E hënë, 20 Maj, 2024

ZIGZAG: ZORAN ZAEVI DHE MARTIN LUTHER KINGU

Nuk them se ky është fundi i Kryeministrit tonë. Jo! Nëse ‘yjet’ e tij nuk e kanë lexuar Zhozef Fushenë, atëherë është mirë të shfletojë ‘Fillo me PSE – si liderët e mëdhenj frymëzojnë këdo që të veprojë’ të Simon Sinekut. Në të do të mund të lexojë se Martin Luther Kingu nuk e ndryshoi Amerikën i vetëm, por vizioni i tij që ëndrrën amerikane e bëri zhgjëndër!

 

 Autor: Seladin Xhezairi

Për pak ditë, më 28 gusht, mbushen 56 vjet nga fjalimi historik i klerikut baptist Martin Luther Kingut në Uashington.Ia doli të grumbullojë një çerek milioni njerëz për t’u bërë frymëzim për miliona të tjetër me një manifest për luftën pa dhunë për drejtësi e liri, për barazi. Në fakt, dy ishin arsyet për t’ju rikthyer fjalimit të tij ‘Unë kam një ëndërr’: zhvillimet e fundit në Shkup që shpërthyen si rezultat i skandalit ‘Zhvatja’ dhe një libër i Simon Sinekut ‘Fillo me PSE – si liderët e mëdhenj frymëzojnë këdo që të veprojë’. Kjo për shkak se, së pari, ma thotë mendja se sikur t’i kishte rënë në dorë, do të reagonte ndryshe jo vetëm ndaj ‘Reketit, por përgjithësisht në veprimet e tij prej, sikurse e kam thënë dhe një herë tjetër, kryebashkiakut tonë më të suksesshëm dhe kryeministrit më të guximshëm. Nejse, t’i rikthehem të madhit Martin Luther King. Ai në fjalimin e njohur foli, jo për plane, jo për programe, por për ëndërr që mëpastaj në Amerikë edhe u bë zhgëndërr: ‘…Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi…Duhet t’ju them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë: Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes! Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.
…Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.

Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias, yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë’- tha më 28 gusht 1963 Martin Luther King.

Nuk ka dyshim se 45 vjeçari Zaev ka hyrë në historinë e këtij vendi të vogël, por me shumë ëndrra ballkanike, ku nuk shikojmë punën tonë, por mbajmë gajlenë e tjetrit! Nëse i rikthehemi ‘revolucionit laraman’, e pranuam apo jo, kemi për të parë se efektet e tij nuk na lanë ndonjë frymëzim të qëndrueshëm për t’i bërë detyrat e shtëpisë, për të ‘ndryshuar mentalitetin’, atë mentalitetin që e këmbëngulin perendimorët.

Dhe, pse nuk ndodhi kjo, nuk është se fajet i ka vetëm Njëshi, këtu janë edhe ‘yjet’ e Tij, ata të cilët do të duhej ta vënin në jetë ‘ëndrrën zaeviane për një shoqëri’. Dorën në zemër, jam ndër ata që para zgjedhjeve të fundit parlamentare vëja bast se Zaevi (LSDM-ja) do të merrte vota shqiptare aq sa Gruevski (VMRO-DPMNE-ja): simbolike! Rezultatet më përmbysën parashikimin. Pastaj, sikur u binda se njerëzit po i besojnë filozofisë së tij. Tre vjet më pas, shumëkush i rrudhë krahët se punët nuk lëvizën si duhet: Shteti i së drejtës lë shumë për të dëshiruar! Për rrjedhojë edhe korrupsioni. Për rrjedhojë: Edhe mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë!

Në fund: nuk them se ky është fundi i Kryeministrit. Jo! Nëse ‘yjet’ e tij nuk e kanë lexuar Zhozef Fushenë, atëherë është mirë të shfletojë ‘Fillo me PSE – si liderët e mëdhenj frymëzojnë këdo që të veprojë’ të Simon Sinekut. Në të do të mund të lexojë se ‘Dr Kingu nuk e ndryshoi Amerikën i vetëm. Për shembull, ai nuk ishte ligjvënës, por u bë i mundur krijimi i një legjislacioni për t’u dhënë të gjithë njerëzve në Shtetet e Bashkuara të drejta të barabarta, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës. Nuk ishte Dr Kingu që ndryshoi Amerikën; ishte lëvizja e miliona të tjerëve që ai frymëzoi, që ndryshoi rrjedhën e historisë!’

 

Të fundit