E hënë, 7 Tetor, 2024

Udhëkryqi britanik

Britania e Madhe ka humbur Europën dhe nuk gjetur akoma një perandor

Brexit është një fenomen anglez, jo britanik. Kapet pas nostalgjisë për fuqinë e humbur. Ndjenjë që rrezikon të copëzojë edhe ndërtimin e parë perandorak: Mbretërinë e Bashkuar. Aktualiteti i paralajmërimit të Dean Acheson dhe sharmi i Global Britain

Mbretëria e Bashkuar po kalon krizën politike dhe kushtetuese më të thellë qysh kur një shekull më parë është bërë një demokraci e arrirë. Arsyeja imediate e krizës është rezultati i referendumit të qershorit për qëndrimin ose jo të vendit në Bashkimin Europian. Megjithëse me një diferencë të ngushtë, mazhoranca absolute e votuesve ka votuar për opsionin Leave, duke mos ju përmbajtur udhëzimeve në kahje të kundërt të partive kryesore politike, të komunitetit të biznesit, të aleatëve kryesorë të Londrës dhe të organizatave ndërkombëtare. Vota ka përçarë Mbretërinë e Bashkuar sipas vijave ndarëse gjeneracionale, arsimore dhe rajonale. Nga 4 kombet përbërës, Skocia dhe Irlanda e Veriut kanë votuar në favor të opsionit Remain, kurse Anglia dhe Uellsi janë shprehur në favor të atij Leave.

Në tri vitet pas referendumit, qeveria mezi ka negociiuar një marrëveshje për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, por nuk ka arritur që ta miratojë nga Parlamenti. Të paktën për dy arsye. E para është se Partia Konservatore është thellësisht e përçarë mbi vetë mundësinë e braktisjes së Bashkimit Europian dhe për atë se cila formë e Brexit mund të garantojë me efikasitet respektimin e votimit referendar. Së dyti, në vijim të zgjedhjeve të parakohshme të 2017, ekzekutivi varet nga votat e Partisë Demokratiko Unioniste (DUP) veriirlandeze, formacion politik që nuk e ka mbështetur marrëveshjen e negociiuar nga Theresa May, pasi mendon se i rezervon Irlandës së Veriut një trajtim ndryshe respektivisht pjesës tjetër të vendit dhe që, për pasojë, përbën hapin e parë drejt shpërbërjes së mundshme të Mbretërisë së Bashkuar. Pra, drejt ribashkimit të Irlandës.

Ngërçi parlamentar ka forcuar polarizimin midis leavers e remainers dhe ka diskredituar kështu sa partinë në qeveri, aq edhe opozitën laburiste. Zgjatja e krizës ka dobësuar veç të tjerash pushtetin konservator, që nuk e priste suksesin e Leave dhe, për paosjë, është kapur krejtësisht i papërgatitur nga rezultati i referendumit. Akoma më domethënëse, kriza që ka pasuar votimin e 2016 ka copëzuar besimin popullor në institucionet politike, duke hedhur një hije të rëndë mbi rezistencën e demokracisë britanike, vendin e Londrës në botë dhe të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar.

Vota për Brexit ka nisur një fazë të re të rënies së gjatë të Perandorisë Britanike, e nisur më 1916 në Dublin me Revoltën e Pashkës. Simptoma e parë e ndarjes së ardhshme nga Mbretëria e Bashkuar e pjesës më të madhe të Irlandës, pavarësia e së cilës përkoi me rudhjen më të rëndësishme territoriale të Perandorisë nga humbja e kolonive amerikane më 1783. Rudhje për më tepër shumë më e dhimbshme se ajo e fundit të shekullit të XVIII, po të kihet parasysh afërsia e ishullit me pushtetin perandorak. Kontekstualisht, Londra humbiste sa hegjemoni detare, aq edhe financiare, siç u certifikua përkatësisht nga Traktati Detar i Uashingtonit i vitit 1922 dhe nga kolapsi i sistemit të arit në vitin 1931. Mbretëria e Bashkuar qe pjesë përbërëse e aleancës që fitoi Luftën e Dytë Botërore, por mbështetja amerikane erdhi përballë një çmimi gjeopolitik shumë të rëndë: fundin e Perandorisë Britanike, e rrethuar nga lëvizjet nacionaliste që lulëzonin në ato që shpejt do të bëheshin ish territoret e saj. Të parët që lanë Londrën qenë India dhe Pakistani në vitin 1947. Në vitet ’60 pasuan shumë koloni të tjera perandorake. Në disa raste – si në Qipro, në Aden dhe në Kenia – britanikët provuan që t’i frenonin me forcë lëvizjet nacionaliste. Në zona të tjera – shembulli më i njohur është konflikti për Ishujt Falkland e vitit 1982 – është asistuar deri në disa riafirmime donkishoteske të pushtetit perandoral. Por në vitin 2000 – pas rikthimit të Hong Kongut Kinës tri vite më parë – gjithçka mbetej nga Perandoria Britanike ishte një grusht territoresh të largëta të banuara nga jo më shumë nga 200000 njerëz.

