E premte, 13 Dhjetor, 2024

SFIDAT E PAS 30 QERSHORIT

“Rezultati” i këtyre zgjedhjeve tash mund të lexohet si një poezi, ku çdo kush “vargun” e lexon ashtu si dëshiron vetë, e jo si do të duhej të ishte përnjëmend.

 

Shkrun: Daut Dauti

 

Pak “rekomandime” jo diplomatike të Metju Palmerit, u deshën që zgjedhjet e 30 qershorit nga një paralajmërim të frikshëm, të shndërrohen në zgjedhjet “më të qeta” deri tash!

“Rezultati” i këtyre zgjedhjeve tash mund të lexohet si një poezi, ku çdo kush “vargun” e lexon ashtu si dëshiron vetë, e jo si do të duhej të ishte përnjëmend.

Kurse aktorët politikë bëjnë pikërisht ashtu, si të ishte një poezi hermetike, secili i merr mesazhet që i përgjigjen në këtë moment. Sa mirë për Shqipërinë, kur të gjithë janë “të kënaqur” nga rezultati, do të komentojë një analist fill pasi përfunduan zgjedhjet e së dielës. Por, nuk është se ka shumë vend për kënaqësi “të përgjithshme”.

Të martën, 2 korrik, kryetari Ilir Meta, i cili me dekretet e çdekretet e tij qartë u pozicionua me opozitën, dukej më i shterur se kurrë, më nervoz dhe më më ironik se kurrë. Gjithë kjo, në përpjekje për të mbuluar ndjenjën e humbësit, sepse ai, meqë nuk iu respektuan dekretet e tij, është institucioni që doli humbës nga këto zgjedhje.

Përpjekja e tij për ta ruajtur gjakftohtësinë në pyetjet e drejtpërdrejta lidhur me përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së për 30 qershorin, nuk mund ta pengonte që të dalë nga binarët e fjalorit diplomatik, ndaj shënjestroi edhe “disa ambasadorë”(pa i emërtuar)

Edhe më të shpërqendruar ose të çorientuar, do të duken dy liderët opozitarë, Lulzim Basha(Partia Demokratike) dhe Monika Kryemadhi(LSI), të cilët goditjen më të rëndë e morën pikërisht nga Ilir Meta, që tash para gazetarëve pohoi se u paska thënë se janë ngutur me djegien e mandateve, në çka sipas tij, i paska provokuar Edi Rama.

Nëse djegia e mandateve dhe dalja nga institucionet ka qenë njëra nga masat më radikale për “ta detyruar” Ramën të tërhiqet, mospjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit duhet të jetë gabimi tjetër i radhës që opozitarët i çuan në marjinalizimin edhe më të madh.

Këto janë ato abstinenca të cilat nuk hasën në përkrahje ndërkombëtare, siç në fund ua tërhoqën vërejtjen nga Uashingtoni “të mos prekin” me forcë në vullnetin e lirë të qytetarëve, siç ishte retorike pothuajse vëllavrasëse para vetë zgjedhjeve.

Dy veprime radikale që çuan deri te humbja e çfarëdo përkrahjeje të kauzës “së drejtë” të tyre.
Çështja është se me këto veprime nuk arritën ta detyrojnë kryeministrin Rama “të ikë”, përkundër këmbënguljes se ikja e tij është “e panegociueshme”. Në demokraci janë të rralla format e këtilla të presionit që të detyrohet të ikë dikush “pa kushte”.

Të rralla janë edhe marrëveshjet që duhet të arrihen nëse në mes palëve vihet një kusht i tillë. “Decibelat” e larta të zërit të pakënaqësisë që e përhapnin në popull, nuk qenë të mjaftueshme, sepse nuk ishte ky zë shurdhues i sirenave mitologjike që ua shurdhuan veshët bashkëluftëtarëve të Odiseut gjersa ktheheshin në Itakë.

Ky ishte zë i hallit të opozitës e cila nuk mund të pretendonte se çdo akuzë do ta detyronte Ramën të tërhiqet ose do të ndikojë te ndërkombëtarët që ata ta shtojnë presionin me masa joinstitucionale. Dështimi ishte i pashmangshëm, përderisa gjatë këtyre viteve të abstinencës nga pushteti, Lulzim Basha dhe opozitarët tjerë hallin kryesor nuk e kishin pasur as te eurointegrimet e as te reformat e sistemit, ku vetë ata nuk deshën të japin kontributin, por te marrja e pushtetit.

Lulzim Basha tash ballafaqohet edhe me një pakënaqësi të brendshme, sepse me veprimet jo taktike, bëri që për një kohë të gjatë t’i largojë nga pjesëmarrja dhe beneficionet e të gjitha pushteteve…Disa kritikë të tij jo pa ndikim(Jozefina Topalli…), tashmë e kanë drejtuar gishtin kah ai.

Fituesi i 30 qershorit, Edi Rama, mund të mbajë kokën lartë që nuk lejoi të bëhet presedencë me shtyrje zgjedhjesh, por ana tjetër e medaljes e pret pak më tutje, dhe vjeshta për të mund të jetë më e nxehtë se kjo verë për opozitën.

Boshllëku institucional me mungesën e Gjykatës Kushtetuese kësaj radhe ishte në anën e tij, por dekreti i presidentit Meta për zgjedhje lokale më 13 tetor është një “shpatë Demokleu” që mund të përmbysë gjithçka. Ndërkombëtarët i ndihmuan që ta fitojë brenda skemës institucionale betejën e 30 qershorin, por akti i dytë, me një gjykatë kushtetuese të konsoliduar, mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

Mos të harrojmë se, përkundër të gjitha veprimeve të gabuara të opozitës, me gjuhën e urrejtjes dhe paralajmërimet për veprim radikale, që e penguan amerikanët në momentin e fundit, aspekti politik i krizës vazhdon të jetë i rëndë, sepse qeverisja e Ramës është larg që të ketë qenë ideale dhe akuzat për lidhjet e pushtetarëve të tij me krimin, assesi nuk janë për të bërë “batuta”, siç di ai t’i hedhë kodër më kodër oponentët.

Këto të vërteta janë kauza më e fortë e opozitës, e cila ndonëse nuk dijti t’i shfrytëzojë, i ka gjithnjë “asa” në pokerin politik të radhës. Ndoshta dhe për këtë arsye Rama, pasi u mbyllën kutitë e votimit shprehu fleksibilitetin për bisedime me opozitën…

Të fundit