Të martën, kreu i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, Vilma Ruskoska, pritet të marrë në pyetje shefen në dorëheqje të Prokurorisë së Posaçme Publike, Katica Janeva. Paraqitja e kësaj të fundit pritet me interes për shkak se deponimet e saj do të hedhin më shumë dritë, si për rastin ‘Zhvatja’ që e implikon edhe vetë zonjën Janeva, por edhe për spekulimet dhe pohimet se në Prokurorinë Speciale mund të jenë zhdukur shumë prova për raste tepër sensitive.
Autor: Seladin Xhezairi
Ekspertët e fushës nuk ngurojnë ta ndërlidhin këtë krizë më të re institucionale me atë që quhet gatishmëri e shtetit për të luftuar krimin e organizuar. Kjo për shkak se në regjistrimet-audio, të publikuara në gazetën italiane ‘La Verita’, rezulton pa pikë dyshimi se në skandalin ‘Zhvatja’ është e implikuar edhe prokurorja speciale publike Katica Janeva nga e cila pritej që ta zhbllokojë shtetin e kapur prej vitesh. Të martën, kjo zonjë, që ndërkohë humbi epitetin ‘e çelikt’, do të dëshmojë në
Prokurorinë e Shkupit dhe deponimet e saj do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve, temave e dilemave, të shtruara e të hapura pas skandalit më të fundit. Kjo për shkak se ‘Zhvatja’ rezulton të na dalë një aferë shumëdimensionale, sikundër u shpreh presidenti Pendarovski në paraqitjen e fundit publike të tij. Të rikujtojmë: Javëve të shkuara ka pasur lajme për kompjuterë, për telefona të fshirë, jo dikur tjetër, por pikërisht në Prokurorinë Speciale Publike.
Burime të Televizionit Klan në Maqedoni thonë se zbardhja e së vërtetës mund të përshkallëzojë edhe më këtë krizë ngaqë në ‘trezorët’ e saj kanë qenë ose ka qenë dashur të jenë ‘bombat’ politike të dorëzuara nga opozita e para tre vjetëve, Lidhja Socialdemokrate, sot në pushtet, e kryeministrit Zoran Zaev. Risetimi i kompjuterëve nënkupton edhe zhdukjen e provave për rastet për të cilat Kryeministri me shokë rrahte gjoks se ka për t’i zbardhur e që kanë të bëjnë me keqqeverisjen e qeverisë së kaluar të Nikola Gruevskit, por edhe me rastin e incidentit të rëndë të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë apo ‘Monstrën’ – me shumë viktima në njerëz.
Prandaj është me rëndësi dëshmia e prokurores Katica Janeva që, ndër të tjera të heq dilemën e shtruar në median maqedonase dhe jo vetëm maqedonase, nëse projekti politik i quajtur Prokuroria Sopeciale Publike, është pasuar me ndonjë pazar, po ashtu politik, mes kreut të saj Katica Janeva, dhe shefit të ekzekutivit, Zoran Zaev.
Komuniteti ndërkombëtar euro-amerikan nuk është se, jo njëherë, nuk ka tërhequr vërejtjen që mazhoranca dhe opozita në Shkup të bëjnë punën e tyre, pa veprime e manovrime për interesa thjesht politike-partiake, por të japin kontributin e tyre për vendosjen e shtetit të së drejtës, para së gjithash, dhe për llogaridhënie e përgjegjësi, çfarëdo natyre qoftë ajo. Shi për këtë menaxhimi juridik i skandalit ‘Zhvatja’ ka për të qenë busull orientuese se nga do të shkojë Maqedonia e Veriut. /KDP