Zhdukja e Perandorisë në të cilën dielli nuk perëndonte kurrë linte një çështje pazgjidhur: fatin e Perandorisë Britanike tjetër, Mbretërisë së Bashkuar. Kjo e fundit është produkti i ekspansionit shekullor të Anglisë, që çoi fillimisht në pushtimin e Irlandës e Uellsit dhe më pas në bashkimin e kurorës angleze dhe asaj skoceze në vitin 1603, ngjarje të cilën e pasoi shkrirja e dy parlamenteve kombëtare në vitin 1707. Dominimi anglez mbi popujt fqinj i dha jetë Mbretërisë së Bashkuar dhe i garantoi shtetit britanik kontrollin e plotë mbi ishujt e Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Garanci sigurie që duke filluar nga shekulli i XVIII i mbijetoi Londrës që të ndërmarrë ekspansionizmin tregtar e kolonial që do të çonte në lindjen e Perandorisë Britanike të Përtejdetit, projekt i përbashkët i anglezëve, uellsianëve dhe skocezëve. Midis kombeve të Mbretërisë së Bashkuar, vetëm irlandezët trajtoheshin si një varësi koloniale e brendshme.

Me fortesat si Gjibraltari, Malta dhe Adeni që vigjëlonin rrugët detare, vendbanimet e kolonëve në Kanada, Australi dhe Zelandë të Re dhe varësi koloniale që përfshinin Indinë dhe një pjesë të mirë të Afrikës, Perandoria Britanike arritu apogjeun e fuqisë së saj në kapërcyellin midis shekullit të XIX dhe atij të XX. Në këtë fazë – falë edhe supremacisë industriale, financiare e tregtare – Britania e Madhe ishte fuqia kryesore globale, një aktor në gjendje të plazmojë rendin ndërkombëtar. Pozicion epërsie që shpjegon karakterin traumatik e procesit që gjatë shekullit të XX ka rudhur në mënyrë të pashmangshme fuqinë britanike dhe shkaktuar tërheqjen progresive nga hapësira perandorake. Në fakt, shpirti perandorak është ende i gjallë tek britanikët, sa në klasën drejtuese, aq edhe midis qytetarëve të thjeshtë. Qasjet kulturore dhe raciale të rrënjosura nga Perandoria në institucione vazhdojnë që të plazmojnë vizionin e botës. Kështu që për britanikët  është jashtëzakonisht e vështirë që të binden se nuk janë më një fuqi globale dhe të marrin një rol në çështjet botërore në linjë me masën aktuale e Mbretërisë së Bashkuar.

Në diskutimin e famshëm të mbajtur në vitin 1946 në Fulton të shtetit Missouri, Winston Churchill pohoi se Britania e Madhe ndodhej në qendrën e tri sferave gjeopolitike: Perandorisë Britanike, Europës dhe Anglo – Amerikës dhe se nuk do të duhej të zgjidhte midis tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore, Londra e vuri thuajse të gjithë theksin mbi marrëdhënien speciale me Shtetet e Bashkuara, duke refuzuar që të marrë pjesë në fazat fillestare e integrimit europian. Qe dështimi strategjik i pushtimit të Suezit në vitin 1956 – një prej ndërhyrjeve të fundit ushtarake me karakter perandorak të kryera nga Mbretëria e Bashkuar – ai që i detyroi britanikët të bënin katharsis dhe të vinin në dyshim linjën gjeopolitike e ndjekur deri më atëhere.

