E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MAQEDONIA E VERIUT AKTIVIZON FAZËN E TRETË TË PLANIT PËR MBROJTJE NGA VALA E TË NXEHTIT

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë aktivizuar fazën e tretë të Planit të Veprimit për Parandalimin e Pasojave të Valëve të Nxehta në Shëndetin e Popullsisë, që do të jetë në fuqi deri më 8 korrik. Vendimi u mor pas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin dhe rajonin.

Në kuadër të fazës së tretë, Ministria ka propozuar një sërë masash që janë miratuar nga Qeveria. Ndër to përfshihet përjashtimi nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, përveç atyre që punojnë në sektorë kritikë si shëndetësia, policia, ushtria dhe energjetika.

Po ashtu, parashikohet shtyrja e aktiviteteve të punës gjatë orëve më kritike të ditës (11:00–17:00) për ata që janë të ekspozuar ndaj nxehtësisë direkte, si dhe mundësia për punë në distancë apo orar fleksibil, aty ku është e mundur.

Punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë ambiente pune me temperaturë deri në 25 gradë Celsius, përveç rasteve kur procesi i punës kërkon ndryshe. Institucionet shëndetësore, ato për kujdesin ndaj të moshuarve dhe shkollat janë udhëzuar të veprojnë sipas protokolleve të brendshme për situata krizash.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me informimin e rregullt dhe zbatimin e masave në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente.

Ndërkohë, vala e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës. Paralajmërime për temperatura ekstreme janë dhënë në Portugali, Spanjë, Itali dhe Kroaci, ndërsa Franca, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta. Serbia ka regjistruar temperaturën më të lartë që nga fillimi i matjeve në shekullin e 19-të, ndërsa Sllovenia ka shënuar ditën më të nxehtë të qershorit ndonjëherë.

 

Të fundit