E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Gabimet e historiografisë maqedonase

Projekti historik i Maqedonisë së pavarur dhe krijimi i kombit maqedonas, i kontestuar nga qarqe bullgare dekada me radhë, i kanë çuar historianët maqedonas në një rrugë të gabuar, atë të shtrembërimit të fakteve

 

Shkruan: Daut DAUTI

 

Debatojnë në një emision televiziv një bullgar i deklaruar , ndër të rrallët në Maqedoni, dhe një historian maqedonas. I flet bullgari historianit: Më tregoni ku është deklaruar Goce Dellçevi si bullgar. Historiani i citon një vepër të një autori… Bullgari ia kthen me triumfalizëm: Ju po më citoni një vepër letrare, ku Goce Dellçevi është personazh dhe në vepër letrare, gjithçka mund të trillohet… Do të thotë dikush, vallë është e mundur që një historian të marrë si fakt historik një vepër letrare për të dëshmuar diçka?

KOMPLEKSI I AFËRSISË ME BULLGARËT…

Debatin për rrënjët e Goce Dellçevit dhe çështja e ekzistimit (të pamohueshëm) të popullit maqedonas, mendoj se u absolvua në dy vazhdimet e kaluara. Historiografia maqedonase është përplot zbrazëti të cilat janë mbushur me teza ose metodologji jo shkencore. Projekti historik i Maqedonisë së pavarur dhe krijimi i kombit maqedonas, i kontestuar nga qarqe bullgare dekada me radhë, i kanë çuar historianët maqedonas në një rrugë të gabuar, atë të shtrembërimit të fakteve. Jo vetëm që janë përpjekur ta shkruajnë historinë me qëllim të largimit nga çfarëdo lidhje(origjine) me popujt fqinjë, kjo si detyrë shtëpie e marrë nga politika, por në një mënyrë të çuditshme i kanë bërë obligues edhe historianët tjerë jo maqedonas të hapësirës ish-jugosllave, por edhe ata shqiptarë, që të shërbehen me të njëjtat metoda! Kurse kapitulli tjetër i ironisë është kur kanë hyrë llugave me pretendime tepër ambicioze që historinë t’ua shkruajnë edhe popujve të tjerë, si bie fjala shqiptarëve!

Nëse një diletant nga fusha e historisë i thotë historianit më nxirr dokument për origjinën e Goce Dellçevit ku është deklaruar si maqedonas dhe ai kërkon shpëtim te vepra letrare, atëherë kemi të bëjmë me një situatë të sikletshme, sepse fiksioni artistik nuk mund të jetë shkencë. Qëndroj pas tezës sime nga vazhdimi i kaluar se ka shumë popuj të Ballkanit me origjinë ‘të përbashkët”, por që në rrethana të caktuara historike janë veçuar. Kësaj të vërtete nuk duhet t’i iket, por të ballafaqohesh dhe me analogji rastesh të dëshmosh se mund të kesh rrënjë të përbashkët me dikë, e të kesh identitet të veçantë. Historianët maqedonas jo që nuk e marrin faktin si të tillë dhe ta interpretojnë, por atë shpesh kanë ditur dhe ta shtrembërojnë nga origjinali. Në këtë këndvështrim, këtë të vërtetë më së miri e përshkruan profesor Denko Malevski: “Krijimi i kombi maqedonas, pothuajse një gjysmë shekulli, është zhvilluar në kushte të diktaturës njëpartiake. Atëbotë, as që ka pasur dallim midis shkencës dhe ideologjisë, kështu që, historiografia maqedonase, e pa kundërshtuar nga askush, në mënyrë komode bën seleksionim të materialit faktografik në bazë të të cilit është krijuar identiteti maqedonas. Këtu s’do të kishte asgjë atipike për procesin e krijimit të cilitdo komb modern, po të mos ishin bërë edhe falsifikime të llojit fjala “bullgar” të zëvendësohet me fjalën “maqedonas”. Ndërkaq atje ku kjo nuk ka qenë e mundur, personalitetet historike janë shpallur si agjentë bullgarë të futur në një hapësirë të paramenduar të pastër maqedonase”.