Në vitin 1962 ish Sekretari amerikan i Shtetit Dean Acheson – një prej arkitektëve të rendit botëror të ngritur nga Shtetet e Bashkuara pas vitit 1945 – nënvizoi se «Britania e Madhe ka humbur një perandori dhe nuk e ka gjetur ende një rol». Atje ku për amerikanët Londra do të duhej të interpretonte rolin e saj gjeopolitik në institucionet komunitare e krijuara nga Traktati i Romës dhe në NATO. Konkluzion të cilit, nga ana tjetër, i qenë bashkuar edhe liderë britanikë si Harold McMillan e Edward Heath. McMillan e përshpejtoi tërheqjen e hapësirës perandorake dhe paraqiti kërkesën e parë të hyrjes në Tregun e Përbashkët, e kthyer menjëherë dërguesit ngë Gjenerali de Gaulle, i bindur se britanikët qenë një kalë Troje i amerikanëve. Kur në vitin 1973 Heath arriti që të sigurojë hyrjen e Londrës në Komunitetin Europian, votimin parlamentar – që miratoi marrëveshjen me një diferencë të ngushtë – e pasoi referendumi i parë kombëtar i historisë së Mbretërisë së Bashkuar, në të cilin elektorati u shpreh me shumicë dërrmuese për qëndrimin e Londrës në Tregut të Përbashkët Europian.

Kështu, në mesin e viteve ’70 dukej sikur Britania e Madhe e kishte gjetur vendin e saj në botë, sikur e ardhmja e saj ishte në Bashkimin Europian. Pavarësisht ruajtjes së lidhjeve të thella me ish territoret perandorake dhe me Shtetet e Bashkuara, gjithçka të linte të mendohej se Commonëealth dhe Uashingtoni do të kishin një rëndësi shumë më të pakët se ajo e Brukselit në gjeopolitikën britanike. Dinamikë që në parim nuk ishte krejtësisht e qartë për të interesuarit e drejtpërdrejtë.

Në vitet ’70 e ’80 Mbretëria e Bashkuar ishte në fakt e cfilitur nga konfliktet e brendshme: rifillimi i luftës së armatosur në Orlandën e Veriut, ngjitja e nacionalizmit skocez, betejat për welfare state dhe mbijetesën e qendrave prodhuese. Vetëm në vitiet ’90 – kur vendi doli nga kjo fazë traumatike – mori gradualisht formë midis partive kryesore një konsensus maksimal lidhur me rëndësinë e qëndrimit në Bashkimin Europian si spirancë e gjeopolitikës britanike, ashtu si edhe mbi nevojën për të proceduar drejt një decentralizimi të pushteteve në Irlandën e Veriut, Skocisë dhe Uellsit për të garantuar paqen dhe frenuar përhapjen e nacionalizmave e separatizmave. Qe në këtë kontekst që New Labour i Tony Blair dhe Gordon Brown fitoi në mënyrë të thellë zgjedhjet e 1997, duke e projektuar Mbretërinë e Bashkuar në një epokë të re zhvillimi që do të duhej ta bënte vendin më europian, më pluralist, më laraman dhe më të orientuar në zhvillimin e marrëdhënieve me karakter federal midis katër kombeve përbërës të saj.

Model që është vënë në dyshim nga dinamikat e shpërthyera nga kriza financiare e 2008. Në mënyrë të veçantë nga ngritja e nacionalizmave dhe e populizmave në të gjithë Europën, nga reagimi kolektiv kundër emigracionit dhe nga mëria më e gjerë popullore kundër elitave. Të gjitha nyje që janë shpleksur në rastin e referendumit për Brexit. Ky i fundit ka qenë kryesisht një manifestim mosdakordësie ndaj klasës politike britanike, sidomos në ato zona të Uellsit e Irlandës së Veriut që kanë duruar impaktin më të fortë të ristrukturimit ekonomik të viteve ’80 dhe nuk e kanë rimarrë veten më.

Por sjellja elektorale e britanikëve është influencuar edhe nga krahu i Partisë Konservatore që synon ta lërë Bashkimin Europian për të ringjallur Britaninë e Madhe të nënkuptuar si fuqi tregtare globale e pavarur dhe e lirë nga intrigat e bashkimit doganor dhe tregut të përbashkët. Kjo ide e Global Britain e thith limfën e saj nga remineshencat perandorake, mga mbeturinat e madhështisë së humbur. Suksesi i fushatës për Leave qëndron kështu në kombinimin e nostalgjisë perandorake me zemërimin ndaj emigrantëve. Nuk është rastësi që sloganet kryesore të leavers – «Take back control» – ka funksionuar në Angli e në Uells, por jo në Irlandën e Veriut e në Skoci. sepse fushata për Leave ka qenë parasëgjithash një manifestim i nacionalizmit anglez. UKIP-i dhe Brexit Party nuk janë parti britanike, janë parti nacionaliste angleze që kanë shumë gjëra të përbashkëta me partitë nacionaliste e vendeve të tjera europiane. Referendumi i qershorit 2016 ka vënë kështu në rrezik integritetin e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është pasoja kryesore e votimit për Brexit.

