E martë, 14 Maj, 2024

Zëri shpotitës i metamorfozës sunduese

Shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë urgjente njohjen e vetvetes, të cilën më mirë se gjithçka e bën letërsia, edhe se vetë realiteti madje. Sa pas është lënë e kaluara kur nuk ndahesh dot prej saj dhe sa larg është Europa e kulturuar brenda së cilës jemi, ç’vizione dhe strategji ka për të ardhmen, sa të përçarë janë politikanët dhe pse janë nën nivelin e mesatares së intelektualëve, dhe a janë intelektualët në avangardë? Po shkrimtarët ç’botojnë?

Pse s’mbaron tranzicioni shqiptar, aq sa, po të shohim rendjen përpara të vendeve të tjera, duket sikur po ecet mbrapsht si në një stacion kur sheh nga dritarja e vagonit trenin pranë që ikën. Sa lexojmë? Kur jashtë lexojnë edhe nëpër trena, aq sa ai duket si bibliotekë lëvizëse. Që të njohim sa më shumë vetveten, mungesat dhe dobësitë, forcën dhe vlerat që të kuptojmë të tashmen dhe të ardhmen ta bëjmë sa më shpejt të tashme. Një shkrimtar i mirë është si një pushtet i dytë…

Romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, është me të vërtetë i ri për prurjet dhe të shkruarin, ku ngërthehen ndryshimet e befta sociale me humorin gri, ngjarjet që duket sikur mbërrijnë deri në çastin që po lexojmë, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara.

Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, ironia e pamëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës etj., e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjitha botimeve në letërsinë e postdiktaturës, kohë e cila bën antiheronj dhe që ata me groteskun e tyre e zhbëjnë. 

Po, po, dëshmohet këtu me një buzagaz të dëshpëruar.

Vëmendja duket si e përqendruar në planin etik, në atë moral, parimet e të cilit duhet të kishin një evoluim përmirësimi, siç forcohen themelet, por jo të ndryshonin aq në të kundërt me ndryshimin e rrethanave dhe të sistemit, për rrjedhojë edhe të mendësive sipas ideologjisë në pushtet, thjesht për mbijetesë të privilegjuar.

Metamorfoza e një kryeqyteti janë shndërrimet e befta të një pjese të njerëzve të saj, një elite intelektuale socialiste afër sundimtarëve të kuq, afër “Bllokut” a në “Bllok”, siç quhet lagjja e bujshme ku banonin diktatori dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët edhe ndërroheshin si kuajt e haneve, me një ndryshim, kush hiqej, internohej, burgosej dhe pushkatohej, me pasoja për familjen dhe të njohurit e tij, dhe me shtimin e frikës dhe propagandës shtypëse në vend.

Ankthi ekzistencial për të qenë vazhdimisht me fitimtarët solli aftësinë për përshtatje, konvertimin demokratik, amoralitet dhe mendje të mbyllura e shpirtra shterpë tek ajo elitë dhe kthesa e tyre me shndërrimet e sistemit, pas rënies së perandorisë komuniste, është sa grotesk i trishtë, po aq edhe dëm social në klimën e tranzicionit.

Pikërisht në narracionin e kësaj dukurie shkrimtari Ylljet Aliçka është mjeshtër, ndryshimet në marrëdhëniet sociale ndryshuan edhe karakteret dhe moralin e tyre, madje edhe mënyrën e rrëfimit – çelësi i kësaj vepre, sipas meje, që përcaktoi edhe stilin shpotitës me dashamirësi shkrimtari.

Rrëfimtari si mendësi

…pasi kthen edhe faqen e fundit të romanit, kur gjatë gjithë leximit s’të është ndarë një buzagaz dëshpërues, teksa ndihesh ende mes tufës së personazheve të një lloji të përcaktuar, të shqetësimeve të tyre në mbrojtje të privilegjeve, të marrjes së pushtetit ekonomik, shtirjeve të bëra zakon, përditshmëri, pra, mes një mjedisi të kameleontë dhe absurdit etj., befas zbulon se aty (në roman si në realitet) është edhe një personazh që s’duket kurrkund dhe është kudo, pa emër, as me maskë e as me fytyrë. Nuk bën asgjë, megjithatë, jo vetëm që s’është tepër, por është edhe më i rëndësishmi. Është ai që rrëfen, pra rrëfimtari, që gjithsesi nuk është autori, as identifikohet me të e as me kurrkënd e me gjithkushin.

