Autor: Enver Robelli
1.
Te ne ekziston çmimorja e korrupsionit. Për disa tenderë – 10 për qind, për disa 20 për qind, e për disa 100 për qind. Ekonomistët këtë do ta quanin: treg i rregulluar mirë. Në tregun e rregulluar, korrupsioni luftohet vetëm gjatë fushatës elektorale. «Hajde, më provoni edhe mua», thotë ai që është provuar dhe nuk ka dështuar në vjedhje qe 20 vjet. «Hajde, pa më provoni edhe mua pak – nja 100 a 200 ditë», bërtet tjetri, i cili as anëtarët e kabinetit nuk i njihte. Kjo kategori politikanësh vjedh sapo të marrë pushtetin dhe shpesh sa herë që i vjen rasti.
Kur s’mund të vjedhë shtetin, nxjerr fitime e përfitime nga bizneset ilegale. Hajde, mos e provoni më asnjë prej tyre… Frikësohuni nga ata që me fjalë të mëdha thonë se do ta luftojnë korrupsionin! Të tillët vetëm fatkeqësi sjellin. Fjalët e tyre nuk janë të rëndësishme, duart po: sepse me ato duar kanë vjedhur dhe do vjedhin. Cilat parti duhet zgjedhur? Këtë duhet ta dini vetë. Por cilat NUK DUHET zgjedhur – kjo do të duhej të jetë e qartë për çdokënd.
2.
Ditë të mira po vijnë. Ka me qenë fushatë fantastike. Do të dominojnë posterët historikë. Kur të dalin para popullit Jakup Krasniqi, në prapavijë do të shihen fotografitë e tij nga burgjet jugosllave të Gospiçit dhe Novi Sadit. Kur të dalin Behgjet Pacolli para miletit shqiptaro-kaukaziano-sovjetik, në prapavijë do të shfaqet ajo fotoja që ia pati dhënë «Telegrafit» të Beogradit për botim: Selim Brosha, punëtori i UDBËS, dhe Behgjet Pacolli së bashku në një mbrëmje dëfryese në një restorant të Prishtinës në fillim të viteve ‘80. Birra me bollëk – atëherë dhe sot. Kështu bëhen koalicionet. Koalicione parimore, njerëz parimorë.
3.
Sot e ka ditëlindjen Xhemail Mustafa. E ka edhe ditëvdekjen, për fat të keq. Dhe vrasësit e tij janë të lirë nga 23 nëntori i vitit 2000. Që ata të mos mbesin të lirë, Kosovës i duhet një qeveri e re që e pastron vendin nga shume ligësi e kriminelë. Vrasja e Xhemail Mustafës është ndër vrasjet më të trishtueshme që janë kryer në Kosovën e pasluftës. Është vrasje që paralajmëroi nisjen e një lufte civile mes shqiptarëve.
Këtë luftë civile e dëshironte një pjesë e kriminalizuar e UÇK-së, falangat e organizatave sekrete të UÇK-së, shpesh të mbështetur nga segmente të mbeturinave të Sigurimit komunist të Tiranës. Lufta civile u evitua disi. Pushtetin e morën plaçkitësit. Edhe këtë leksion të historisë duhet ta mësojë Albin Kurti – pa marrë parasysh a e merr pushtetin apo jo.
4.
Kush i fiton zgjedhjet? Te drama «Duke pritur Godonë» të Samuel Beckettit thuhet: «Koha jonë është aq interesante, saqë njerëzit, në të vërtetë, mund të tronditen vetëm me monotoni». Për zgjedhjet e pritshme parlamentare në Kosovë vlen kjo: Zgjedhjet i fiton ajo parti apo ai koalicion që arrin ta trondit popullin me normalitet. Normalitet domethënë: kandidatë që janë të besueshëm, programe që premtojnë gjëra tokësore dhe të prekshme për qytetarë, plane veprimi konkret kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ide për zhvillim ekonomik dhe ndalje të ikjes së vazhdueshme të qytetarëve nga Kosova.
5.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ndryshon emrin. Bëhet: Bashkësia e Thertoreve të Kosovës. Mund të përdoren edhe këto sinonime për këtë organizatë: «Thertorja BIK», «Mishtorja BIK», «Kasaphana BIK», «Qebaptorja BIK», «Skara BIK», «BIK bifteku». Shefat e Bashkësisë së Thertoreve të Kosovës më shumë se Perëndinë i duan delet dhe deshtë, demat e mëzetërit, qengjat dhe lopët.
Ironinë anash: ku janë gjithë ata besimtarë që pas kritikave edhe më të buta ndaj keqpërdoruesve të fesë bëjnë thirrje që kritikëve t’u nxirren sytë, kurse tani heshtin, mbyllin sytë, nuk thonë gjë? Kur feja përzihet e zihet me thundra të viçave, atëherë dinjitarët fetarë nuk kanë më dinjitet, ata vetëm e përdorin fenë si instrument të pushtetit – dhe shtiren sikur i falen zotit, por në fakt i falen lopës. Varësisht nga interesi financiar.