E shtunë, 27 Korrik, 2024

VIDEO / ZAEV “PRE” I PRANKSTERËVE RUSË, I TREGON TË GJITHA SEKRETET

Së pari lidhet me Petre Poroshenkon, atëherë president i Ukrainës, e më pastaj në lidhje futet edhe sekretari i përgjithshëm i NATOs Jens Stoltenberg.
Duket kjo e pabesueshme, por aspak e dyshimtë për kryeministrin, Zoran Zaev, i cili është  hapur tërësisht para dy komedianëve rusë që ishin shtirur si Poroshenko e Stoltenberg – Vlladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolljarov, të njohur si Vovan dhe Leksus, raporton KDPOLITIK.COM.
Zaev nuk kishte dyshuar as në pyetjet që bashkëbiseduesit ia kishin parashtruar e që kishin një prapavijë shërbimesh inteligjente. Bile as kur Poroshenko i kishte thënë se qytetin e lindjes e kishte ndërtuar Aleksandri i Madh e as kur e kishte lutur ta quajë në të ardhmen si Petre Makedonski.
Një një rast Poroshenko i rrejshëm i thotë Zaevit se edhe Ukraina ka pasur një kontest të  emrit me Uruguajn, por se e kishte zgjidhur si Maqedonia e Veriut me Greqinë, gjë që nuk është e vërtetë. Madje i ofron Zaevit që biznesin e tij me çokollata ta zgjerojë edhe në Maqedoni.
Zaev me komedianët ka folur edhe rreth marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe temës për shkëmbimin e territoreve, që, sipas Zaevit, nuk është e pranueshme, pasi idetë e tilla janë treguar në të kaluarën si shkaktare të luftërave.
Gjatë ditës së sotme Zaev e  pranoi se ka qenë viktimë e komedianëve rusë, duke akuzuar se bëhet fjalë për një skenar anti-NATO.
“Kjo është një nga ato përpjekjet për dëmtim direkt të interesave tona strategjike, që ta përfundojmë procesin tonë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Ato janë struktura të mirëorganizuara për shpërndarje të ndikimit të palës së tretë. Ajo nuk është vështirë të vlerësohet, se ajo është ashtu, kur tashmë është e dukshme se manipulimi kur ato vijnë nga media, propaganda, me qëndrime të shprehura anti-NATO, kurse në vendin tonë të parat i kanë përcjellë kanalet mediale të cilat për çdo ditë shpërndajnë të pavërteta anti-NATO dhe dezinformata. Në këtë rast me të e diskretitimit politik jam unë, por nuk jam i vetmi”.
Zaev kërkoi falje por tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje.
“Nuk kam asnjë qëllim të jap dorëheqje, nga ky proces do të dalim edhe më të fortë, nuk mendoj se duhet të “shtrëngoj” komunikimin tim, dua të bisedoj dhe të ndaj informata, unë jam shumë i hapur, por për fat të keq ndonjëherë kjo gjë sjell gjëra të hidhura”.
Zaev nuk është viktima e vetme e komedianëve rusë. Më herët në kurthet e tyre ranë edhe  kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, presidenti i Francës, Emanuel Makron, i cili mendonte se po fliste me presidentin e ri ukrainas Vlladimir Zelenski, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Xhonson, duke u prezantuar si kryeministri i Armenisë Nikoll Pashijan, vetë sekretari i përgjithshëm i NATOs Jens Stoltenberg dhe afër 400 figura politike e publike nga e mbarë bota.
Dy komedianët dyshohet të jenë mjet i Kremlinit që përdoren për të marrë informacion dhe për të diskredituar politikanët që nuk kanë raporte miqësore me Rusinë.
©️KDP
LINK DERI TE VIDEOJA: https://m.youtube.com/watch?v=h4NMVZiaFv8&feature=youtu.be

Të fundit