Policia maqedonase ndaloi të mërkurën Prokuroren e posaçme në largim, Katica Janeva, e cila mund të jetë përfshirë në skandalin e korrupsionit të njohur si “zhvatja”.
Por pas bastisjes në zyrat e saj, zonja Janeva u kthye përsëri në shtëpi nën shoqërim të policisë dhe më pas u dërgua në gjykatën themelore për seancë dëgjimore. Prokuroria publike, ndërkohë kërkon masën e paraburgimit prej 30 ditësh për prokuroren e posaçme.
Zonja Janeva u arrestua sot në drekë nga policia në shtëpinë e saj në lagjen Kozle të Shkupit, një ditë pasi dëshmoi në prokurorinë publike lidhur me rastin “zhvatja”.
Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut duke njoftuar më pas hollësitë rreth ngjarjes tha se prokurorja (Katica Janeva) ka kryer vepër penale duke keqpërdorur detyrën e saj zyrtare. Prokuroria kërkon masën e paraburgimit për zonjën Janeva.
Prokurorja e posaçme ka ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për biznesmenin Jordan Kamçev dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak. Ajo, sipas prokurorisë ka ndikuar në zhvillimin e veprimit që nuk duhej të ndodhë e që është kërkesa nga ana e dy personave të tjerë të dyshuar në këtë rast të tetë milionë eurove prej biznesmenit Kamçev.
Dy të dyshuarit të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, kanë arritur që në muajin shkurt të këtij viti t’i marrin biznesmenit një milion euro dhe t’i nxjerrin ato me një valixhe Louis Vuitton nga shtëpia e tij, ndërsa 500 mijë euro i kanë marrë nga gruaja e tij.
Kryeprokurori Lubomir Jovevski dhe prokurorja e Prokurorisë për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska bënë të ditur se edhe persona të tjerë janë nën hetime, por ato i hodhën poshtë zërat se po bëhen bastisje në shtëpitë e disa politikanëve.
Prokurori Jovevski tha se nuk ka indicje që mjetet të kenë përfunduar tek politikanë vendas apo të huaj.
Prokurorët thanë se ngjarjet e sotme dëshmojnë se prokuroria punon në mënyrë joselektive.
Zonja Janeva u mor në pyetje të martën në Prokurorinë publike, ndërkohë që vetë ajo tha se atje shkoi në cilësinë e dëshmitarit. Ajo mohoi të kishte faj lidhur me këto zhvillime. Në prokurori ajo ishte me një avokat të njohur, i cili mbron të akuzuar në raste që po procedon pikërisht Prokuroria e posaçme në krye të cilës ndodhet Katica Janeva.
Skandali i publikuar në gazetën italiane La Verita ka tronditur themelet e gjyqësorit në Shkup, ndërsa në një video regjistrim duket tashmë Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 duke dalë së bashku me një ndihmës të tij nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mbushura me para. Boki 13 në këtë rast shikohet si një lloj ndërmjetësi i prokurores Katica Janeva në këtë skandal të madh korrupsioni. Në një audio-regjistrim dëgjohet zëri i prokurores së posaçme Janeva duke i thënë biznesmenit: “Mos i shqetëso se gjithçka do të jetë Okej”.
Biznesmeni Kamçev është i akuzuar për larje parash dhe vepra kriminale. Komunikimi i tij me njeriun e afërt të kryeprokurores së posaçme dhe korruptimi apo zhvatja, varësisht kush si e komenton, kishte të bënte me lehtësimin e rrethanave të arrestit të tij, sipas audio-regjistrimeve të publikuara në shtypin italian./VOA