E enjte, 16 Maj, 2024

A MUND TË KTHEHET GRUEVSKI ME “KALË TË BARDHË” NË MAQEDONINË E VERIUT?

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë me shumë të panjohura. Kthesa të mëdha që do të sillnin edhe revanshizma politik mund të nxisin kriza të reja politike. Aq më tepër kur mandatari i ardhshëm nuk do ta ketë për obligim ta respektojë parimin “fituesi me fituesin”, që nënkupton partia fituese etnike maqedonase të bëjë koalicion me partinë fituese etnike shqiptare. Këtë parim e instaloi BDI-ja në vitin 2008, por e zhbëri pikërisht ajo në vitin 2016.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Njeriu që i hapi dyert e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) e NATO, si dhe solli shpresën për një perspektivë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dalëngadalë po e humb shkëlqimin që e kishte. Kryeministri Zoran Zaev duket se po përjeton momentet më të rënda në karrierën e tij politike.

Qeveria që drejton ai, që nga 2017 po ballafaqohet me raste të nepotizmit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të zhgënjyer nga inercia korruptive e funksionarëve të rinj të LSDM-së, parti e cila organizoi protesta masive kundër korrupsionit të qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, qytetarët kanë humbur besimin se kjo qeveri do të jetë më ndryshe se paraprakja.

Tentimi i Zaevit që të kthejë shpresat në opinion nëpërmjet premtimit për investime në vlerë prej 5 miliardë eurosh në periudhën që vjen, duket se nuk kanë pasur sukses. Me këtë deklaratë ai kishte filluar të duket si Gruevski në vitin 2015, kur filloi të japë premtime për “boom” investues pikërisht në momentin e publikimit t përgjimeve të para që tregonin për korrupsion të lartë të qeverisë së tij.

Në të njëjtat këpucë tani gjendet edhe Zaev. Gazeta italiane La Verita publikoi materiale shokuese që tregonin për korrupsion të lartë dhe krim të organizuar. Ky rast, i njohur si “Zhavtja”, duket se ka dobësuar në masë të madhe LSDM dhe kryeministrin Zaev. Prokuroria Speciale Publike (PSP) dhe prokurorja Katica Janeva ishin grushti i parë që goditi Gruevskin dhe oligarkët e tij që nga themelimi në vitin 2015. Gruevski arriti të ikë në momentin kur Janeva kishte përshpejtuar hetimet, kurse pjesa tjetër e rrjetit që kishte kontrolluar e zhvatur ekonominë e shtetit kishte vazhduar të qëndrojë në vend e të ballafaqohet me drejtësinë. Në vend të oligarkëve, nga dita e mërkurë në burgun e Shutkës në Shkup gjendet pikërisht Janeva.

Kjo kthesë e madhe në proceset turbulente në Maqedoninë e Veriut, e që paraqesin tentim për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtës joselektive, ka hapur dilemën në opinion lidhur me atë kush janë të korruptuarit dhe anëtarët e rrjetit të krimit të organizuar: janë oligarkët e Gruevskit e apo Janeva dhe mbështetësit e saj nga politika, përfshi këtu edhe kryeministrin Zaev.

Me këtë rast duket se është vënë një shenjë barazimi midis Zaevit dhe Gruevskit, gjë që mund të prodhojë dy efekte konkrete në skenën politike të Maqedonisë së Veriut: E para, të nxisë formimin e një alternative të tretë e cila do të kanalizonte pakënaqësinë e votuesve etnik maqedonas nga dy partitë tradicionale; dhe e dyta, të prodhojë një marrëveshje amnistie për veprat korruptive të të dyja palëve, e që do të kthente Gruevskin prapë në skenën politike, e pse jo edhe në pozitën e kryeministrit.

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm do të jenë me shumë të panjohura. Kthesa të mëdha që do të sillnin edhe revanshizma politik mund të nxisin kriza të reja politike. Aq më tepër kur mandatari i ardhshëm nuk do ta ketë për obligim ta respektojë parimin “fituesi me fituesin”, që nënkupton partia fituese etnike maqedonase të bëjë koalicion me partinë fituese etnike shqiptare. Këtë parim e instaloi BDI-ja në vitin 2008, por e zhbëri pikërisht ajo në vitin 2016/KDP

Të fundit