Rrëfimtari ka raste që ka rëndësi më të madhe se rrëfimi në një vepër, siç është e vërtetë edhe e ndërsjellta. Kjo është një çështje e hershme sa vetë letërsia. Madje edhe tek eposi homerik, Uliksi, mbasi bën masakrën me mëtonjësit në shtëpinë e tij në Itakë, lë gjallë vetëm lahutarin aty, se ti do të tregosh ngjarjen, i thotë. Diktaturat lënë gjallë ata që do të rrëfejnë ashtu siç do ajo. Rrëfimtar të ndryshëm nga autori ka dhe te “Don Kishoti i Mançes”, te Gogoli etj., deri te nobelisti më i fundit, anglo-japonezi Kazua Ishiguro, që te romani i tij “The remains of the  day”, – sjellë në shqip mjaft mirë nga poeti Parid Teferiçi, – na tregon një maxhordom njëlloj si jetën e vet modeste dhe ngjarjet botërore. Në memuaristikë flet vetë autori.

Rrëfimtari te romani Metamorfoza e një kryeqyteti i Ylljet Aliçkës është dhe s’është praní dhe ka marrë përsipër barrën të na kumtojë, pa iu kërkuar, dhe kjo është e bukura, se duket si akt që ndihet si nevojë dhe detyrë. Ai ka vendosur të na shpalosë traumën që është e të tjerëve, bëmat, personazhet, trishtueshmërisht me humor, me mosstilin e tij, që është stili i veprës, duke na kujtuar pa dashje se me të kaluarën edhe qeshet, duke mos u ndarë mërzia e zhgënjimeve, ku përplaset e kaluara me ato që ikin si hije të zbehura dhe e ardhmja me ato që vijnë prapë si hije, por më të përndritura deri në paqartësi. Natyrisht, iluzione optike këto, por rrëfimtari i ka përzgjedhur t’i sjellë. Shpesh ai është më i vërtetë se dokumentet dhe faktet. Trilli ndihmon për të kuptuar më mirë se kujtimi, sidomos kur nuk është shndërruar në përvojë.

Ashtu i paidentitet, i palëndët, rrëfimtari i Metamorfozës…, duke mos ditur ç’punë bën, nga është dhe ku, futet te çdo personazh dhe del nga çdo ngjarje. Në fakt, ai është vetëm zë, sa i brendshëm po aq bëhet edhe psikikë kolektive, botëkuptim i përgjithshëm, vrastar i së brendshmes së kërcënuar nga e përjashtmja, bëhet kujtesë dhe ndërgjegje apo mosndërgjegje e asaj që po rrëfen, me njëanshmërinë e vet, britmë dhe ngashërim, tulatje dhe rrahje gjoksi, heshtje dhe shqyerje e madhe së qeshuri. Romani është i veçantë, aktual, pra edhe cinik si aktualiteti, madje ka edhe epizëm me shenjën minus, me antiheronj mynxyrëqeshur.

Në fakt, duket se ndryshimi është i madh së jashtmi dhe i vogël së brendshmi, veçse janë zbuluar se cilët ishin, as siç janë tani e as siç kanë qenë, por qenie që marrin format që u duhen, jo si në metamorfozën kafkiane, ku edhe kahu është i kundërt, jo për të ikur, por për të qëndruar, aq sa e pësojnë po aq e duan dhe e bëjnë vetë shndërrimin, të konvertuarit, edhe pse s’i lë e kaluara dhe kodeksi i tyre është ky: jo t’u shërbejnë ndryshimeve, por ndryshimet t’u shërbejnë atyre. Personazhet e Metamorfozës se një kryeqyteti janë të pathyeshme, por të përkulshme, madje shumë të përkulshme, që edhe pse në rrethinë të “Bllokut” të bujshëm, bëjnë që të kuptohet dhe brendësia e atij blloku me personazhe famëzeza dhe e blloqeve sociale në tërësi, ku me hipokrizinë edhe ndaj vetes, me mossinqeritetin edhe ndaj vetes, mbeten arrivistë të bezdisshëm që krijojnë gjendje negative komiciteti, mes të cilit bie si meteori dhe tragjizmi.

Po ata s’janë të tillë, s’e mbartin dot tragjiken, i vidhen asaj, nuk thyhen, siç thamë, por përkulen, arrijnë tokën, jo për t’u lutur a kërkuar falje, janë shpirtvegjël e të pakulturë si ateizmi i tyre, përkulen për t’u ngritur prapë me guxim të trembur a me trembje të guximshme, gjithsesi grabitqarë shembullorë.

