E premte, 26 Korrik, 2024

Katarzë politike…

Vetting të gjyqësorit – për ta çliruar nga shushunjat që mbrojnë kriminelët, politikanët hajdut dhe e shesin drejtësinë si në Pazar përmes sekserëve të tyre, në korridoret burokratike a në zyrat e mbushura plot tym cigareje.

 

Autor: Sefer Selimi Jr.

 

Për nga etimologjia fjala katarzë rrjedh nga fjala greke katharsis që nënkupton pastrim, purifikim, çlirim. Aristoteli e përdori për të përshkruar çlirimin emocional të publikut gjatë skenave dramatike në një tragjedi dhe efektin pozitiv që ai çlirim emocional kishte në mendjen dhe trupin e shikuesit. Katarza shoqërore (kolektive) është proces ku pas një ngjarje tragjike, zakonisht me përmasa traumatike, individët ndajnë eksperiencat e tyre emocionale me të tjerët dhe përmes këtij shkëmbimi kërkohet rikuperim emocional, empati dhe ngushëllim kolektiv.

Ka një kohë të gjatë që shoqëria jonë kalon në skena dramatike. Në një shtet të kapur me regjim hibrid mes demokracisë iliberale dhe diktaturës totalitare dëgjuam nga audio-incizimet se si qeveria përmes klientelizmit politik ishte kthyer në një makineri që i shërbente kupolës së vendosur në krye të institucioneve për të përmbushur interesat e tyre lukrative. Dëgjuam se si shkelej ligji dhe gjithçka tjetër në emër të partisë. Se si emëroheshin gjykatësit dhe prokurorët.. Se si… Se si… Dhe të gjitha këto ditë për dite deri në skenën dramatike që në emër të patriotizmit partiak, në sy të të gjithë botës vriteshin njerëz, deputet të zgjedhur për ti përfaqësuar qytetarët e këtij vendi. Mezi shpëtuan kokën dhe publiku pati një katarzë të Aristotelit, pasuar me katarzë kolektive.

U emërua qeveria e re. Doli larg pritshmërisë dhe shpresës që në krye të institucioneve do të vinin njerëz të rinj, të cilën me përgjegjshmërinë dhe integritetin i cili u mungonte paraardhësve të tyre do të qeverisin me institucionet shtetërore. Skandal pas skandali u ndërtua momenti ku gjendemi para skenës dramatike e cila ende nuk ka arritur kulminacionin për të shpërthyer në katarzë të Aristotelit. Prokurorja speciale, ajo tek e cila u varrën shpresat për të vendosur drejtësi dyshohet të jetë e përfshirë në një aferë sa korruptive, aq edhe poshtëruese për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm. Për këtë, katarza kolektive duhet të pres edhe pak kohë.

Të ndërtosh një shtet demokratik, me institucione funksionale nuk është e lehtë. Aq më pak kur këtë shtet, ende shumë qytetarë nuk e shohin si të vetin, të përbashkët. Aq më pak kur ndarjet janë të thella në çdo aspekt: etnike, partiake, ideologjike, religjioze… Aq më pak kur në mes futet gjeopolitika dhe të hyn ariu në shtrat. Aq më pak kur është rrënuar e plaçkitur për dekada me radhë, e plaçkitja vazhdon në dritë të diellit edhe sot. E aq më pak kur ndryshimi vjen ngadalë e shpresa është e vështirë të mbahet gjallë.

Por ç’duhet bërë? Ta vrasim shpresën dhe t’i bashkohemi fluksit të ikjeve drejt mërgimit? Të nënshtrohemi dhe të pranojmë se nuk bëhet më mirë?

E di që cinikët e ngatërrojnë shpresën me naivitetin, por shpresa është i vetmi katalizator i cili mund të sjellë ndryshim në shoqëri. Ti shtojmë edhe pak pragmatizëm shpresës:
Që të ndërtojmë një shtet normal demokratik do të nda duhet një katarzë, por jo e Aristotelit, jo kolektive, por një katarzë në kuptimin origjinal të fjalës, pra një pastrim, purifikim, çlirim të skenës politike në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria e kaluar në mënyrë ilegale kishte përgjuar mbi 20,000 qytetarë të këtij vendi, të gjithë njerëz me influencë në jetën politiko-shoqërore. Një bisedë private, në një kontekst tjetër kohor mundet gjithmonë të përdoret për shantazh mbi personin e përgjuar. Një pjesë e përgjimeve u përdorën nga opozita e dikurshme për të rrëzuar qeverinë e kaluar. Një pjesë e tyre përfunduan në tregun e zi, e ndërkohë koka e operacionit të përgjimit u arratis për tu strehuar përmes azilit politik në Greqi. Qendra të ndryshme të influencës, të cilat angazhohen për të mbajtur rajonin kështu siç është, në armiqësi me njëri tjetrin, sigurisht që i kanë në dispozicion një pjesë të tyre. Pra, këto përgjime do të jenë edhe gjatë në qarkullim për sa kohë që në skenën politike do të rrotullohen njerëzit e njejtë, të cilët lehtë të shantazhohen me të kaluarën e tyre.

Për ta nxitur katarzën politike do të na duhet:

1. Vetting të gjyqësorit – për ta çliruar nga shushunjat që mbrojnë kriminelët, politikanët hajdut dhe e shesin drejtësinë si në Pazar përmes sekserëve të tyre, në korridoret burokratike a në zyrat e mbushura plot tym cigareje.
2. Sistem zgjedhor me lista të hapura – për t’i zhdukur përmes votës mumiet politike që 3 dekada me radhë enden piramidës së pushtetit në kurriz qytetarëve të varfëruar nga vjedhja kronike.

Të gjitha përpjekjet tjera janë vetëm ndryshime kozmetike mbi sistemin e kalbur nga krimi dhe korrupsioni, që është përhapur si metastazë në të gjithë shoqërinë. Ta mbajmë gjallë shpesën e të mos e humbim fokusin. /KDP

Të fundit