As pikë, as presje nuk mund t’i shtohet kësaj, është një pohim tepër realist edhe pse heretik për mendësinë e deritashme politike e shkencore. Kjo nuk do të duhej të shpinte në revizionin identitar, sepse po të ishte e mundur, një gjë të tillë do të duhej ta bënin edhe kroatët, edhe serbët, edhe malazezët, edhe boshnjakët…, të cilët njësoj si me analogjinë bullgarë-maqedonas, mund të thuhet se gjuhët e tyre janë dialekte të njëra tjetrës, se përdorin një alfabet(serbët me malazezët)…Po, kjo nuk është udha, disa procese nisin si politike, e përfundojnë me identitete tjera. Ndaj dhe lufta për Maqedoni të pavarur dekadave të fundit të Perandorisë Osmane, e gjer te mbretëria serbe e jugosllave, ka rezultuar me këtë që kemi sot. Luhatjet identitare duken poashtu normale, ndaj siç ceka në shkrimin e kaluar, shumë veprimtarë të maqedonizmës mund të jenë deklaruar si bullgarë ose maqedonas dhe jo përherë ajo ka pasur konotacion etnik.

Në një tubim shkencor të historianëve shqiptarë nga Ballkani, mbajtur në Shkup, një historian, duke folur për kryengritjen “shqiptare-maqedonase” të 1913-tës, do të sqarojë se sipas dokumenteve të kohës, ajo është trajtuar si shqiptare-bullgare, duke shtuar se historianët duhet t’u përmbahen dokumenteve e jo t’ua ndërrojnë përmbajtjen. Kompleksi nga afërsia eventuale me bullgarët, ka bërë që historianët maqedonas t’i fryjnë së largu zjarrit që të mos digjen, por nuk kanë mbajtur llogari se me këtë mund të koriten! Ta koritin shkencën e tyre me ecejake të pashembullta dhe ndryshim faktesh!

MADHËSHTIA ANTIKE SI SHPËTIM POR DHE PAUDHËSI E RE?

Problemi kryesor në rrugën e krijimit të identitetit maqedonas, s’do mend se qëndron në pretendimin bullgar se maqedonasit janë të një gjaku me ta(pra, teza gjenetike) dhe vetë etnonimi “maqedonas” që buron nga territori gjeografik, i cili në histori burimin e ka në antikë. Rolin kyç në këto shtegtime doemos do ta luajë politika, sepse pas çdo lëvizje kombëtare qëndron ndonjë lëvizje politike, por këtu subjekti i vjetër dhe i ri VMRO, do të jetë fajtori kyç si për emancipimin kombëtar si për shtegtimet identitare. Rolin e VMRO-së historike, e cila ka pasur bredhjet e veta(herë ka dominuar rryma pro maqedonase, herë ajo probullgare…) do ta kërcejmë, për t’u ndalur në rolin e VMRO-DPMNE-së së tashme, sepse edhe ajo brenda tri dekadash i bëri këto zikzake dhe ia imponoi shkencës “kornizat” identitare që i konsideronte të nevojshme!

Në fillim të pluralizmit, këtë parti e quajtën si probullgare. E vërtetë ose jo, dosjet e organeve të sigurimit janë përplot kontakte të udhëheqësve të këtij subjekti të ri në pluralizëm me përfaqësues të elitave bullgare, ndonëse ata përgënjeshtronin. E vërteta është se kishte një krah të fortë, përfaqësuar nga lideri Lubço Georgievski dhe Dosta Dimovska, që i konsideronin të tillë. Lubço Georgievski do të shkojë një hap më tutje dhe do të prekë edhe në tezat e origjinës, duke preferuar afërsinë me bullgarët, ndërsa do të përpiqet që një figurë historike që historiografia e kishte trajtuar si armik të maqedonizmës, Toor Aleksandrovin, ta paraqesë në një dritë pozitive. Kjo përpjekje e tij që të rehabilitohet kjo figurë kontroverse, do të rezultojë në periudhën kur në pushtet do të jetë trashëgimtari i tij, Nikolla Gruevski. Në radhët e para partiake, Gruevski do të ketë edhe një Antoni Milloshovski, i cili nuk do të ngurojë që babain e gjuhës letrare dhe gramatikës së maqedonishtes, Bllazhe Konevskin, ta quajë “shkurtabiqi nga Nebregova”, duke ia hedhur fajin që ai krijoi një alfabet që e largoi nga ai që ka qenë më parë në përdorim(ky që sot është i gjuhës bullgare). Pra, ajo frymë që solli Lubço Georgievski, kaloi edhe te Gruevski, por, ndodhi paradoksi. Në kohën e Nikolla Gruevskit ndodhi projekti i shumë përfolur Shkupi 2014, në thelbin e të cilit u bë një përpjekje për inxhiniering të ri identitar, jo për t’u përafruar me bullgarët, siç pretendonte Georgievski, por, për t’u larguar prej tyre, e për të kërkuar origjinën te maqedonasit antikë, ndryshe nga ç’thoshte historiografia zyrtare gjer tani!

