E hënë, 7 Tetor, 2024

UNIFIKIMI DIPLOMATIK SHQIPËRI-KOSOVË NXIT REAGIME NË RUSI

Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore, njofton Radio Evropa e Lirë. Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.

Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje ka për qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme.

“Synimi është ngritja dhe zhvillimi i mekanizmave të përbashkët të veprimit politik, diplomatik dhe konsullor për t’i dhënë një shtytje angazhimit të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe për të fuqizuar rolin e diplomacive tona në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Ai tha se me marrëveshjen e nënshkruar përfitimet do të jenë të dyanshme.

“Marrë para sysh faktin se Kosova në vazhdim ka një oponencë të fuqishme në Republikën e Serbisë, e mbështetur nga Rusia dhe vendet tjera mosnjohëse të Kosovës, me anë të kësaj marrëveshjeje kemi bërë hapa konkret që të ndihmojmë njëra-tjetrën në avancimin e pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Sipas zotimit të shprehur nga të dy qeveritë, asaj në Prishtinë dhe asaj në Tiranë, nga pikëpamja diplomatike marrëveshja inicion fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim të krijimit të hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Po ashtu marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës, anekënd globit. Me marrëveshje parashihet që në Akademitë Diplomatike përkatëse të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët, si dhe pikëpamja e diplomacisë kulturore.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës të mbajtur më 2 korrik, tha se kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Ky zhvillim shënon rritje të pranisë tonë diplomacisë, avancim të kapaciteteve tona të përbashkëta dhe gjithsesi një përafrim më të madh midis Kosovës e Shqipërisë”, ka deklaruar Cakaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e tilla janë normale dhe u shërbejnë shteteve përkatëse. Ai tha se ky veprim është normal dhe një nisme e tillë ndihmon në zhvillimin e mëtejme të politikës së jashtme.

“Natyrisht, që diplomacia ndërkombëtare e ka të qartë se fjala është për një bashkëpunim ndërshtetëror midis dy vendeve, sigurisht duke ruajtur premisat e qarta dhe prerogativat e qarta shtetërore të të dy vendeve. Nuk është fjala për ‘Shqipëri të Madhe’ e as ‘të vogël’, por është fjala për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme në mes të dy vendeve që janë vende vëllazërore mes tyre dhe është praktikë normale ndërkombëtare dhe e quaj një gjë të përparuar”, tha Kiçmari.

Por, ndaj nismës për unifikimin diplomatik e konsullor të Kosovës e Shqipërisë kanë reaguar Serbia dhe Rusia. Të dy këto vende që njihen edhe si kundërshtare të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e kanë cilësuar si hap drejt realizimit të synimeve për, siç thuhet, “Shqipërinë e Madhe”.

Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se hapa të tillë në Prishtinë dhe Tiranë shkaktojnë shqetësim serioz.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.

“Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka cilësuar marrëveshjen për bashkëpunim në politikën e jashtme të Prishtinës dhe Tiranës si përpjekje për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Kryediplomati serb ka pyetur se çka do të ndodhte nëse Serbia do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Republikën Serbe. Sipas tij, edhe Serbia dhe Republika Serbe mund të veprojnë njësoj sikurse Prishtina dhe Tirana, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Nisur nga këto reagime, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli ka thënë se “Serbia apo dikush tjetër nuk duhet të shqetësohet kur dy vende fqinje kanë bashkëpunim të fortë dhe të ngushtë, por kur një fqinj tjetër e bashkon politikën e tij të jashtme me akterë tjerë të palëve të treta, të cilët nuk kanë vend në rajonin tonë. Atëherë ky është shqetësim për stabilitetin tonë rajonal, jo për bashkëpunimin”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Ndryshe, nisma për unifikimin e misioneve, apo disa misioneve diplomatike e konsullore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë daton që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Të fundit