E mërkurë, 15 Maj, 2024

MES KLISHEVE DHE PARALAJMËRIMEVE

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Rruga drejt Bashkimit Europian po kalon përmes klisheve dhe një realiteti të zymtë që dita-ditës po krijon një zhgënjim te qytetarët. Entuziazmi i qeverisë aktuale nisi me qershorin si një muaj i paralajmëruar feste dhe përfundoi me riformatimin e qeverisë. Një ndryshim që në opinion u komentua vetëm si një fasadë, pa ndonjë ide thelbësore për të ndryshuar konceptin e qeverisjes, i cili gjithnjë e më tepër duket se mbetet pa përgjigje për shumë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët. Në fakt, qytetarët, tashmë janë mësuar me ndryshime të këtilla kozmetike që proklamohen si impulse të reja, por që në esencë janë në sinkron me avazin e vjetër. Edhe këto ndryshime të fundit në kabinetin qeveritar nga opinioni janë perceptuar si riciklime pozicionesh politike dhe zëvendësime figurash anonime.

Mbetet e drejtë legjitime e qeverisë të vendosë se sa funksionarë do të ndërrojë dhe për çfarë cilësie do të angazhohet, por gjithashtu mbetet ligj i pashkruar që qytetarët dinë t’i dallojnë ndryshimet e vërteta nga improvizimet. Nevoja për ndryshime cilësore që nënkupton në radhë të parë ndryshimin e konceptit të qeverisjes tashmë mbetet imperativ urgjent në kohën kur Maqedonia e Veriut synon një datë për fillimin e bisedimeve, që pritet që të caktohen për në vjeshtë. Maqedonia e Veriut ka krijuar një predispozitë gjeorajonale për të aspiruar drejt integrimeve euroatlantike, por kjo nuk mjafton, sepse gjithë ky proces nënkupton një reflektim të brendshëm politik për të përbrendësuar standardet tashmë shumë më të rrepta të cilat po i vendosë BE.

Duket se “përkëdheljet” e bashkësisë ndërkombëtare gjithnjë do të jenë më të pakta, ndërkohë që rruga drejt BE-së do të varet tërësisht nga reformat të precizuara që nga Raporti i Pribes dhe që janë ripërsëritur në raportet e fundit të Komisionit Europian. Këto raporte nënkuptojnë reforma thelbësore institucionale, të cilat do t’iu përgjigjen gjithë problemeve të grumbulluara disavjeçare. Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, përfaqësimi kualitativ në institucione dhe transparenca e plotë mbeten sfida për të cilat, siç duket, nuk do të ketë lëshime.

Maqedonia Veriut përmbi një dekadë ka kaluar nëpër një qeverisje autokratike, fytyra e së cilës identifikohej me afera korruptive, me mungesë transparence dhe me papërgjegjshmëri të skajshme në krijimin e politikave publike. Pikërisht, kjo fytyrë e zymtë e një qeverisjeje jodemokratike duket se po provon të rikthehet nëpërmjet improvizimeve dhe koncentrimit të pushtetit vetëm në duart e disa njerëzve që mbeten të paprekshëm. Nëse deri më tash qeveria aktuale nuk ka pasur rezultate konkrete të prekshme, kjo ka ardhur pikërisht për shkak të këtyre improvizimeve dhe për shkak të bartësve të funksioneve publike që nuk kanë treguar minimumin e perfomancës në menaxhimin institucional.

Pavarësisht nga një kontekst i gjerë që i ka dhënë një suport të padiskutueshëm qeverisë aktuale në orientimin e saj fillimtar pro integrimeve, duket se me kalimin e kohës këto benifite politike po harxhohen nga një mungesë vizioni mbi të ardhmen e qytetarëve. Gjithnjë e më tepër nënkuptohet që nuk do të ketë ndonjë “tolerim” nga BE në raport me “detyrat e shtëpisë”, përkundër faktit që përfaqësues të lartë europianë kanë kërkuar hapjen e bisedimeve në vjeshte.

