E shtunë, 5 Tetor, 2024

DON KISHOTI I KEQKUPTUAR

Don Kishoti nuk është një klishe letrare, një prototip i humbur në kohë dhe hapësirë. Përkundrazi, është një gjakim i përhershëm për pushtim hapësirash të reja. Është kuptimi më thelbësor që mund t’i japim jetës sonë qytetare drejt vlerave më të larta, duke e mundur këtë sistem të kalbur ripërsëritjesh politike që nocionin Europë e ka shndërruar në një shaka perverse dhe të pakuptimtë.

Autor: Bardhyl ZAIMI

Gati të gjitha vendet e Ballkanit po e vuajnë dergjën e një transformimi të pashpresë. Kalimi nga sistemi monist në sistemin demokratik është përcjellë me shumë defekte dhe atavizma që ia kanë zënë frymën çdo përpjekjeje për të instaluar vlera të mirëqena në rrafshin institucional dhe shoqëror.

Fragmentarizimi shoqëror dhe bllokimi i shndërrimeve cilësore ka krijuar gjendjen e përhershme të riciklimit të mendësive të vjetra që kanë ardhur hove-hove si elita politike me parashenjën e grupeve gjysëm kriminale. Trajektorja e zhbërjes institucionale dhe demokratike edhe në Maqedoninë e Veriut i atribuohet pikërisht këtyre grupeve të interesit që kanë marrë në zotërim me kohë, cikle-cikle, resurset e pamerituara të të mirave publike.
Fillet e këtij degjenerimi politik përkojnë me privatizimin që shumë herë është cilësuar si kriminal. Elita të dikurshme tashmë me kohë kishin zhvatur pasuri shoqërore dhe ishin instaluar si elita politike dhe ekonomike në kohë tranziconi. Menaxhimi me resurset e dikurshme të zhvatura me impenjime politike privilegjesh të padukshme pushteti kishte krijuar një klasë të kufizuar njerëzish të paprekshëm, një fushëbetejë ologarkishë që merrnin gjithçka nga hapësira publike, ndërkohë që ofronin substandarde në gjithë planimetrinë e jetës ekonomike, sociale dhe shoqërore.

Pikërisht kjo logjikë zhvatjeje disadekadëshe është përvijuar në të gjitha poret e sistemit, duke krijuar një fuzionim, më saktë një mishmash vlerash që po perëndonin dhe substandardesh meskine që instaloheshin përmes politikave grabitqare që në esencë kontrollonin gjithë shpërndarjen e të mirave publike në formë tenderësh të kurdisur, në formë uzurpimesh të hapësirave publike, në formë të politikave brutale dhe ataviste dhe në formë të kontrollit të gjyqësorit, që asnjëherë nuk arriti të dalë nga kthetrat e politikës dhe sekserëve që e tregtonin drejtësinë për përfitime personale.

Çdo normalitet i rastësishëm në Maqedoninë e Veriut ka ardhur si rezultat i pak shpirtrave me integritet që kanë përfaqësuar një lloj Don Kishoti në fushëbetejën e tmerrshme me gjithë këtë sistem të kalbur dhe të kontrolluar që gjatë tërë kohës ka prodhuar konfliktualitete për hesap të mirëqenies së këtyre elitave të korruptuara që gjithnjë janë diku në prapaskenë si zgjatime. Janë pikërisht këto zgjatime të politikave të inkriminuara që përgjithësisht e kanë performuar edhe mendimin publik, duke injektuar diskurse konfliktesh të përhershme që më pas kanë prodhuar rrënojën e logjikave meskine, shkretëtirën e mbijetesës individuale, hipokrizinë dhe makuterinë e gjithëpranishme. Dhe si rregull, sa më tepër që shtohet prania e neveritshme e zhvatësve të gjithëpranishëm aq më tepër skena publike vishet me veladonin e moralit të rrejshëm shoqëror.

Kjo mendësi morbide gjatë tërë kohës ka prodhuar politikanin surogat të njëmendësisë dhe klasën politike plebeje që nuk e honeps dot as minimumin e një idealizmi të mbrothësisë shoqërore që iu jep kuptim jetës komunitare dhe dimensionit për lartësime humane. Ky mjedis politik dhe socio-kulturor ka goditur çdo Don Kishot që ka kërkuar hapësira të reja afirmimi për qenien njerëzore. Sikurse në receptimet letrare, ne tashmë kemi një Don Kishot të keqkuptuar, një Don Kishot që atakohet vazhdimisht si simbolikë e dimensioneve tjera të ekzistencës njerëzore. Makutërie nuk i duron Don Kishotët dhe as sistemi i inkriminuar, i cili i shpallë shpirtra të humbur në kohë.
Me këtë margjinalizim të shpirtit donkishotesk në fakt margjinalizohet idealiteti shoqëror, vetë horizonti i pritjeve qytetare dhe njerëzore që tashmë mbyllet keqas nga propagandat dhe reinstalimet kënetizuese të lukunive përfituese.

Rasti “Zhvatja” është prodhim i zhvatjeve të pafundme të mehershme, të zgjatimeve politike dhe inkriminuese që vetëm ndërrojnë çantat firmato të reketimit plebej që së fundmi u shfaq me tone urbane. Shtetet dhe shoqëritë që nuk ndërtojnë koncepte zhvillimesh demokratike janë të dënuara të rijetojnë dramat e çantave firmato, të çantave që diferencojnë një ” elitë” plebeje që ushqehet me fatin e nëpërkëmbur të qytetarëve.

Don Kishoti nuk është një klishe letrare, një prototip i humbur në kohë dhe hapësirë. Përkundrazi, është një gjakim i përhershëm për pushtim hapësirash të reja. Është kuptimi më thelbësor që mund t’i japim jetës sonë qytetare drejt vlerave më të larta, duke e mundur këtë sistem të kalbur ripërsëritjesh politike që nocionin Europë e ka shndërruar në një shaka perverse dhe të pakuptimtë. Një Don Kishot i keqkuptuar do të thotë vazhdim i shkretëtirës së pritjes, do të thotë ngadhënjim i zgjatimeve politike që mbajnë peng të ardhmen europiane dhe që pamundësojnë ringritje dhe besim te një idealitetit pa të cilin ne vetëm mund keqas të administrohemi.

Një sprovë e vështirë integriteti shtrihet përpara udhës me shumë të panjohura drejt integrimeve europiane. Është çështje mendësie dhe kulture demokratike që politika e ka degjeneruar keqas. Jemi të dënuar të udhëtojmë me këto kontradikta drejt një hapësire demokratike që vjen si ftesë nga vendet që me kohë e kanë standardizuar hapësirën e lirisë dhe të demokracisë, të dinjitetit dhe mirëqenies njerëzore.

Të fundit