Rrëfimtari bën shumë kujdes, ai do veç të rrëfejë “duke qenë brenda” dhe pa dashje edhe çmitizon duke shkaktuar buzagaz të njëllojtë si me diktaturën dhe me postdiktaturën, se demokracia ngjan për ata si e pjellë aksidentalisht dhe e dhënë për adoptim.

Qeni në epilog

Protagonistët e Metamorfozës… kanë emra të zgjedhur: Beniamin, që duket sikur thotë “amin”, apo Vladimir, rastësi jo e rastësishme në socializëm, ishte emri i Leninit, por edhe i Majakovskit. Edhe Vladimiri i Aliçkës bën punë politiko-artistike, jep tituj kalorësiakë donkishoteskë, dukë dhe kontër në demokraci, teksa Beniamini i tij, teksa ishte poet gati zyrtar, që edhe e çzyrtarizonin, pësonte goditje, rënie etj., u përshtatet kushteve të reja postidiktatriale me vargje po aq të mërzitshme si më parë, për dobësinë e të cilave duhej ndëshkuar.

Gjithsesi, vepra më përdëllyese nga fundi i gjysmës së dytë (të moshës, të shekullit, të romanit?) është marrja e një qeni, shoqërimi me të, teksa mbetet gjithnjë e më vetëm dhe krerët e mëparshëm të romanit dhe të mëpastajmët, –tregime të bashkuara, – mua më duket se mund të ndahen në kohën para se të kishte qen dhe në kohën pasi ka qen.

Nëpërmend festën në bodrum diku në “Bllokun” e udhëheqjes dikur, a pranë tij, (ku ishte qeni?), fejesa, vetëvrasje, martesë tjetër etj., ku kulmohet me kreun e skulptorëve, me ata që kishin bërë shtatoren e diktatorit e do të bënin edhe maskën e vdekjes së tij. (Po qeni kur vjen?)

Gafat e poetit gati zyrtar që dëmtojnë ideologjinë e kohës, propagandën e saj, janë më pak absurde se gafat që bën regjimi ndaj tij. Humori erret ashtu siç përshfaqet edhe vetë koha, keqane, me shumë fytyra, që po t’i mbledhësh nuk bëjnë asnjë fytyrë.

Ndërkaq, rrëfimtari s’ka pritur distancën e duhur kohore për t’i parë më mirë dukuritë, ai nuk ka nevojë për të, por sjell, si të thuash, pasqyrën e padukshme si për t’u parë dhe lë ta shajnë a ta thyejnë atë, pasqyrën, e keqja ka përparuar sa dhe vdekja nuk e bën më njerëzore gjindjen. Kjo si pa vetëdijshëm. Me vetëdije është qeni. Duhet, kanë kaluar aq ngjarje dhe peripeci, internime, pushkatime, Dhe demokracia nuk është e lehtë. Ke kundër edhe veten.

Të rritur me luftën e klasave, pra me kulturën e urrejtjes, në socializëm p.sh., qytetarët nuk mbanin kafshë zakonisht në shtëpi, macet ishin të rralla.

Madje, kujtoj fushata të vrasjeve të qenve rrugëve natën në qytetet e mëdha në prag kongresesh a festash kombëtare. Dashuria, dhembja, përkujdesja, duhej të ishin vetëm për Partinë, jo qen, por vepra të shokut Enver. Ndërkaq do të doja të hidhesha në atë botimin tjetër, “Blloku” i dr. Kalos, dalë njëkohësisht me Metamorfozën… e Aliçkës, ku gjejmë, sadopak, edhe lëndë të përbashkët, ku shumëçka që do të ishte thjesht kërshëri ndaj ‘Bllokut”, tejkalohet si e tillë duke u bërë dëshmi e vyer, që na përshfaq vanitetin, egoizmin, luksin socialist, adulterin, por jo me partinë, pasigurinë, pabesinë etj. ku, mes të tjerave, na zbulohet se Udhëheqësi na paskësh pasur mace në shtëpi, madje në dhomën e tij. Me të flinte, jo më me të shoqen.

Natyrisht, ai ia lejonte vetes edhe këtë dashuri si një ledhatim të ndjenjave të veta pas gjithë atyre masakrave që ushtronte sistemi i tij mbi popullin dhe vrasjeve të epshme të bashkëpunëtorëve, që ndokund dalin edhe në romanin e Ylljetit.

