Shkruan: Bardhyl ZAIMI
Shoqëritë që improvizojnë gjithmonë i ripërsëritin fatalitetet. Maqedonia e Veriut përmbi dy dekada po e jeton filozofinë e improvizimit. Sado të përpiqesh të jesh optimist, realiteti, ngjarjet, protagonistët e djshëm dhe të sotëm të sistemit të kalbur të zmbrapsin në zhgënjimet e përhershme. Fatkeqësisht, duket se zhgënjimi mbetet gjendje e përhershme në këtë shtet që nuk ka arrin të shkëputet nga kthetrat e tranzicionit të përjetshëm. Gjithë rrugëtimi drejt jetës demokratike të pretenduar duket si një tunel i pashpresë që riciklon elita politike të papërgjegjshme që kujdesën vetëm për një grup njerëzish të privilegjuar.
Qytetarët duken si personazhe të Dostojevskit, të munduar dhe të përkulur në fatkeqësinë e tyre, e cila gjithnjë mbetet një fatkeqësi që vjen nga elitat e korruptuara që fjalën mirëqenie e kanë kuptuar vetëm për veten e tyre dhe jo për të gjithë qytetarët. Kjo ngatërresë, kjo udhë qorre, të cilën e politika e ka shitur gjatë tërë kohës si progres nganjëherë bëhet e pashpjegueshme, sepse mungojnë tashmë fjalët që mund të nxjerrin në dritë gjithë gënjeshtrën që servohet doza-doza në secilin cikël politik të qeverisjes.
Fjalët demokraci, qeverisje e mirë, sundim i ligjit, transparencë, liri etj, tashmë i kanë uzurpuar elitat politike, të cilat i përdorin si makiazhe për të fshehur fytyrën brutale të politikave mashtruese. Përdorimi i këtyre fjalëve tashmë duket një lloj tautologjie neveritëse. Dhe ky duket të jetë dëmi më i madh që i bëhet aspiratës së një shoqërie për progres, sepse është një atak ndaj një diskursi, i cili duhej të prodhonte normalitet dhe standarde demokratike.
Në teoritë moderne të ligjerimit thuhet se asgjë nuk ekziston jashtë diskursit. Diskursi është pushtet, fuqi, intearksion shoqëror, por edhe ekzistencë njerëzore, synim për një botë më të mirë e më të drejtë. Eseisti Jopsep Ramoneda, në librin e tij “Fundi i pasionit politik” me shumë kreativitet e trajton pikërisht këtë shpronësim të fjalëve që janë “ në përputhje me caqet morale dhe gjuhësore të botës më të mirë të mundshme”. Sipas tij, ky shpronësim i fjalëve bashkë me likudimin e kujtesës përbën pikënisjen e kulturës së papërgjegjshmërisë. Filozofia dhe letërsia, shkruan ai, kanë shumë beteja ku duhet të hyjnë, sidomos për të rikuperuar kuptimin vërtetësor të çdo fjale.
“Ligjerata politike vazhdon të përsëris banalitete të vjetra: sovranitet, socializëm, barazi, liri, qytetari, popull, vullnet i përgjithshëm, komb, të drejta, pa e vrarë mendjen se çfarë kuptimi kanë. A thua se me magji, këto fjalë, nëpërmjet kuptimit në të kaluarën, u japing legjitimitet atyre që i përdorin në mënyrë krejtësisht retorike. Aureolë fjalësh e përdorur si maskë”, vë në dukej ky autor, duke kërkuar njëherësh që të zgjerojë kuptimin e politikës, jashtë këtij diskursi mashtrues, por edhe jashtë konceptit tashmë të njohur mik-armik.
Dhe, po t’i kthehemi letërsisë në përshkrimin që mud t’i bëjmë realitetit tashmë gati tri dekadësh në Maqedoninë e Veriut, korridoret e Kafkës si simbolikë tëhujasimi dhe Sizifi antik si simbolik absurdi do t’i shkonin aq mirë. Duket se gjithë mjerimet politike dhe institucionale, gjithë ky dominim e elitave të degjeneruara politike vjen për shkak të një gabimi ta quajmë fillestar. Këto elita të korruptuara, nuk do të mund të ishin të tilla nëse njerëzit nuk do të kishin vendosur te jetonin në një botë të gënjeshtërt, e cila e njeh indiferencën, por jo edhe reagimin qytetar.
