E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

PSE SHQIPTARËT NUK I MBUSHËN RRUGËT E SHESHET PAS ‘BOMBAVE’ TË EL CHEKËS?

Shkruan: Petrit Saraçini

 

Nuk është hera e parë që shqiptarët dëgjojnë “bomba”, të dashurit e mi. Biseda të lidhura me “protagonistët” e njëjtë, dëgjuam edhe nja 4 vite më parë. Vërtet, më pak episode e hollësira, por qysh atëherë e morëm vesh se çfarë sportesh luajnë “baballarët e shqiptarëve” me shqiptarët. E çfarë ndodhi para 4 viteve? Përveç atyre që edhe atëherë edhe sot ishin me pushtetin dhe heshtnin, atëherë, një pjesë e shqiptarëve kundërshtuan, e ngritën zërin dhe iu bashkëngjitën revoltës mbarëqytetare, pa dallim të përkatësive. Por një pjesë e atyre që ishin në opozitë thoshin: nuk na interesojnë bombat e Zaevit, kjo është luftë ndër-politike në kampin maqedonas, nuk duhet shqiptarët të përzihen.

Përse e nisa këtë shkrim me bombat e para 4 viteve? Thjeshtë për t’ua nxjerrë në pah “dështimin” e parë të bombave që boton El Cheka. Bombat e Zaevit mobilizonin jo vetëm maqedonasit, por flisnin për hallet e të gjithëve. Edhe mobilizimi i revoltës bëhej duke u drejtuar të gjithëve. “Bombat” e El Chekës, nuk u drejtohen as të gjithë shqiptarëve bile, por një pjese të tyre. Këto bomba as që synojnë të fitojnë vëmendjen dhe simpatitë e atyre që janë për shkaqe të ndryshme në shërbim të “protagonistëve”, a as të atyre që ishin me ndryshimet të cilat i solli Zaevi dhe bombat e tij. Përkundrazi, që nga fillimi konfrontim – me “tradhtarët”.

Këtu dalim te dështimi i dytë. Kush i shpall “bombat”? Nga ajo që dimë, ato botohen nga një njeri me prejardhje nga Maqedonia i cili jeton në Amerikë, e atij ia japin pjesëtarë të “Grupit të Kumanovës” që janë në burg për rastin, kur njësiti i tyre i armatosur dhe ilegal hyri në një lagje urbane të Kumanovës dhe u ballafaqua me policinë speciale, me ç rast pati mbi 20 të vrarë te të dyja palët. Pra, nuk bëhet fjalë për faktor politik, por për një formacion ilegal ushtarako-politik, i cili është recidiv nga variantet e UÇK-së së dikurshme. Se pse pjesëtarët e tij janë pozitën në të cilën janë, të pasistemuar në sistemin e sigurisë të vendit-amë, të rënë në grackën e orkestruar të ashtuquajtur “pettit guerre” në Kumanovë për të cilën fliten dhe spekulohen shumë gjëra, është çështje fare tjetër, për të cilën po ashtu duhet të reflektojnë dhe përgjigjen elitat politike shqiptare. Por mbetet fakti se prapa këtyre bombave nuk qëndron qartë dhe hapur asnjë faktor politik. Që shton rezervat e popullit.

Edhe një gjë tjetër kur jemi te ‘shtrirja’, faktorët politik dhe ndërtimi i aleancave për ndryshime. Mos harroni, në protestat e 2015-tës dhe 2016-tës, përveç aktivistëve joqeveritarë dhe mbarë shoqërisë civile progresive, u kyçën pothuajse të gjitha partitë maqedonase dhe shqiptare jashtë ombrellës së VMRO-së dhe BDI-së. Në të njëjtën protestë kishit Zaevin me sektorin joqeveritar, por edhe Lubço Georgievskin, Pavle Trajanovin, Lube Boshkoskin, në protesta i kishit edhe disa parti shqiptare (po po, dilnin ne protesta edhe Lëvizja BESA, Uniteti, PPD-ja…).

Pothuajse të gjithë, përveç një pjese të opozitës shqiptare (po e përsëris) që thoshte – jo, bombat nuk kanë lidhje me shqiptarët. Sikur Gruevski dhe banda e tij po vidhte vetëm atë pjesë të buxhetit që e mbushin jo-shqiptarët, sikur po shkatërrohet vetëm pjesa jo-shqiptare e shtetit. Ja ta zëmë se edhe ka ndonjë faktor politik që mund të vihet në krye të valës së ndryshimit që mund të sjellin “bombat” (mu sikur me Zaevin dikur), dhe se ai faktor mund të jetë opozita shqiptare në Maqedoni. Por, e keni parë çfarë bën opozita? Vallë ndërton opozita shqiptare aleanca siç ndërtonte Zaevi? Apo tash akuzon për heshtje të bombave të njëjtit ata që kur e ftonin për protesta 4 vite më parë, i injoronte dhe i shpallte “tradhtarë”?

