E shtunë, 1 Qershor, 2024

AHMET: “ZHVATJA” PUNË LAKMIE, OPOZITA KËRKON PËRGJEGJËSI POLITIKE 

Lideri e BDI-së ka përjashtuar mundësinë e një skenari të organizuar nga jashtë të rastit “Zhvatja”. Sipas tij, ky rast që është më tepër se skandal është punë lakmie. Ndërkohë edhe opozita ka reaguar për rastin “Zhvatja”, duke kërkuar përgjegjësi për funksionarët qeveritarë të përmendur në një deklaratë-dëshmi të biznesmenit Kamçevski.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Rasti “Zhvatja” përveç betejes në terrenin e gjyqësisë ka shtrirë refletimin edhe në politikë. Duket se ky rast gjatë periudhës që vjen do të jetë në qendër të debateve politike mes pozitës dhe opozitës. Opozita menjëhërë pas skandalit ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Zaev. Pas një kohë heshtjeje, Zaev kishte theksuar se çdo kush që e shkel ligjin duhet të përgjigjet.

Së fundmi në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe lideri BDI-së, Ali Ahmeti, për të cilin rasti “Zhvatja” është më tepër se skandal. Ai ka përjashtuar mundësinë e ndonjë skenari paraprak të përfshirjes politike, ndërkohë që ka theksuar se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të lakmisë, të cilën e ilustruar me një thënie popullore.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar nga organet kompetente të shtetit që rasti “Zhvatja” të zbardhet deri në fund. Ai është shprehur  se pas ndodhive të fundit me këtë skandal ndjhet i zhgënyer dhe i dëshpëruar pasi, siç ka theksuar ai, ky është një shembull shumë i keq për drejtësinë në vend.

Duke komentuar skandalet e fundit me rastin “Zhvatja” kreu i integristeve Ali Ahmeti ka theksuar se arsyeja që e çoi në paraburgim Prokuroren Speciale në largim Katica Janeva është lakmia. Megjithatë Ahmeti nuk mendon se prapa këtij skandali qëndron ndokush që e ka planifikuar rastin. “Populli ynë e ka një shprehje, një filozofi të jashtëzakonshme, lakmia e prishë çdokënd. Unë mendoj se këtu është punë lakmie dhe këtu sipas vlerësimeve të mia nuk ka të bëjë me ndonjë skenar, sepse për të hyrë në këto skema, se ka skenar këtu e s’ka aty, kjo do të thotë se duhet të largohemi nga objektivi për ta zbuluar të vërtetën”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti është shprehur se ndjehet i zhgënjyer dhe i dëshpëruar nga rasti “Zhvatja”. “Jo vetëm që jemi të zhgënjyer por edhe të dëshpëruar sepse është një jehonë mjaftë e keqe për drejtësinë. Prokuroria Speciale është zgjedhur për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të vendosur drejtësinë në vend dhe jo për të hapur pisllëqe më të mëdha” ka theksuar ai. Ahmeti kërkoi më shumë kujdes në të ardhmen se kush po zgjidhet për prokuror për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Lidhur me rastin “Zhvatja” kanë vazhduar përplasjet edhe mes partive në bllokun politik maqedonas. VMRO DPMNE edhe sot nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka kërkuar që t’i thërras në bisedë të gjithë anëtarët e LSDM-së që u përmenden në dëshminë e Orce Kamçevit. Nga kjo parti kërkojnë përgjigje se çfarë kanë bërë anëtarët e partisë në pushtet tek shtëpia e të dyshuarit, Bojan Jovanovski. Por nga ana tjetër, nga LSDM janë të sigurt se asnjëri anëtar i tyre nuk është i përzier në këtë rast.

Në mbledhjen e fundit të partisë, as që kanë kërkuar ata të prononcohen për akuzat sepse u besojnë. Të gjitha këto ndodhi ditëve të fundit, komplikojnë edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për Ligjin për prokurori publike. LSDM thotë që kanë shpresa reale se marrëveshja mund të arrihet, kurse nga VMRO DPMNE thonë se varet nga vullneti i pushtetit se sa duan të sjellin ligj që me të vërtetë të luftohet krimi dhe korrupsioni.

Të fundit