Në një farë mënyrë gjithë kjo klasë politike tërësisht e papërgjegjshme në hapësirën politike, u shndërrua në një eklips fatal për qytetarët për shkak se koncepti i qytetarisë aktive nuk arriti të ngritet në një vektor lëvizës për progresin shoqëror, përkundrazi para këtij koncepti bëri paradën “madhërishëm” politike tipike ballkanike, duke sajuar “parajsat artificiale” nëpërmjet propagandave të vazhdueshme. E ndodhur përpara këtij boshi qytetar, politika e varrosi të vërtetën nën rrënojat e degjerimit të vetë. Atë të vërtetë që shenjohet si motor lëvizës drejt vlerave më të larta, drejt një botë më të përsosur dhe thellësisht më humane. Atë të vërtetë që ndërlidhet me ekzistëncën njerëzore, me gjithë habitusin e pretenduar nga politika si organizim i “polisit” nëpërmjet një demokracie funksionale.
Kjo e vëretë nuk është skematike, por është një vlerë e përhershme humane që i kundërvihet botës së gënjeshtërt, asaj që ofrohet si totalitarizëm, si mashtrim ideologjik, si oligarki përfituese, si abuzim me politikën dhe pushtetin. Në një ese të saj “ Një parahistori e post-të-vërtetës në Lindje dhe Perëndim”, Marci Shore vë në dukje se në vitin 2008, gjatë bisedës së tyre të fundit, Adam Micnik e pyeti Havelin: Çfarë këshille do të kishit për një të ri të ditëve të sotme nëse do t’ju pyeste: si duhet të jetoj? “Përgjigjja themelore’, ia ktheu Haveli. “Jeto në të vërtetën”. Nëse pretendojmë se e vërteta përfaqëson një realitet të qëndrueshëm, synimi për të arritur deri tek ajo mbetet i përjetshëm dhe predispozitë e padiskutueshme ontologjike. E vërteta jo e skematizuar, por që vjen si kultivim i pandërprerë i qenies njerëzore në raport me realitetet objektive dhe me definemet universal të një sistemi të vlerave përbën rrugëtimin drejt një bote më të mirë dhe më të ndritur.
Gjatë kohë në Maqedoninë e Veriut e kemi të pranishme propagandën politike dhe vetëmashtrimin qytetar. Dy gjendje që e ushqejnë njëra-tjetrën dhe krijojnë një raport thellësisht kundërvënës mes politikës dhe të vërtetës siç e përshkruan në eseun e saj “ E vërteta dhe politika”, filozofja Hanna Arendt.
Aferat e mëhershme dhe kjo fundit me rastin “Zhvatja” e dëshmojnë ndërlidhjen fatale të politikës me keqbërjen që tash për tash nuk dihet se si mund të tejkalohet në rrafshin konceptual. E vërteta lëngon dhe mund të shmanget lehtësisht nëpërmjet komunikatave dhe konferencave për shtyp. Sistemi i drejtësisë që e nënkupton edhe paqen shoqërore mbi të gjitha nënkupton të vërtetën të proceduar në kornizat ligjore dhe institucioneve që garantojnë paanshëmrinë në fajësinë e mundshme.
Por, kjo punë nuk duket kaq e lehtë, sepse gjithnjë në skenë do të shfaqet “post e vërteta” me diskursin e saj manipulues, me “argumentet alternative” me gjithë atë që nënkupton mjegull për qytetarët. Koha është për vërtetësi dhe jo për akrobacione, për përgjegjesi dhe jo për shmangie nga drejtësia, për reforma serioze dhe jo për improvizime dhe së fundmi për politika të qënrdrueshme që hapin perspektiv dhe jo për mashtrime të radhës me të cilat tashmë janë lodhur qytetarët.
Marrë nga inbox7