E hënë, 7 Tetor, 2024

Italia e Britania, binjakët e tmerrshëm të Europës

Për shumicën e kohës, që nga viti 1945, politika dhe qeveritë e Britanisë dhe Italisë janë dukur si dy pole të kundërta. Të dyja janë fuqi të rëndësishme europiane. Të dyja kanë vend të rëndësishëm mes ekonomive më të mëdha. Edhe tani, Britani dhe Italia ishin mes kombeve me ekonomi të fuqishme të cilët u mblodhën te hoteli Biarritz këtë fundjavë, për samitin e G7.

Ngjashmëritë nisën të prishen që në të shkuarën. Britania njihej për politikën e qëndrueshme, ndërsa Italia njihej për të paqëndrueshmen. Qeveritë britanike ishin të forta brenda vendit të tyre, ndërsa ato italiane ishin jetëshkurtra dhe të dobëta. Në Britani, e majta ishte rrënjosur si një sindikatë industriale, ndërsa Italia kishte partinë komuniste më të madhe, më moderne e më tërheqëse në perëndim. Britania shihte në pasqyrë mishërimin e prakticitetit, ndërsa Italia ishte sinonim me krimin dhe korrupsionin. Kur Britania ruante autonominë duke mos hyrë në Eurozonë, Italia e përqafoi me entuziazëm vendin mesatar në BE dhe procedura e përshtatjes me Euron u bë në mënyrë të turpshme.

Sot, krahasimet politike përbëhen jo më vetëm nga ndryshimet, por edhe nga ngjashmëritë që sa vijnë e shtohen. Politikisht, Britania sa vjen e po bëhet si Italia, një vend që e ka të vështirë të qeveriset, dhe që përpiqet gjithnjë e më pak për t’iu adresuar problemeve ekonomike, shoqërore e politike. Ashtu si Italia, Britania po shkon ngadalë drejt udhëheqësve populistë, të cilët po vërtetojnë se janë të paaftë të drejtojnë institucione politike.

Rënia e koalicionit populist në Itali, javën që shkoi, nuk kishte shumë ngjashmëri britanike. Të dy palët në koalicion janë parti të krijuara së fundmi, shumë larg konservatorëve britanikë që i kanë rrënjët që në shekullin e 19-të. Lega e së djathtës është thjesht degëzimi i fundit i partisë së mëparshme kundër emigrantëve, Lega Nord, e cila është krijuar vetëm në vitin 1991. Ndërsa lëvizja 5 Yjet është edhe më e re, një parti që i ka krijuar rrënjët dhe degët si grupim kundër sistemit. Megjithatë, përçarja e koalicionit që çoi në dorëheqjen e Kontes, duket sikur përcjell betejat e partisë konservatore.

Ashtu si Tereza Mej, Konte u detyrua të japë dorëheqjen sepse Lega, me Mateo Salvnin, ka krijuar një pozitë në të cilën mendojnë se mund t’i fitojnë zgjedhjet. Këtë beson edhe Boris Xhonsoni. Qëndrimet e Salvinit kundër emigrimit, përballja e ashpër me BE-në në përgjithësi, e sidomos me Gjermaninë, si dhe gatishmëria e tij për të rritur deficitin, plus synimi për të ulur taksat, nëse zgjidhet, pasqyron kontrollet e ashpra të Priti Patel kundër emigrimit, qasjen “me shpatë” të Xhonsonit në lidhje me marrëveshjen e largimit nga BE, dhe liberalizimin “zgjedhor” të qeverisë britanike në lidhje me taksat.

Kjo s’do të thotë që Britania dhe Italia po marshojnë në të njëjtën udhë politike. Por nëse pyet në privat Angela Merkelin – e cila sapo priti Xhonsonin në udhëtimin e tij të parë politik si kryeministër – se cilët do të ishin kolegët e saj më të padëshiruar në BE, Salvini dhe Xhonsoni do të ishin në krye të listës, edhe më lart se Orbani i Hungarisë.

Populistët italianë e britanikë, të mbështetur nga administrata e Trump-it në Uashington, përfaqësojnë një sfidë të qëllimshme kundër politikës tradicionale në përgjithsësi, dhe një synim për dështimin e BE-së në veçanti. Deri kohët e fundit, takimet e kryeministrave britanikë me kancelarët gjermanë kanë qenë një ritual që pohonte përkushtimin ndaj stabilitetit. Por nuk është më kështu. Takimi anglo-gjerman i së mërkurës ka qenë më destabilizuesi që nga viti 1938.

Historiani AJP Taylor ka thënë se të shtosh fjalët “përveç Italisë” në çdo deklaratë për Europën, do të ishte diçka e lodhshme. ”Që tani e tutje,  këto fjalë duhet të merren si të mirëqena”, tha ai. Dhe shumë prej nesh jemi rritur duke e parë në këtë mënyrë pozicionin e Italisë në Europë. Më në formë dhe të veshur më me stil se ne, por më të korruptuar e me një të djathtë të paqëndrueshme. Si e tillë, Italia ka ndjekur ndër vite rrugën drejt modernizimit europian.

Për shumicën e kohës së pas-luftës, ishte e kuptueshme që ta shihje Italinë në këtë mënyrë. Në krahasim me Francën dhe Britaninë e decentralizuar, Itlaia ishte një shtet i zhvilluar. Pushteti përqendrohej brenda qyteteve dhe rajoneve, ku nuk arrinte dora e Romës. Në krahasim me Gjermaninë dhe vendet skandinave, Italia ishte ekonomikisht më proteksioniste, më pak e saktë në punë dhe me institucione më të kalbura nga korrupsioni. Ndërkohë që qytetarët e shumicës së vendeve europiane pëlqejnë të mendojnë se janë njerëz që u binden ligjeve, që paguajnë taksat dhe ndihmojnë të varfrit, shumë prej italianëve e zgjidhnin vetë se cilat ligje do të zbatonin, talleshin në lidhje me pagesën e taksave dhe tregoheshin shpesh armiqësorë me jugun e varfëruar, siç bën Salvini sot me emigrantët arabë dhe afrikanë.

Për disa kohë u mendua se po të fillonin të kishin ngjashmëri, do ishte Italia ajo që do të kishte nisur të ndryshonte e të përshtatej me traditat e demokracisë liberale e kapitaliste të BE-së. Por kjo nuk ka ndodhur. Vetëpërjashtimi i Italisë tani është edhe më i theksuar. Me Xhonsonin, Britania po ndjek një udhë të sajën. Që nga vjeshta, kur ra qeveria e Syriza-s në Greqi, Italia dhe Britania e Breksitit kanë nisur t’i shfaqin më shumë sfida buxhetit dhe vlerave të BE-së për të drejtat e njeriut.

Gjithsesi, krahasimet paralele midis Italisë dhe Britanisë, Salvinit e Xhonsonit, nuk duhen tepruar. Midis dy vendeve ka ndryshime shumë të thella. Por trajektoret e tyre në të djathtë, shqetësimi për të marrë votat e së djathtës dhe jo të qendrës, si dhe mjeshtëria e tyre për të bërë fushatë zgjedhore në epokën dixhitale, vijnë nga i njëjti burim. Ata që kanë debatuar ndër vite se Britania do të bëhet më shumë si Gjermania ose si Suedia, duhet të zgjohen e të shohin se çfarë po ndodh. Italia dhe Britania, dyshja e pamendueshmen politike, janë bërë binjakët e tmerrshëm të Europës.

Martin Kettle, The Guardian/TCH

Të fundit