Duartrokitjet për Edi Ramën në Shkup dhe zemërimi i maqedonasve pas deklaratës së Marta Kosit e shfaqën qartë kontrastin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Shkruan: Sonja Kramarska
Titulli nuk është gabim, por përshtypje nga mënyra se si u prit në Shkup kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën dhe të martën (30 qershor / 1 korrik). Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ai u mirëprit si një atraksion turistik dhe një figurë politike e rëndësishme. Rrjetet sociale u ndezën nga fotografitë e vizitës së tij në Çarshi dhe Çair. Postimet e tij morën gjashtëfish më shumë pëlqime se ato të nikoqirit të tij, kryeministrit Hristijan Mickoski – dhe kjo në “territorin” e këtij të fundit.
Komentuesit në Facebook e ngritën Ramën në qiell:
“Asnjë politikan shqiptar deri tani s’i ka folur Europës sy më sy”;
“Shqipëria ishte e panjohur në Europë derisa u shfaqët ju”;
“Ju do t’ua jepni pasaportën europiane shqiptarëve në Maqedoni”;
“Çdo ditë ngrini më lart emrin e Shqipërisë”;
“Tronditi burokratët shqiptarë të Maqedonisë që e kthyen mbrapa vendin”;
“Politikani i vetëm shqiptar që ka bërë histori”.
Komplimentet shpërthyen nga të gjitha anët, duke e quajtur Ramën “mbret të politikës rajonale” dhe të vetmin që flet përkrah elitës evropiane.
Ky shpërthim emocionesh vjen padyshim nga përparimi që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt BE-së dhe deklaratat e liderëve evropianë se së shpejti, bashkë me Malin e Zi, mund të bëhet pjesë e familjes zyrtare evropiane. Ndërkohë që rrjetet shpërthenin në superlativa për Ramën, spektri politik maqedonas u përqendrua te deklarata e komisioneres evropiane Marta Kos rreth identitetit. Formulimi i saj i pafat – më shumë poetik se politik – si përpjekje për të shmangur një terren të rrëshqitshëm, ndezi debatet dhe goditi rëndë idenë evropiane në Maqedoni.
Në një plan më të gjerë, ovacionet për Edi Ramën si lider i shqiptarëve në rrugën drejt Evropës dhe vetëkeqardhja ku ranë maqedonasit pas deklaratës së Kosit, treguan kontrastin e thellë mes klimës politike në Maqedoni dhe asaj në Shqipëri: dëshpërimi në njërën, shpresa në tjetrën.
Paradoksi shqiptar
Ky krahasim është bërë i dhimbshëm për Maqedoninë, sepse gjithmonë ka ekzistuar bindja se vendi është më përpara se Shqipëria, se Shqipëria është fqinji i varfër që një ditë do ta ndihmonim të njihte Evropën. Por ndodhi e kundërta. Pjesërisht për shkak të fatit të keq, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së udhëheqjes. Sepse kur në krye janë njerëz të paaftë, ose të fokusuar vetëm në interesat personale dhe partiake, timoni nuk lëviz përpara, por kthehet prapa.
Mendoj se kjo i ndodhi Maqedonisë.
Shqipëria ishte mbrapa, por diti t’i njohë në kohë interesat e saj. Edi Rama është figura që e drejton Shqipërinë drejt BE-së. Prandaj edhe është pranuar si fitues, si lider dhe si pikë drite në një politikë dekadash të errësirës demokratike dhe korrupsionit.
Natyrisht, sundimi i Ramës nuk është pa kontroversa dhe skandale. Muajin e kaluar, një portal shqiptar botoi një analizë me titull “Dy fytyrat e kryeministrit të Shqipërisë”, duke e përshkruar si njeri që ndërsa pritet me ovacione në metropolet evropiane, ministri i tij i afërt arratiset për të shmangur akuzat. Ndërsa diskuton për reforma me liderët evropianë, ish-zëvendëskryeministri i tij fshihet në Zvicër, i kërkuar për përvetësime milionëshe. Siç thuhet në analizë, Shqipëria jeton dy botë paralele: një që i prezantohet aleatëve perëndimorë, dhe një tjetër që e jetojnë vetë shqiptarët.
Tirana – destinacion i ri evropian
Por ndryshe nga këtu, ku kryeministrat nuk japin ministra për drejtësi, në Shqipëri janë rrëzuar dhe dënuar disa ministra të afërt me Ramën: ministër i brendshëm për trafik droge, ministër shëndetësie për abuzim me fondet evropiane, ministër mjedisi për korrupsion, zëvendëskryeministër dhe ministër financash i arratisur nga prokuroria, etj. Me Ramën, duket se këto dy botë – njëra e korrupsionit dhe tjetra e aspiratës për vlera evropiane – janë unifikuar në një narrativë të vetme: rrëfimi evropian. A do të pajtohen këto botë? Sigurisht që jo. Por Rama, edhe pse vetë i prekur nga dyshime për korrupsion, po arrin t’i drejtojë drejt një qëllimi të përbashkët.
Ai e ka kuptuar rëndësinë e Bashkimit Evropian për vendin e tij dhe e ka shndërruar këtë vetëdije në një përparësi, duke u transformuar nga një politikan ballkanik në një politikan evropian. Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, në maj, ishte dëshmia e kësaj. Në atë samit parakaluan emrat më të rëndësishëm të Evropës: Ursula von der Leyen, Antonio Costa, Mark Rutte, Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Giorgia Meloni, Keir Starmer, Volodymyr Zelensky… duke e shënuar kështu Tiranën si një destinacion të ri të politikës evropiane.
Vetë Rama, një ditë pas samitit, postoi në rrjetet sociale një montazh: sipër – një fotografi nga protestat pas zgjedhjeve të vitit 1996 në Tiranë, poshtë – një fotografi aktuale nga e njëjta shesh, me liderët evropianë. Mesazhi ishte i qartë: shihni ku ishim dhe ku kemi arritur nën drejtimin tim.
Është paralajmëruar edhe se Samiti i ardhshëm i NATO-s në vitin 2027 do të mbahet në Tiranë – si një konfirmim se vendi tashmë ka kapacitet dhe reputacion për të pritur ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Ne, këtu në Maqedoni, kemi gjetur një mijë e një arsye pse kemi mbetur prapa Shqipërisë. Por ajo që na duhet tani është të punojmë për të afirmuar arsyet pse duhet të ecim përpara.