Gorjan Jovanovski, këshilltar i pavarur në Këshillin e Qytetit të Shkupit nga iniciativa qytetare “Qytet i Gjelbër dhe Human”, tha se kandidatët e pavarur kanë potencial të arrijnë rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke shfrytëzuar zhgënjimin e qytetarëve nga partitë tradicionale, përcjell KDP.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai vlerësoi se propozimi aktual për rritjen e numrit të nevojshëm të nënshkrimeve për kandidim përbën përpjekje nga partitë politike për t’i përjashtuar të pavarurit nga gara zgjedhore.
“Është e dukshme bashkëveprimi i partive të mëdha kundër kandidatëve të pavarur. Megjithatë, ne do të kandidojmë, edhe nëse duhet të mbledhim më shumë nënshkrime. Qëllimi është ta shndërrojmë zemërimin e qytetarëve në rezultat”, tha Jovanovski.
Sipas propozimit të ri ligjor, për një listë këshilltarësh në Qytetin e Shkupit do të kërkohen 3.500 nënshkrime, në krahasim me 1.000 sa nevojiteshin më parë. Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar më parë përpjekjen për rritjen e këtij pragu, por partitë po e shtyjnë sërish përpara idenë, që sipas Jovanovskit është antikushtetuese.
“Kemi kontaktuar edhe me institucionet, përfshirë kabinetin e presidentes. Presim që Gordana Siljanovska-Davkova të mos e nënshkruajë ligjin nëse miratohet, por e dimë se nëse Kuvendi e voton sërish, ajo do detyrohet ta nënshkruajë”, theksoi ai.
Iniciativa “Qytet i Gjelbër dhe Human” tashmë ka hapur thirrjen “Kandidati Im”, përmes së cilës banorët e Shkupit mund të aplikojnë për të qenë në listën e këshilltarëve. Sipas Jovanovskit, deri tani janë paraqitur rreth dhjetë vetë.
“Dëshirojmë të inkurajojmë qytetarët që frikësohen nga përfshirja politike. Politika nuk duhet të shmanget – është e drejtë dhe detyrë qytetare”, shtoi ai.
Lidhur me mundësinë e një kandidati për kryetar të qytetit, Jovanovski tha se vendimi ende nuk është marrë, por shprehu gatishmëri për bashkëpunim me grupe të tjera të pavarura në vend.
Në përbërjen aktuale të Këshillit, “Qytet i Gjelbër dhe Human” ka vetëm dy nga gjithsej 45 këshilltarë. Megjithatë, Jovanovski thotë se edhe me këtë numër të vogël kanë arritur të sigurojnë transparencë dhe ndikim në vendimmarrje.
“Këshilli nuk publikonte as rend dite, as votime, as mbledhje. Ne i publikojmë në platformën mojgrad.mk. Çdo votim është i hapur për publikun”, tha ai.
Sa i përket ndotjes së ajrit, Jovanovski akuzon autoritetet lokale se nuk kanë ndërmarrë masa serioze dhe e quan qasjen e tyre një spektakël politik.
“Kemi paraqitur amendamente buxhetore dhe masa afatshkurtra e afatgjata që nuk u zbatuan. Shkupi mbeti pa Plan të Përgjithshëm Urbanistik që nga viti 2022. Kjo është e papranueshme”, tha Jovanovski.
Ai kritikon gjithashtu qasjen ndaj urbanizmit dhe ndërtimit pa leje, duke aluduar në mungesën e vazhdimësisë dhe përzgjedhjen selektive të rasteve.
“Është mirë që po zbulohen ndërtimet pa leje, por nevojitet luftë e qëndrueshme. Jo vetëm në Çair, por në të gjithë Shkupin”, theksoi ai.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme, Jovanovski shprehet optimist se rezultatet do të jenë më të mira se në vitin 2021, kur nisma e tij fitoi mbi 55.000 vota dhe u përfaqësua në 33 këshilla komunalë.
“Qëndruam të pavarur, nuk bëmë koalicione. Besoj se qytetarët do ta vlerësojnë sinqeritetin dhe përkushtimin tonë”, tha ai.
Sa i përket numrit të këshilltarëve që shpreson të ketë në përbërjen e re të Këshillit të Qytetit, Jovanovski tha:
“Do të doja të kishim të gjithë 45 këshilltarët, por kjo varet nga vullneti i qytetarëve për të ndryshuar elitën politike të vjetruar dhe për t’i besuar njerëzve të rinj, të dëshmuar përmes aktivizmit dhe punës vullnetare.”