E premte, 26 Korrik, 2024

INTERVISTË, KATE BYRNES: ZAEV TË KËRKOJË PËRGJEGJËSI NGA FUNKSIONARËT QEVERITARË

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kejt Bërns në një intervistë ekskluzive për ALSAT duke komentuar skandalin tashmë të njohur me emrin “Reket”, në të cilin ka pretendime për përfshirjen e mundshme të prokurores Speciale Katica Janeva, u shpreh se qëndrimi i SHBA-së është të ketë një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent, ndërsa nxisin kryeministrin Zaev për përgjegjësi të zyrtarëve të qeverisë.

Ju erdhët në Maqedoninë e Veriut dy javë më parë. Cilat janë prioritetet tuaja kryesore për avancimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut?

Faleminderit, Arta për ftesën dhe mundësinë për të folur mbi prioritetet e mia.  Siç e dini, sapo kam mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe është kohë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Jemi të lumtur të mirëpresim Maqedoninë e Veriut si anëtare të 30 të Aleancës NATO deri në fund të këtij viti. Dhe si aleatë, presim që partneriteti ynë të përforcohet edhe më tepër, i lidhur me përkushtimin tonë të përbashkët ndaj sigurisë dhe prosperitetit në këtë rajon dhe më gjerë. Nuk ka lidhje më të fortë se kjo. Kështu që, unë jam e nderuar të drejtoj misionin e SHBA-së në një kohë, që besoj do të sjell ndryshime pozitive.  Do të kem tre prioritete. I pari është të promovoj stabilitet nëpërmjet institucioneve të fuqishme dhe të vazhdoj të mbështes përpjekjet e mëtejshme të Qeverisë për reforma dhe zbatim të sundimit të ligjit. E dyta,  do përkushtohem në mbështetjen e prosperitetit nëpërmjet programeve tona për ndihmë, si dhe nëpërmjet partneritetit me sektorin privat. Prioriteti i tretë sigurisht është rritja e sigurisë tonë të përbashkët, nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Dhe kur jemi tek NATO, a mund të na tregoni se në cilën fazë është miratimi i Protokollit në Senatin Amerikan për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO?

Siç e dini, SHBA mbështet fuqimisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Kalendari i Senatit Amerikan mund të jetë paksa i paparashikueshëm sidomos në këtë periudhë të vitit, por ne shpresojmë se Senati amerikan do ta bëjë ratifikimin për NATO këtë verë ose në fillim të vjeshtës. Në fakt, Maqedonia e Veriut e ka dëshmuar se është një partner stabil në fushën e sigurisë. Ekziston vullneti kolektiv për mbështetje të sigurisë në rajon dhe ka dëshmuar se do të jetë një aleat i fuqishëm i NATO-s.  Në fakt, muajin e kaluar, Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e stërvitjes ushtarake “Goditje Vendimtare”, që përfundoi kur unë sapo erdha. Kjo stërvitje është një shembull i mirë për atë se si vendi juaj tashmë po kontribuon në sigurinë e Aleancës. Po tregon se ushtarët tanë tashmë po punojnë bashkë për t’u përballuar me kërcënimet në të ardhmen. Dhe presim që edhe në të ardhmen të ketë stërvitje dhe aktivitete të tilla të përbashkëta si pjesë e bashkëpunimit tonë të gjerë.

Dhe ndërkohë që kur keni ardhur në Shkup, ne kemi parë, të themi, zhvillime dramatike sa i përket krimit dhe ndërlidhjes së tij me institucionet dhe bartës të tij. Çfarë vlerësimi keni mbi skandalin tashmë me emrin “Reket”, në të cilin ka pretendime për përfshirjen e mundshme të Prokurores Speciale, Katica Janeva?

Këto janë pretendime shumë serioze, dhe në të gjitha rastet kur ka pretendime për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, ne mbështetim një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent. Është absolutisht kritike, që në cilindo rast me pretendime të tilla, personat të përgjigjen dhe Qeveria të veprojë. Ne njohim dhe përshëndesim hapat e marra nga Qeveria për t’i dhënë fund korrupsionit dhe të luftojë mosndëshkimin. Por ka akoma shumë punë që duhet kryer. Dhe ne do vazhdojmë të nxisim kryeministrin Zaev që të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë zyrtarët qeveritar dhe të sigurojë që pavarësisht nga niveli i funksionit, se njerëzit të kenë besim tek institucionet qeveritare dhe ajo që ata mund të bëjnë për ta.

Dhe pas shpërthimit të këtij skandali, zonja Ambasadore, si e shihni ju të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike? Duhet të vazhdojë së ekzistuari ose jo?

Ne sigurisht që po i ndjekim zhvillimet aktuale. Ne mbështesim një Prokurori të fortë, të pavarur. Besojmë se është e rëndësishme të ruhen aftësitë e Prokurorisë Speciale dhe kjo do të përcjellë një sinjal të qartë te qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe komunitetit ndërkombëtar se Maqedonia e Veriut është tërësisht e përkushtuar që sundimi i së drejtës të ecë përpara. Gjithashtu është një etapë shumë e rëndësishme për në NATO dhe BE.

Në Maqedoninë e Veriut dialogu politik është në nivel minimal të themi, por për zbatimin e reformave ky dialog është i domosdoshëm. A prisni të ketë dialog mes partive politike të vendit?

Në fillim më lejoni të them se Maqedonia e Veriut ka qenë një partner strategjik për një kohë të gjatë.  Për 25 vjet kemi punuar për të mbështetur aspiratat e Maqedonisë së Veriut që t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së, si një demokraci stabile, përparimtare dhe inkluzive. Dhe si në çdo demokraci është absolutisht kritike që liderët politikë të mbështesin reformat, që njerëzit dhe qytetarët duan. Ne do të jemi partner në atë përpjekje, siç kemi qenë, dhe SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e përkushtuar të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, liderët dhe qytetarë në vend për të promovuar një dialog politik pozitiv dhe konstruktiv. Dhe po presim që të vijë ndihmës sekretari i shtetit Riker në rajon këtë javë, do të jetë në Maqedoninë e Veriut në fund të javës, të takohet me njerëz nga spektri politik, si dhe qytetarë dhe të dëgjoj mendimet e tyre.

Unë ju falënderoj që ishit në Alsat, në intervistën e parë tuajën që kur keni ardhur si Ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Faleminderit që më ftuat këtu.

Faleminderit edhe një herë.  

Të fundit