Statusi i PSP-së dhe i ligjit për Prokurorinë Publike ka nxehur atmosferën mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut. Plani B i paralajmëruar nga qeveria nga opozita vlerësohet si juridikisht i gabueshëm. Qeveria, ndërkohë ka theksuar se kapacitet e PSP-së duhet të mbijetojnë. Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bërë të ditur që ky institucion duhet të vazhdojë.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Kur u bë publike afera me rastin “Zhvatja”, mandate i Prokurorisë Publike Speciale ishte përpara fundit. Shtatori do të duhej të ishte muaji që do të vondoste për fatin e këtij institucioni, i cili ishte ngritur për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Që më herët pushteti dhe opozita kanë pasur qasje të ndryshme për fatin e PSP-së dhe ligjit për Prokurorinë Publike. Lakimi i emrit të kryeprokurores, Katica Janeva në aferë, që tashmë është nën arrest, edhe më tepër e kishte komplikuar gjithë debatin mbi vendosjen e një sistemi drejtësie efikase në shtet. Edhe aktualisht, ky debat vazhdon me tone të njëjta mospajtuese mes pushtetit dhe opozitës.
Ndërkohë edhe përtitë opozitare në bllokun politik shqiptar janë përfshirë në këtë debat. Ata kanë kërkuar një prokuror të jashtëm europian në krye të PSP-së.
Pushteti dhe opozita nuk flasin në mënyrë të vendosur ose me optimizëm për zgjidhje të mundshme rreth ligjit për PSP-në. Lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski, planin B të propozuar nga ministrja për drejtësi Renata Deskovska e ka cilësuar si juridikisht të gabueshëm, në shërbim të padrejtësisë, ndërsa nënkryetarja e LSDM-së Milla Carovska pohon se për përparim të vendit duhet të mbijetojnë kapacitetet e PSP-së.
“Plani B për zgjidhjen e fatit të Prokurorisë Speciale Publike është juridikisht i gabueshëm dhe kjo është në shërbim të padrejtësisë”, ka theksuar Mickovski. Ai nuk dhënë përgjigje nëse është optimist për gjetjen e zgjidhjes, por ka theksuar se duhet të lihen ekipet të punojnë. “Unë nuk flas me fjalorin ka apo nuk ka, kam qenë i qartë dhe i saktë, ekipet e punës bisedojnë. Pozita jonë është parimore, me baza të respektimit të kushtetutës dhe ligjeve në drejtim të së drejtës pa përjashtim për secilin”, ka theksuar Mickovski.
Duket se pushteti edhe opozita janë në anë të kundër për sa i përket fatit të PSP-së dhe që ndërlidhet edhe me ligjin për Prokurorinë Publike. Nënkryetarja e LSDM-së Milla Carovska ka theksuar se kapacitetet e asaj prokurorie duhet të mbijetojnë, pa shtet të së drejtës nuk mund të ecim përpara. “Mendoj se ajo që është krijuar si kapacitet në PSP, jam e sigurtë se duhet të mbijetojë në vendin tonë sepse pa shtet të së drejtës dhe pa sisteme që janë të përshtatshme për mbrojtjen e qytetarëve nga krimi nuk mund të ecim përpara dhe për këtë arsye jam e sigurtë se kryeministri dhe dhe Grupi i Bisedimeve do të gjejnë zgjidhje”, ka theksuar Carovska.
Në rast se shefja e PSP-së Katica Janeva do të shkarkohet para se të miratohet ligji për prokurori dhe pa statusin e zgjidhur të PSP-së mundësia që lëndët të bien në ujë mbetet si dilemë e pashmangshme. Presidenti i shkarkuar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Kole Shterjov ka deklaruar se për momentin kjo nuk është puna e tyre. “Unë nuk merrem aspak më këtë çështje, sot kam dalë t’ju njoftoj çfarë bën këshilli, cila është gjendja dhe pasojat e saj, për momentin kjo nuk është puna jonë”, ka theksuar Shterjov. Ka shumë të panjohura nëse këtë muaj do të zgjidhet statusi i PSP-së. Sipas opozitës ekziston mundësia për takim liderësh, ndërsa brenda strukturave të pushtetit ekziston bindja se emërimi ushtrues detyre prokuror publik do ta vazhdonte punën e prokurorisë.
Brenda kohë ka pasur edhe prononcime nga përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, të cilët kanë kërkuar që të vazhdojë puna e PSP-së dhe pavarësisht nga skandali me rastin “Zhvatja”, i cili duhet të hetohet deri në fund, ky institucion ta vazhdojë punën e vetë. Me gjasë, pavarësisht nga përplasjet mes pushtetit dhe opozitës, PSP si institucion do të mbetet mbase me një status të ri, por me misionin e njëjtë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin e pushtetit të kaluar, por edhe të rasteve që janë shfaqur nga qeverisja e tanishme.