“Shkupi 2014” sigurisht ka shumë elemente kontestuese, që nga harxhimi marramendës i mjeteve buxhetore, që nga “tubimi” në një vend i figurave historike maqedonase që kanë qenë shpesh në pozita të kundërta me njëri me tjetrin, disa prej të cilëve mund të hyjnë edhe në kategorinë e vrasësve ordinere(Qose-ja…), por duke shkuar shumë larg, duke futur gjakun e Filipin të Dytë dhe Lekës së Madh në damarët identitarë maqedonas! Gjithë atë histori të mësuar më parë nëpër shkolla se maqedonasit janë një nga popujt sllavë, se gjuha e tyre është një nga gjuhët sllave…, përnjëherë u la nën hije, që të zëvendësohet me diçka “më madhore”, më “hyjnore”, duke i dhënë krahë sharlatanizmit shkencor, me teza për “popullin biblik”!

Në nëntekstin e kësaj lëvizjeje sigurisht qëndron vetëdija për një përkatësi të veçantë maqedonase, e cila mëton të lirohet nga hija e së kaluarës, meqë asnjë pretendim nuk mund ta ktheje prapa rrotën e historisë. Me një vetëdije të pjekur tashmë për mëvetësinë etnike, nuk mund të bëhet ajo që do të dëshironte krahu probullgar i VMRO-së. Që të bëhet largimi definitiv nga e kaluara, gjëja më e logjikshme u është dukur ideologëve politikë dhe ekzekutorëve shkencorë, që të marrin antikën si bazë identiutare, që me këtë të mbysin dy miza me një shuplakë: t’i largojnë bullgarët nga “gjenetika” e tyre dhe si popull me rrënjë antike, t’ua mbyllin gojën shqiptarëve në debatin kush është më autokton në këto hapësira!

Kësisoj, subjekti i cili akuzohej si probullgar, e bëri kthesën më “antibullgare”. Si projekt politik është joshës, por si mund të jetë shkencërisht e qëndrueshme që një popull që flet një nga gjuhët sllave, të ketë rrënjë antike? Historianët që e morën flamurin ta joshin popullin e tyre me këso teorish vetmashtruese, do të shpikin dhe teori të reja, siç është njëra nga më “origjinalet”: se fiset sllave nuk kanë ardhur në Ballkan, porse nëse ka pasur dyndje, kjo ka qenë nga Ballkani për matanë Kaukazit! I thirrën në ndihmë edhe hunzët e shkretë, të cilët i pari i maqedonasve, Leka i Madh i ka “mbjellë” në Pakistan gjatë pushtimeve të tij…Kështu, në vend se të konsolidohej projekti identitar i nisur një shekull më parë, në shekullin 21 bëhet kthesa e cila fut konfuzion serioz, sepse të ndash një popull në popull antik dhe sllav, nuk është për t’u nënçmuar. A ka rënë ky projekt me rënien e garniturës politike që e ndihmoi, a do të çojnë krye përsëri të njëjtët autorë të antikuizimit, që tash duket sikur janë në defansivë, është çështje që duhet parë. (Përfundon në kolumnën e ardhshme)

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Të fundit