Një paralajmërim të këtillë këtyre ditëve e ka bërë, ambasadori francez në Shkup, Timonie, sipas të cilit edhe shumë punë duhet të bëhen për të marrë datë për fillimin e bisedimeve. Ambasadori ka afishuar korrupsionin si dhe diletantizmin në ndërrimin e drejtorëve të shkollave. Ai ka theksuar gjithashtu se hapja e bisedimeve nuk duhet të jetë një obsesion, përkundrazi duhet të bëhen reformat e domosdoshme të cilat sigurojnë integrim. Duket një paralajmërim që duhet ta kthjellojë qeverinë aktuale, sidomos për faktin që vjeshta është shumë afër, ndërkohë që asgjë nuk është e sigurtë për fillimin e bisedimeve.

Ekziston si duket një keqkuptim që duhet të tejkalohet mes politikanëve të këtushëm dhe kritereve tashmë të vendosura nga BE. Hapja e bisedimeve që mbetet vetëm një fillim nuk do të ndodhë nëse vazhdohet me ndryshime të improvizuara. Tingëllon si klishe qeveritare se vendi e meriton hapjen e bisedimeve, ndërkohë që në BE dihet tashmë se ka një përplasje mes dy konceptesh e që ndërlidhen me idenë e thellimit njëherë të idesë europiane dhe idesë për zgjerim me vende tjera. Ky debat do të vazhdojë edhe gjatë kohës që Maqedonia e Veriut do të pretendojë hapjen e bisedimeve. Në rrugë e sipër shihet tashmë se kriteret për hapjen e bisedimeve gjithnjë e më tepër bëhen më të rrepta. Këtë e kishte deklaruar edhe ambasadori Timonie, si cili ka lënë të kuptohet se beteja për përbrendësim të standardeve europiane mbetet objektivi kryesor që kërkon angazhim të përhershëm dhe real në rrugën e anëtarësimit.

Absolutisht koha është shumë e shkurtër për të shpresuar në ndryshime të mëdha që mund të krijojnë predispozitën e domosdoshme për hapjen e bisedimeve. Ndryshimet kozmetike, siç janë vlerësuar nga shumë aktorë të jetës publike, akoma më tepër e vështirësojnë këtë pretendim. Gjatë tërë kohës është piketuar mungesa e kapaciteteve të qeverisë aktuale në procesin e standardizimit të jetës institucionale dhe publike në përputhje më sistemin e vlerave të BE-së. Në Maqedoni e Veriut në ndërkohë është konsoliduar një shoqëri civile me kapacitete shumë më të avancuara që ka përmbrendësuar praktika europiane. Mbase një interaksion shumë më përmbajtësor i qeverisë me aktorët e shoqërisë civile mund të krijojë një sinergji për të përballuar sfidat e vështira. Koncentrimi i këtij pretendimi vetëm në duart e politikës duket një mision i pamundur, sidomos në kohën kur kapacitet e bartësve të jetës publike janë vlerësuar nën çdo nivel. Vetëm ky interaksion mund t’iu japë fund improvizimeve që politika i “shet” si shpëtime të përkohshme.

Pavarësisht nga gjithçka vizioni për në BE nuk mund të jetë një klishe politike që përfundon në parullën “ ne e meritojmë fillimin e bisedimeve”, ose kondensimi në një moment të vetëm i gjithë përpjekjes që në vjeshtë do të caktohet data. Të gjitha paralajmërimet lënë të kuptohet se duhen reforma thelbësore dhe të përhershme. Ky fakt i ballafaqon klishetë me realitetin e brendshëm që ndërlidhet me një vullnet politik gjithëpërfshirës në rrugën e një transformimi të madh konceptual. Europa fillon tash e këtu nëpërmjet reformave të mirëfillta që vijnë si rezultatet i politikave koherente publike. Ajo do të mbetet e largët për sa kohë vazhdohet me improvizimet e momentit.

 

Marrë nga Inbox7

Të fundit