Pas gjithë asaj trusnie që ke pësuar dhe ke ushtruar mbi të tjerët, pas mëkateve kur nuk ke munduar të duash tjetrin, deri edhe familjarët e tu, i gjendur befas në një tjetër sistem, i paaftë për të kërkuar falje në një shoqëri që nuk e dënon të keqen, një qen është ngushëllim, madje ndihmon në larjen e gjynaheve, edhe pse komunistët nuk e kishin zakon të donin kafshët.

Protagonisti I i Metamorfozës… tani shëtit me qen dhe kujdeset, p.sh. në epilogun e romanit, të mos i futet në ujë, se pikërisht aty, tek uji i atij liqeni në kryeqytet, është mbytur një grua, vetë, por nga shkaku i atij ama, dhe ai që s’ka forcë për asgjë, qenkësh dhe vrastar… ndaj edhe vargjet e protagonistit II janë aq për ibret, ku i këndohej më të pakëndueshmes, Sigurimit të Shtetit, dhe më pas abuzohet me dhimbjen duke bërë epitafe të porositura si në një roman të Antonio Tabucchi-it. Po është dhe te një komedi e Çajupit.

Le të kthehemi te qentë, ka ndryshime, se ja, ata po rrinë edhe me shqiptarë (kupto: komunistë fanatikë), kam thënë në fillim të viteve ’90. Ndërkaq, në librin “Blloku” të mjekut të talentuar të diktatorit, ku flitet për macen e tij, përshfaqet edhe një merak tjetër, prej sëmundjeve që kishte diktatori se mos vdiste gjatë aktit seksual, se dhe kishte ndodhur, madje dhe me familjarë të “Bllokut”. E si do të ishte maska e vdekjes, si do ta bënin personazhet e Metamorfozës së kryeqytetit? Nuk ndodhi për fat ashtu, por diktatorët të gjithë vdesin gjatë aktit të përdhunimit të atdheut. Nga përdhunimet, boshatisjet shpirtërore, mashtrimet, të tjerëve dhe vetes, të vetë kohës, metamorfozën negative të saj rrëfen natyrshëm dhe shkrimtari Ylljet Aliçka, personazhet e tij në veprën e tij më të re duke na përforcuar idenë se letërsia shpesh ka më forcë se realiteti, duke qenë edhe shqetësim i përditshmërive, qortim artistik, duke u bërë edhe ndërgjegje dhe përgjegjshmëri qytetare, edhe gjyq dhe ndëshkim moral. Dhe të gjitha këto të shpalosura bukur. Me emocion. Tek Ylljeti dhe gëzueshëm, më e vështira te letrat.

Botimi i romanit Metamorfoza e një kryeqyteti nga Onufri është sa dinjitoz po aq edhe respekt për lexuesin, gjë që merr vlerë edhe më të madhe në kohën kur ka një shkujdesje kapriçioze ndaj krijuesve dhe prodhimtarisë së tyre. Letërsisë sonë të sotme iu shtua një zë, ai i rrëfimtarit të Ylljet Aliçkës. Pikërisht mes shumësive të zërave trallisës, kësaj zhurmnaje, autori zgjodhi atë të rrëfente, që është mendësi e dikurshme, që ndien dhe kupton ashtu si dikur, kumton si dikur, edhe sot si avokat i metamorfozës, pra me këtë zë i është dhënë tonusi dhe ngjyra veprës, aq sa shpesh të vjen të bërtasësh, me gjithë zbutjet që përftohen nga ai humor i trishtë dhe ai trishtim me humor që e bëjnë lexuesin veçse të qeshë hidhur.

Dhe arritja e atij zëri, aq sa është gjetur me zgjuarsi, po aq bëhet më domethënësi duke qenë dhe mos qenë zëri i “autorit”. Është zë kohe, i gjymtimit të saj, një ish-zë që merr forcë të tanishme, edhe pse çalaman, zë i mediokritetit gjeneral, po aq edhe i veçantë, bulçifryrëz, deri edhe presidencial, që derdhet mbi roman, gurgullon i turbullt, i pafaj, megjithëse ka fajin që nuk i kupton fajet, shkretan pa e ditur pse, kureshtar dhe indiferent njëkohësisht, aq sa të vjen të pyesësh fort me zë: realitetet i deformojnë vetvetet kështu apo vetvetet krijojnë realitete të deformuara? Por rrëfimtari ndërkaq është zhdukur larg. Duke lënë shkrimtarin udhërrëfyes, që të brengos dhe të këndell si rrallëkush me këtë vepër.

Nga Visar Zhiti / Exlibris

Të fundit