Sikur qeveria britanike të zgjidhte një opsion hard Brexit, në fakt do të bënte të lëkundej Marrëveshja e të Premtes së Zezë në Irlandën e Veriut dhe do ta përshpejtonte mbajtjen e një referendumi transkufitar lidhur me ribashkimin e Irlandës. Eventualitet ky i fundit aspak jorealist: sondazhe të kohëve të fundit shënojnë lëkundje të konsiderueshme në elektoratin katolik në favor të ribashkimit, në favor të të cilit mund të shprehet edhe një pakicë e konsiderueshme e elektoratit protestant. Kontekstualisht, Partia Kombëtare Skoceze (SNP) po përgatitet për mbajtjen e një referendumi të dytë mbi pavarësinë e Skocisë. Në fakt, prioritetet e Edimburgut janë injoruar nga qeveria e Westminster gjatë negociatave lidhur me Brexit dhe pesha në rritje e nacionalistëve skocezë në Parlamenti britanik nuk bën gjë tjetër veçse i forcon pulsionet indipendentiste të skocezëve, domethënë eventualitetin që herën tjetër të votojnë për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar. Është në dritën e këtij skenari që Michael Heseltine, zëvendës i ish Kryeministrit konservator John Major, e ka quajtur Brexit aktin më të keq të vetëdëmtimit në kohë paqeje të të gjithë historinë britanike. Anglezët rrezikojnë të paguajnë një çmim që strategët e Leave nuk e kishin parashikuar. Pas shekujsh të tërë, mund të gjenden për herë të parë të vetëm. Sepse posti i vërtetë në lojë i krahut të hekurt për Brexit është shpërbërja e Mbretërisë së Bashkuar.

Brexit ka rihapur çështje që mendohej se qenë zgjidhur përfundimisht. Ideja për të risjellë në jetë Mbretërinë e Bashkuar e shekullit të XIX është e pakuptimtë, por tërheq shumë deputetë konservatorë dhe mbështetës të Leave. «Make Britain Great again» është një slogan plot sharm, pasi kapet pas nostalgjisë së Perandorisë dhe ksenofobisë që plazmonte mentalitetin perandorak britanik. Heqja dorë nga ana e idhtarëve të Brexit e rolit që Mbretëria e Bashkuar kishte krijuar për vete në 40 vitet e fundit implikon në mënyrë të pashmangshme një transformim të shtetit dhe të shoqërisë britanike. Shumë theksojnë se ky tranzicion do të jetë pa dhimbje. Të tjerë, si konservatori Jacob Rees-Mogg, pranojnë me ndershmëri se mund të na duhet gjysmë shekulli përpara se të shfaqen benefitet e Brexit. Kështu që është krejtësisht e mundur se sikur praaktikisht do të arrihet në Brexit – çfarëdo forme që ai do të marrë – Mbretëria e Bashkuar do të dalë më e varfër dhe më e izoluar. Londra do të jetë e detyruar që të kërkojë një riafrim paradoksal me Bashkimin Europian ose do të bëhet shumë më e varur se në të kaluarën nga Shtetet e Bashkuara. Pasi kryerja e një rruge veprimi autonome gjeopolitike në një botë gjithnjë e më të përcaktuar në blloqe rajonale dhe ku gëlojnë luftërat tregtare shkojnë përtej mundësive të Britanisë së Madhe. Disa propozojnë si alternativë Anglosferën. Megjithatë, kjo e fundit mbetet një asociim i dobët vendesh anglishtfolëse dhe asgjë nuk të bën të mendosh se është e mundur të ndryshohet në një bllok gjeopolitik koheziv.

Kështu, pas Brexit, Mbretëria e Bashkuar rrezikon që të jetë nën mëshirën e dallgëve. Duke e ndryshuar përcaktimin e Acheson, Britania e Madhe ka humbur Europën dhe ende nuk e ka gjetur një rol.

(Andrew Gamble është Profesor i Politikës Ndërkombëtare pranë Sheffield University)/Bota.al

Të fundit