E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MICKOSKI: IDENTITETI DHE GJUHA MAQEDONASE PO FSHIHEN NË MËNYRË TALEBANE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve se në raportin për vendin, që pritet të miratohet javën e ardhshme në Parlamentin Evropian, nuk do të përmenden fare identiteti dhe gjuha maqedonase. Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për të fshirë në mënyrë “talebane” identitetin kombëtar të maqedonasve, tranmseton KDP.MK

“Na erdhi dita që në shekullin 21, në mënyrë talebane, të fshihet identiteti dhe gjuha maqedonase,” deklaroi Mickoski, duke iu referuar marrëveshjes së arritur, sipas eurodeputetëve bullgarë, mes tre grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian për të mos i përmendur këto çështje në raportin e deputetit Thomas Waitz.

Megjithatë, Mickoski theksoi se është për t’u vlerësuar që përmendja e identitetit dhe gjuhës maqedonase ishte pjesë e versionit të miratuar më herët nga Komiteti për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

“Por ajo që ka rëndësi është të theksohet se ajo hapësirë e vogël, kur kaloi në Komitetin për Punë të Jashtme, ku u përmendën gjuha dhe identiteti maqedonas, do të mbetet në memorien kolektive si hera e parë që u përmendën në kryeqytetin e Bashkimit Evropian – Bruksel”, tha Mickoski.

Ndërkohë, eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev njoftoi se është arritur konsensus mes tri partive kryesore evropiane për të larguar përmendjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase nga raporti. Ai vlerësoi se Parlamenti Evropian është “një hap larg” nga miratimi i këtij ndryshimi, duke shtuar se çështjet e identitetit dhe gjuhës nuk i përkasin një raporti që ka të bëjë me një vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Me kërkesë të grupit të Partisë Popullore Evropiane, tri partitë më të mëdha në Parlamentin Evropian – PPE, S&D (socialistët) dhe Renew Europe (liberalët), mbrëmë ranë dakord të fshihen të gjitha referencat për identitetin dhe gjuhën maqedonase nga draft-Raporti për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Pres që ky amendament të mbështetet nga shumica në Parlamentin Evropian javën e ardhshme në seancën plenare”, shtoi Andrej Kovaçev, eurodeputet bullgar.

Raporti për përparimin e vendit pritet të vendoset në votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian më së voni deri më 10 korrik Më parë, ky raport ka kaluar në Komitetin për Punë të Jashtme – AFET.

Të fundit