtur llogari për nivelin e fjalorit. Përkeqësimi i debatit zakonisht shoqërohet edhe nga komentet e militantëve politik nga partitë rivale, të cilët me vetëdije përdorin sharje vulgare, kërcënime të drejtpërdrejta dhe gjuhë të urrejtjes në baza etnike, religjioze, nacionale, gjinore e të tjera.

POLITIKANËT SI SHEMBUJ TË KËQINJ PËR VOTUESIT E TYRE   

Petar Arsovski është komunikolog dhe analist që e ndjek një kohë të gjatë skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se kultura e politikanëve ose bontoni politik është në rënie, sidomos në shoqëritë si e jona, që përballet me tensione politike dhe kriza politike.

“Gjithmonë bontoni politik bie ashtu siç rritet tensioni politik dhe kriza politike. Në Maqedoni që një kohë të gjatë dominon diskursi negative politik dhe është normale që politikanët në situatë të tillë të fillojnë ta ulin nivelin e fjalorit të përgjithshëm dhe nivelin e bontonit politik”, thotë Arsovski.

Fjalimet e liderëve politikë, por edhe të zëdhënësve të tyre, kanë hapur debat të gjerë rreth asaj deri ku mund të shkohet me përhapjen e gjuhës së urrejtjes, lajmet e rrejshme por edhe me nivelin e kulturës politike. Shembujt e vendeve në Evropë dhe në botë tregojnë se debatet shpesh dinë të përfundojnë me përleshje fizike.

Për profesorin e gjuhës shqipe, Xhelal Zejneli, fjalori që e përdorin politikanët në vend është i papërshtatshëm dhe degradues.

“Politikanët këtu në Maqedoninë e Veriut në paraqitjet e tyre në publik dhe gjatë prononcimeve të tyre para kamerave përdorin gjuhë të papërshtatshme, denigruese dhe fyese ndaj oponentëve politik. Ky lloj diskursi, ky lloj komunikimi me fjalë triviale dhe perverse tensionohet akoma më shumë kur situata në vend është kritike. Këtë gjuhë denigruese e hasim edhe në Parlament nga deputetët”, thotë Zeneli.

Krahas apeleve të shumta që personat me ndikim në shoqëri të kenë kujdes çfarë flasin në opinion, Arsovski thekson se mungesa e kulturës politike mund të ndodhë për arsye të ndryshme, ndërsa dënimi publik është i domosdoshëm.

“Opinioni është i elektrizuar. E kemi parë se komentet e fundit fyese për ministren e financave hasën në dënim publik, madje deri aty sa politikani që ishte burim i asaj deklarate duhet të tërhiqej dhe disa herë të kërkojë falje publike. Mendoj se duhet të ndërtojmë shoqëri që është imune ndaj këtyre fyerjeve”, thekson Arsovski

Profesori Zejneli, ndërkaq, thotë se politikanët duhet të jenë shembull i një shoqërie, e jo burim i së keqes.

“Politikanët vazhdimisht i shohim në ekranet televizive prandaj duhet të jenë shembuj për shoqërinë, sidomos për të rinjtë. Duhet t’i kontrollojnë emocionet e tyre dhe të kenë konsideratë për oponentët politik. Lufta politike duhet bërë me mjete politike në mënyrë të kulturuar duke i respektuar normat etike”, deklaron Zejneli.

NUK RESPEKTOHET AS LIGJI, AS ETIKA

Ekspertët vlerësojnë se situatat e tilla janë pasojë e mosdefinimit të qartë të normave ligjore, të cilat do të mundësonin ndjekjen penale të personave që përdorin fjalor nxitës. Edhe ato që ekzistojnë në Kodin penal thuajse asnjëherë nuk zbatohen në praktikë. Deri tani asnjë person nuk është marrë në pyetje nga institucionet për shkak të përdorimit të fjalorit nxitës, ndërsa kanë munguar edhe paditë private ndaj personave të tillë, që kohëve të fundit janë shtuar në numër.

Krahas këtyre deklaratave, të cilat shpesh nxisin edhe gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale, në dekadën e fundit gjithnjë e më të shpeshta janë shembujt e përleshjeve fizike të politikanëve në Kuvend në vende të ndryshme në botë. /KDP

Të fundit