Jo. opozita nuk ndërton narrative bashkuese, por përçarëse dhe konfrontuese. Së pari me vite përçahet e rigrupohet përbrenda. Përveç konfrontimit me BDI-stët, konfrontohet me shqiptarët që simpatizojnë partitë tjera shqiptare në pushtet, LSDM-në, me të pavarurit, me çdo mendim apo strategji ndryshe. Narativi akoma mbetet një nacionalizëm anakronik e provincial, i cili, ngjashëm si narrativi i atyre që po shkrepin “bombat” merret me ëndrrat e vjetra, me shqiponja, flamuj, me dikotomitë etnike…

Përveç gjithë kësaj, mos harroni edhe një gjë shumë të rëndësishme. Shqiptarët veçmë mbushën sheshet para 4 viteve dhe i ndihmuan Zaevit të ua heqë të gjithëve qafësh Gruevskin dhe kriminelët e tij. Sa për “bombat” e Zaevit, u pa edhe puna e tyre. U formua PSP, një pjesë e kriminelëve po shëtisin nëpër paraburgime, gjykata, mirëpo epilog më konkret dhe më domethënës akoma nuk ka. Kryekrimineli i iku drejtësisë dhe është në Budapest. Shumë prej atyre që dhanë shumë energji para 4 viteve, janë të dëshpëruar edhe nga ajo se si u zhvilluan gjërat pas rënies së Gruevskit, edhe për efektet gjyqësore të bombave. Me duket se ka të tillë që as bomba atomike nuk do t’i zgjonte nga defetizmi dhe letargjia, në luftë kundër “armikut”.

E të mos flasim se vendi është boshatisur. Sheshet, dita ditës, do të mbushen më vështirë në Maqedoni. Rinia po ik, po ik secili që nuk ka ndonjë pune të hajrit, apo punë të sigurtë – në administratë.

Kur veçmë e përmenda administratën, kush është “armiku” karshi ndryshimeve? Një parti politike që është në pushtet 18 vjet, e cila bart trashëgiminë e një ushtrie guerile që deklarohej se luftonte për të drejta të shqiptarëve, me një pjesë të lidershipit të dyshuar për përfshirje në krim dhe korrupsion të thellë, por e cila është një makineri e konsoliduar institucionale, dhe që ka edhe disa rezultate kapitale për të drejtat e shqiptarëve, kyçur këtu edhe edhe “përfaqësimit adekuat”, përmes së cilit në institucione ka edhe mijëra “borxhlinj” apo ushtri të dëgjueshme partiake, e cila voton.

Para kësaj partie gjendet një rrezik tjetër shumë më i madh, ai i përmbushjes së misionit dhe zhdukjes së shkaqeve për ekzistimin e vetë partisë – Maqedonia po hyn në NATO, të drejtat e shqiptarëve në letër nga Marrëveshja e Ohrit po përfundohen…e “konsenzualtiteti” nuk është kryefjalë për epokën e re, sado që i jep zor BDI-ja, ata edhe vetë e dinë. U duhet rifreskim, njerëz fare të rinj dhe narrativ i ri për periudhën post-NATO dhe MO. Rifreskim që mund ta sjellë vetëm reflektimi në opozitë. Mirëpo, ai rrezik, me opozitë të këtillë, është akoma larg.

Vallë mendoni, në këto kushte dhe rrethana që i shtjellova më sipër, se faktor që do të nxjerrë shqiptarët në rrugë (dhe në vendvotime) mund bëhet një zë i vetmuar që flet nga Amerika me shokë në burg, e që nuk është Zëri e Amerikës? Një person e ca njerëz, që ka simpatitë e popullit, por as mbështetje politike e as ndonjë strategji për të bërë “bombat” interesante jo vetëm për një pjesë të shqiptarëve, por së paku për të gjithë ata, e pse jo edhe për të tjerët? Unë, t’u them sinqerisht, nuk e besoj.

Vallë jemi bërë peng i një lufte mes një mentaliteti “indian” e klientelist që ka një kohë që po zë rrënjë mes shqiptarëve, me të cilin momentalisht po ballafaqohet vetëm një mentalitet rigjid nacional-romantik e provincial, i cili i refuzon të ndryshmit dhe nuk ka fuqi të bëjë një mobilizim më të gjërë shoqëror për të bërë presion për ndryshim? Po, jemi bërë. E çlirimi nga kjo pengmarrje bëhet vetëm përmes bashkimit. Jo të të njëjtëve, por të të ndryshmëve.

 

Marrë nga profili i autorit në Facebook

Të fundit